nga Prishtina, 18-19 prill 2026
Fatmir Sogojevën e kam shok klase nga Shkolla e Mesme Teknike – Dega Kimiko-Teknologjike në Kastriot (1975-1980). Jeta e ka çuar prej vitesh në Suedi, ku jeton me familjen e tij, por sa herë që kthehet në Prishtinë, takimet tona marrin një ngrohtësi të veçantë, sikur koha prej 40-vjetesh të mos ketë ndikuar fare.
Fatmiri është një shembull i rrallë qytetarie. I lindur dhe i rritur në Lagjen TOPHANE të Prishtinës, ai u formua në një mjedis ku tri kultura dhe tri gjuhë bashkëjetonin natyrshëm: shqipja, turqishtja dhe serbishtja. Ai i flet të tria me një rrjedhshmëri të admirueshme, ashtu si edhe suedishten, të cilën e zotëron me po aq dinjitet. Në të vërtetë, tek ai gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por një dëshmi e një kohe kur dallimet nuk na ndanin, por na pasuronin. Dhe Fatmiri është po ai shok qysh e kam njohur në shkollën e mesme, dhe siç e dinë e tërë gjenerata jonë, unë – them me mburrje kam qenë ma i urti, dhe nuk besoj se ka ndonjë shoqe a shok që mund të përmend ndonjë sjellje jo të mirë timen kundrejt të të gjithëve njësoj. Dhe e them me lot në sy se rrethanat dhe kushtet e mia sociale më kanë bërë të tillë, të paktën me sjellje të tregohesha i rregullt?!
Mbrëmë, pas një ndeje të këndshme në një kafene në Lagjen time ARBËRIA, që gjendet afër Komunës së Re të Prishtinës, dhe pasi shkuam deri te Pallati ku është apartamenti im, u nisëm drejt TOPHANES. Dorën në zemër mendova vetëm sa për ta kthyer Fatmirin në shtëpinë e tij. Por insistimi i tij për ta pirë sërish një kafe në restorantin e tyre, dhe siç tha ai vetëm sa për të më prezantuar mua me shokët e fëmijërisë, mu bë, (edhe nëse ishte rastësi), si një skenar i planifikuar më parë. Teksa ngisja automobilin tim nëpër rrugicat e lagjes së tij, Fatmiri më tregonte, pothuajse me një ndjenjë krenarie e emocionuese, për çdo gjë në lagje, shtëpi pas shtëpie: këtu i kam dajat, atje jetojnë hallat, më tej kushërinjtë, nipër e farefis, një botë e tërë kujtimesh e përqendruar brenda një hapësire të vogël, diku rreth 1 km katror, por me një densitet të jashtëzakonshëm emocionesh, sidomos për mua, kur edhe tash e ndiej vetën se vij nga zona rurale me një përbërje krejtësisht tjetër.
I rritur në zemër të qytetit, në një familje qytetare dhe me arsimim të lartë, me një baba jurist të diplomuar dhe drejtues në ndërmarrjet e mëdha të kohës, si në Kombinatin: Xehtaro-Energjetik-Metalurgjik-Kimik (KXEMK) “Kosova” në Kastriot etj., prandaj them se Fatmiri i përkiste asaj shtrese të mesme deri te e larta qytetare e cila e mbante gjallë dinjitetin dhe kulturën urbane të Prishtinës. Ai u rrit të them kushtimisht pa asnjë mungesë materiale të asaj kohe, por mbi të gjitha rrethi qytetar kishte ndikuar në formësimin e tij të fortë qytetar me vetëbesim në veten e tij dhe me një karakter të përsosur, sidomos nga këndvështrimi im i asaj kohe që askujt nuk i kam bërë sherr.
Fizikisht i zhvilluar dhe me një natyrë të pathyeshme, në rininë tonë ai njihej si “problematiku” i gjeneratës – jo në kuptimin aq të keq, por se ishte rebel nuk mund ta mohoj as tani, por jam i sigurt se ai nuk pranonte lehtë nënshtrimin dhe injorimin, që vinte shpesh nga mësimdhënësit tanë me bindje komuniste. Sot, kur mundohem ta ngacmoj për ato kohë, ai buzëqesh, shmanget ose thotë shkurt: “Ishte rinia…”, dhe në atë fjali të thjeshtë fshihet një botë e tërë përjetimesh, të cilat, kur rrëfehen, të bëjnë të qeshësh, por edhe të ndiesh mall për një kohë që nuk kthehet më.
Kam njohur edhe vëllanë e tij, tashmë të ndjerin Erollin, të cilin për urtësitë e tij e kam pasur ma shok se Fatmirin, dhe ruaj edhe sot një kujtim që më shton edhe më shumë atë peshën emocionale sa here që rri e takohem me Fatmir Sogojevën.
Por ajo që e bën Fatmirin të veçantë është lidhja e tij e pandërprerë me njerëzit e vet dhe shokët e fëmijërisë, e të rinisë si dhe me ata të lagjës. Sa herë e takoj, rregullisht ai më çon në Lagjen e tij TOPHANE, mes shokëve të fëmijërisë, një rreth që ka mbetur i paprekur nga koha. Është e rrallë të shohësh miqësi që nuk janë zbehur, që nuk janë prishur, por që vazhdojnë të jetojnë me të njëjtën gjallëri edhe në këtë moshë.
Mbrëmja e djeshme ishte një surprizë e bukur. Në një ambient të ngrohtë, i mbushur me zëra, të qeshura dhe kujtime, u mblodhën shumë nga shokët e tij të lagjes. Më pritën edhe mua me një bujari të rrallë e të sinqertë: me tavolinën e shtruar, me gotat e rakisë, me humorin e çiltër dhe atë mënyrën e tyre të të bërit shaka pa ligësi. Edhe kur ata kalonin në batuta më të forta mes tyre, tregonin një kujdes të veçantë ndaj meje, madje kërkonin falje – në ndonjë gjest të vogël, që për mua tregonte më shumë për madhështinë e shpirtit të tyre dhe për bujarin e papërjetuar kurrë më parë, se sa për ndonjë shaka a lëndim kundrejt meje.
Në ato çaste, jam dorëzuar para vetës time: madje ia kisha lakmi Fatmirit. Jo për jetën jashtë vendit, as për arritjet materiale, por për këtë pasuri të rrallë, më saktësisht për rrethin e tij njerëzor, respektin që gëzon ndaj tij dhe për mënyrën se si ata dinin të ruanin lidhjet me te dhe si më trajtonin edhe mua, si shok i Fatmirit. Pastaj mënyra se si Fatmiri më prezantonte mua para shokëve dhe farefisit të tij, me aq dinjitet dhe dashamirësi, më preku thellë, dhe në anën tjetër tregonte atë shokun e vërtetë e problematik me të cilin kisha ditur ta ruaja me aq përkushtim.
Takimin e nisëm rreth orës 19:00 të 18 prillit dhe e përmbyllëm rreth orës 02:00 të mëngjesit të 19 prillit. U largova me keqardhje, duke kërkuar ndjesë, pasi më priste një ditë e hershme me udhëtime drejt Dukagjinit. Por një gjë e them pa asnjë hezitim: Kjo mbrëmje për mua do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të kohës sime që nga rikthimi në Kosovë, pas një emigrimi të gjatë që nga viti 1984.
Faleminderit, Fatmir Sogojeva! Paç bekimin e Zotit dhe uroj që ëndrrat tua t’i shohësh të realizuara në sukseset e fëmijëve tuaj!
Prishtinë, 18-19 prill 2026
Me respekt,
ish shoku yt i klasës,
Sh. Dibrani
