Kritikë letrare:
DHIMBJA SI DRITË – HESHTJA SI LUTJE
Xhavit Beqiri, “NJË DHIMBJE PËR VETE”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “DRITA”, Seria e botimeve “LETËRSI”, Prishtinë 2026. Faqe 86. ISBN 978-9951-17-115-1
Hyrje
Vëllimi poetik “Një dhimbje për vete” nga Xhavit Beqiri, është poezi me përmasë të thellë shpirtërore, filozofike dhe estetike, ku poezia është akt krijimi, është edhe thirrje për ndërgjegjësim përballë kohës, dhimbjes dhe dritës. Kjo poezi në brendësinë e saj ka frymë të hapur evropiane, një orientim kulturor dhe shpirtëror i domosdoshëm drejt një hapësire ku identiteti dialogon me qytetërimin, me besimin dhe me historinë. Kjo “dritë e DRITËS”, si metaforë themelore, aq sa është simbol estetik, po aq është një thirrje e brendshme për ndriçim, për vetëdije dhe për një kthim drejt esencës së njeriut në shtratin e kulturës Europiane.
PROLOG
o lexues
shêjti im
meshirë mos kërko
për këtë herezi
falënderoje atin
gjyqi më bëhet mua
fatlum je
botën po e shijon
fryt i dashunisë
i qetë fli
Faqe 11.
Vëllimi poetik “Një dhimbje për vete” i Xhavit Beqirit duket si një univers i kompletuar poetik ku fjala, dhimbja dhe drita përbëjnë mozaikun e një strukture të brendshme me përvojë akademike, me ndijim shpirtëror që shijohet falë aspektit estetik. Qysh në poezinë “Prolog”, poeti ka vendosur një komunikim më të drejtpërdrejtë me lexuesin, si një komunikim sakral: “o lexues/ shêjti im/ mëshirë mos kërko/ për këtë herezi”, (po aty, faqe 11), ky varg tingëllon si një thirrje e aktit poetik i vendosur në kufirin mes rrëfimit dhe gjykimit ose mes mëkatit dhe shpëtimit. Poezia “Prolog” është e ngarkuar me shprehje liturgjike duke krijuar bukurinë e fjalës poetike, e cila merr funksion ritual, dhe në anën tjetër ky prolog përcakton frymën e librit. Mesazhi i saj, lëviz mes dritës dhe territ, mes besimit dhe dyshimit.
Vëllimi poetik “Një dhimbje për vete” i Xhavit Beqirit është poezi estetike, e cila vjen si përvojë e refleksiont ekzistencial. Poezia është akt ndërgjegjësimi, përpjekje kjo për të realizuar mesazhe inspiruese që kanë për motiv dhimbjen, kohën, besimin dhe vetveten. Poeti shfaqet si misionar lirik, me vargje artistike që kanë artikuluar mendimin mes përditshmërisë dhe përjetësisë. Gjuha poetike, shpeshherë me ton liturgjik, tingëllon sikur të ishte kjo poezi një lutje e lashtë, diçka e përsëritur nga e kaluara, atëherë kur fjala ishte sakrament. Kjo përshtypje për shenjtërinë e gjuhës i jep poezisë një përjetim jashtzakonisht të veçantë dhe mjaftë reflektiv.
Misticizmi dhe motivi i ekzistencës
Poezia e Xhavit Beqirit, shpeshherë i ngjan një lutjeje ku njeriu përballet me vetveten. Prandaj dhimbja, si motiv është përvojë ekzistenciale. Pikërisht kjo ide shprehet në poezinë “Një dhimbje për vete”, ku dhimbja është personale, dhe po aq edhe universale. Kjo qasje që na e afron poeti e lidhë poezinë e tij me traditën ekzistencialiste, ku vuajtja nuk shmangej, edhe pse ishte pjesë e vetëdijes. Prandaj dhimbja këtu bëhet identitet lirik, dhe mënyrë e të qenit aktiv.
NJË DHIMBJE PËR VETE
Duhet ta kesh një dhimbje
Një dhimbje te fortë të përqendruar
Një plagë të denjë për t’u dashur
Duhet ta kesh një dhimbje
Një dhimbje si therje thike
Mu në mes të kraharorit
Ta kesh vetëm tënden një dhimbje
Një dhimbje që të gëlltitë mnershëm
Në terrin e pambarim të detit
Faqe 43.
Motivet më të dukshme në poezinë e Xhavit Beqirit, janë motivi mistik, ai liturgjik dhe ekzistencial. Mistika është kërkimi më i realizuar poetik, një kontinuitet i dritës dhe Hyjit, si në vargjet: “lart yjet/ poshtë greminat/ shtëpia ime/ purgator pa fund”, (poezia: “T(m)erri im”, faqe 26), në të cilën hapësira e jetës përjetohet si një ndërmjetësim në mes qiellit dhe humnerës. Ndërsa motivi liturgjik realizohet më fuqishëm te poezia “Meshë”: “çdo të diel/ marrim korpin tënd/ dhe gjakun” – një rikrijim poetik i sakramentit, i cili tashmë është shndërruar nga poeti në reflektim mbi fajin dhe mëkatin: “me gurin e mëkateve/ qëllojmë vetveten”, duke u shndërruar në një akt ndërgjegjësimi.
MESHË
çdo te diel
marrim korpin tënd
dhe gjakun
çdo të diel
gurin e vrasjes
e hedhim përtokë
dhe shkruajmë në dhé
me gishtin tregues
historinë e mëkateve
çdo të diel
me gurin e mëkateve
qëllojmë vetveten
Faqe 60.
Motivi ekzistencial dhe i vetmisë shfaqet më çartë te poezi “Gaz e helm”: “e vetmuar do të jesh/ cak harbimi/ në baltën e gjallë/ në detin e egërsuar”, (faqe 12), në vargjet e së cilës duket se njeriu përballet me braktisjen në një botë të pasigurt. Poezia e Xhavit Beqirit është e pasur edhe me motive të rjera që ndërthuren me: dashurinë, vdekjen, kujtesën, kohën, besimin dhe humbjen. Në ciklin “Molla e jetës”, kemi një metaforë të jetës dhe natyrës, në të cilën stinët përfaqësojnë fazat e ekzistencës. Simboli i “mollës” është element biblik dhe universal, që ka sjellë në vëmendje idenë e njohjes, tundimit dhe përjetimit. Ndërsa në ciklin “Alterego”, poeti eksploron mjaftë mirë dallimet mes dritës dhe errësirës, mes qenies dhe hijes.
Struktura e vargut dhe ritmi i brendshëm
Struktura e vargut në këtë vëllim është kryesisht e lirë, me një përqendrim në vlerën e fjalës. Poezitë, kryesisht janë me vargje të shkurtra, por që kanë krijuar një ritëm të brendshëm i cili pasqyron tensionin emocional të poezisë. Kjo formë e lirë jep mundësi të krijohen imazhe të forta, pa u kufizuar nga rregulla metrike tradicionale, dhe ky ritëm i brendshëm dhe po aq meditativ, ka ndikuar në përqendrim krijues dhe reflektues, që shihet qartë në poezinë “Dyzim”:
DYZIM
në lojën e hijeve
hija jote
imazh drite
a vegim
në gjâmën e dekës
dega jote
hije fresku
a mallkim
Faqe 17.
Këtu secili varg funksionon si njësi e vetme mendimi dhe njëkohësisht ka ndërtuar tërësi të shumëkuptimtë. Ky lloj fragmentarizimi është një zgjedhje estetike që pasqyron një lloj kërkimi për mirëkuptim, ku çdo varg i poezisë funksionon si një “pasqyrë e thyer” e mendimit, duke krijuar një ritëm të brendshëm meditativ. Dhe ky lloj fragmentariteti është realizuar në saje të vargjeve të shkurtra, herë herë të ndara në njësi të vogla, ku secila njësi mbart një ngarkesë të fortë semantike.
Metafora dhe simbolika
Metafora dhe simbolika, në këtë vëllim, janë ndër elementët më të spikatur të këtij vëllimi. “Shiu”, për shembull, shfaqet si një simbol ambivalent: njëkohësisht jetë dhe kaos, ose jetën dhe shkatërrimin. Në poezinë “Shiu i qytetit të hirtë”, një pikë shiu mund të jetë një pikë jetë, por edhe një humnerë pa fund. “një pikë shi – një pikë jetë!… këtu… një pikë shi – një humnerë kaosi pa fund!”, (faqe 23). Po kështu, “drita” dhe “terr-i” janë dy pole që ndërtojnë një dialektikë të vazhdueshme në tekst, duke reflektuar luftën e brendshme të njeriut mes shpëtimit dhe humbjes. Po ashtu, “molla” si simbol i jetës dhe tundimit shfaqet në transformim ciklik. Në poezinë “Molla e jetës” e gjejmë një metaforë me elemente tundimi: “n’pranverë ti çel si Aurora…/ n’verë piqesh me vrull…/ n’vjeshtë bahesh ylber…”, (faqe 18), duke përfaqësuar rrugëtimin e qenies nga lindja deri në sublimim.
SHIU I PRISHTINËS
Në pranverë bie prajshëm dhe rilind kujtimet e thyera të moteve me blerim.
Verës bëhet një me aromën e blirit dhe me shpresën e lulës, e cila pret me padurim një dorë që do ta këpusë me gjithë kërcell, me gjithë rrënjë e me fleta dhe do t’ia shkundë tej e tej harrimin qytetit.
Kur vjen vjeshta, bëhet i hirtë, i mallëngjyeshëm… Piklat e tij të argjendta rrëshqasin ngadalë mbi flokët e zanave dhe zgjojnë afshin e kreshnikëve të lidhur.
Në dimër strehohet mbi ahishtat e Gërmisë për ta kundruar qiellin blozë dhe tokën skllotë që vuan nga sëmundjet e moçme të shekujve.
Faqe 52.
Në “Shiu i Prishtinës”, proza poetike merr një dimension liriko-meditativ, ku qyteti dhe natyra bashkohen në një kujtesë të gjallë: “në dimër strehohet mbi ahishtat e Gërmisë për ta kundruar qiellin blozë”, (po aty, faqe 52), duke krijuar një imazh të fuqishëm të një qyteti të lodhur nga historia dhe transformimet.
Proza poetike
Karakteristikë shumë e dallueshme e këtijë vëllimi janë prozat poetike, në të cilat poeti ka ndërtuar tablo të fuqishme dhe emocionale dhe bashkë me gjuhën e përdorur, krijojnë art të qëndrueshëm letrar. Kjo strukturë gjuhësore, i jep poezisë, përkatësisht prozave poetike, një ngrohtësi dhe autenticitet të veçantë. Gjuha poetike me shprehjeje të dendura, janë bartëse e identitetit kulturor dhe emocional të poetit. Për më tepër, përdorimi i termave me ngarkesë fetare dhe filozofike e kanë pasuruar vargun duke i dhënë dimension të thellë reflektiv. Prania e prozës poetike, vëllimit poetik i ka dhënë dimension më universal shprehjes artistike, sepse koha dhe njeriu janë pasqyrim i vetvetës, i njeriut dhe i tërësisë.
NJERIU
Në iluzionin e madh të lavdisë së vet, është veç një i dënuar në errësirën pa fund. Ëndërrimtar i kuptimit në moskuptimin e përjetshëm, ai është një shkëmb terri në dritën e zbulesës. Njeriu i përngjajshëm me Krijuesin, është veç një i gjykuar në fronin e krenísë.
(Faqe 84).
KOHA
KOHA DOLI NGA FJALA E PARA FJALËS NUK KISHTE ASGJË. NGA KOHA DOLI NJERIU E NJERIU LINDI FERRIN, PURGATORIN E PARAJSËN! HYJI MBETI I SHTANGUR E THA: KTHEHU FJALE NGA DOLE!
(Faqe 85).
Në prozën tjetër poetike“Vallëzimi i fundit”, paraqitet një vizion tronditës: “Nga degët e vjeshtës bien njerëzit e zverdhun… një kërsitje trishtuese… si një trokëllimë morti”, (faqe 35), ku figura e njeriut barazohet me gjethet, duke simbolizuar përkohshmërinë e jetës. Ndërsa në poezinë “Kthimi”, ironia dhe tragjikja ndërthuren në mënyrë të mprehtë: “as një njoftim/ në shtyllën e të vdekunve/ siç bën bota”, (faqe 36-37), duke nxjerrë në pah absurditetin e harresës njerëzore.
Kriza e besimit, nga Edeni te braktisja
Një nga temat më të thella është raporti me religjionin, sidomos në poezinë “Nga Eva a Gjarpni”: “Atë ditë, Adem/ Vetëm ti ishe/ i pikasun// Vetëm ti Adem/ Në Eden ishe/ Adam i molisun…”, (faqe 54). Këtu kemi një dyzim të fortë simbolik: nga pafajësia në faj, nga njeriu i krijuar në njeriun e humbur. Pyetja mbi burimin e tundimit poezia “Nga Eva a Gjarpni”, shndërrohet në një krizë të thellë besimi. Ky reflektim mbi raportin me religjionin, “Nga Eva a Gjarpni/ Adam i grishun/ Adem i braktisun”, (po aty, faqe 54), ka krijuar një zhvendosje të fortë simbolike nga pafajësia në faj, nga krijimi në rënie. Prandaj figura e “Ademit” dhe “Adam-it” kanë krijuar një dyzim identitar, ndërsa pyetja mbi burimin e tundimit shndërrohet në një krizë të besimit. Njeriu nuk është më në një marrëdhënie të qartë me Hyjin, por në një gjendje braktisjeje dhe dyshimi, çka e bën këtë poezi me një reflektim të thellë mbi humbjen e orientimit shpirtëror në kohën moderne.
“Njeriu” në këtë poezi të Xhavit Beqirit duket se është i lëkundur, i braktisur dhe në kërkim të vërtetës. Ky parim e bën këtë poezi thellësisht moderne me qasje të dukshme ekzistenciale. Ndoshta në këtë kontekst, mund të flitet për një motiv të braktisjes së religjionit, ose më saktë, për një krizë të besimit, sepse ai nuk është më një strehë e sigurt, por një hapësirë pyetjesh dhe pasigurish. Kjo temë lidhet ngushtë me përvojën moderne të njeriut, i cili shpesh ndodhet mes traditës dhe dyshimit. Mes atij tundimit të jesh apo të mos jeshë, siç shprehet vet poeti edhe në poezinë “Koha e dritës”:
KOHA E DRITES
Drita e vërtetë
që shndrit çdo njeri,
erdhi në botë.
Ishte në botë
e bota u krijua prej Saj,
e bota nuk e njohu.
Erdhi ndër të vetët,
e të tijtë nuk e pranuan. (Gjoni 1, 8 – 11)
Faqe 82.
Dhe bashkë me përzierjen gjuhësore në mes shqipes standarde dhe veçantive dialektore, i ka dhënë poezisë një ngrohtësi duke marrë ngjyrime biblike dhe filozofike, duke e ngritur mesazhin e poezisë në nivel të lartë reflektimi. Një anë tjetër e kësaj poezie është aftësia e poetit për të ndërtuar figura të fuqishme me pak fjalë, që realizohen falë përvojës së tij akademike.
Përfundim
Në përfundim, mund të them me kompetencë se vëllimi“Një dhimbje për vete” është një vëllim me poezi që kërkon një lexim më të vëmendshëm dhe reflektiv. Poezitë nuk ofrojnë përgjigje të lehta, por ngrejnë pyetje të thella mbi jetën, vdekjen, besimin dhe identitetin. Poezia e Xhavit Beqirit mund të cilësohet si një udhëtim meditativ në brendësi të qenies që shpesh mbetet e pashprehshme. Andaj në këtë përpjekje, në këtë trysni mes fjalës dhe heshtjes, qëndron fuqia e saj estetike. Me një fjalë, poezia e Xhavit Beqirit është një përpjekje për ta artikuluar të pathënën, për ta kthyer dhimbjen në kuptim dhe për ta gjetur dritën në mes të territ. Poezi si e tillë, lexohet dhe përjetohet – si një lutje shpirtërore, si një plagë e brendshme, si një kujtesë e kahmotshme e cila vazhdon të mbetet preokupim poetik edhe i vet poetit, dhe për të qenë kështu i plotsuar, duhet ta ketë “një dhimbje për vete”.
KONTRAST
E shkurtë jeta
Me i tregue t’gjitha
Rrëfimet!
E gjatë jeta
Me i durue t’gjitha
Trishtimet!
Faqe 61.
Pavarësisht persiatjeve të mia, vëllimi me poezi “Një dhimbje për vete”, nuk ofron ngushëllim, por kërkon përballje me dhimbjen, besimin dhe vetveten. Poezia e Xhavit Beqirit, metaforikisht është një udhëtim në territ e shpirtit, ku drita nuk mungon, por ajo fitohet vetëm me mund. Dhe pikërisht në këtë tension mes dhimbjes dhe dritës, mes fjalës dhe heshtjes, qëndron forca e saj më e madhe. Sepse, siç e theksuam në fillim: “Duhet ta kesh një dhimbje… Një dhimbje që të gëlltitë mnershëm…”, (faqe 43), dhe ndoshta vetëm përmes dhimbjes poetike, njeriu arrin të kuptojë veten dhe botën që e rrethon.
Prishtinë, 01 Maj 2026
Shefqet DIBRANI

