Home » Shefqet Dibrani : NË MES TË ATDHEUT, MËRGIMIT DHE DASHURISË

Shefqet Dibrani : NË MES TË ATDHEUT, MËRGIMIT DHE DASHURISË

nga World Ks

NË MES TË ATDHEUT, MËRGIMIT DHE DASHURISË

Vlerësim për dy vëllimet me poezi të Zize Pepshit: “MË JANË PËRZIER ATDHET” dhe vëllimi tjetër “EDHE VDEKJA, TURPËROHET NGA DASHURIA”, botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2021.

Të nderuar të pranishëm,

të dashur miq të librit dhe të poezisë,

e nderuara poeteshë Zize Pepshi,

Sot, kur jemi mbledhur për të folur për dy vëllimet poetike të Zize Pepshit, “Më janë përzier atdhetë” dhe “Edhe vdekja, turpërohet nga dashuria”, botuar nga “Faik Konica”, në Prishtinë 2021, mendoj se këto dy vëllime poetike janë dy pjesë të një mozaiku më të gjerë, në të cilin pasqyrohet jeta e poeteshës, përvoja në mërgim, malli për atdheun, dhe dashuria e një gruaje shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj e ka kaluar në mërgim, dhe për mëtej si e vetme, ka mbajtur punën, i ka rritur dy fëmijet dhe ka arritur të shkruaj edhe poezi, angazhim që pasqyrohet në këto dy vëllime që po i promovojmë sot.

Këta dy libra, e plotësojnë njëri-tjetrin. I pari na çon më shumë drejt atdheut si përgjegjësi shoqërore; kurse vëllimi i dytë na afron më shumë me botën e dashurisë, me mungesën e bashkëshortit – Muhamet Pepshi, të cilin e kam njohur dhe kemi vepruar bashkërisht. Prandaj, për ta kuptuar si duhet poezinë e Zize Pepshit, atë duhet ta shohim si pjesë e jetës reale të poeteshës, si përvojë e saj njerëzore, shoqërore dhe intelektuale.

Titulli “Më janë përzier atdhetë” është një varg përmes të cilit kuptohet edhe brendësia e vëllimit, sepse “Atdheu” në vargun e Zize Pepshit shpreh gjendjen shpirtërore të autores në mes vendilindjes dhe jetës në mërgim. Në këtë kuptim, atdheu është kujtimi i fëmijërisë bashkë me njerëzit e saj, prandaj poeteshës, atdheu i është bërë i pranishëm kudo në vargun e saj. Kjo ndjenjë i përshkon poezitë e fillimit të librit, të cilat kryesisht kanë motiv mërgimin, përkushtimet, qoftë për familjar a figura historike, dhe një cikël i gjerë janë përkushtime hapësirës shqiptare dhe në fund janë edhe disa poezi satirike. Vetë ndarja e librit në gjashtë njësi ciklke, tregon përpjekjen e autorës për ta ndërtuar sa ma mirë mozaikun e tërësisë tematike.

Poezia e Zize Pepshit, nuk e sheh atdheun vetëm si nostalgji, por kujtimi personal në këtë vëllim që ka marrë një dimension më të gjerë karshi zhvillimeve socio-politike. Natyrisht ngjarjet tematike kalojnë stolisjen estetike, duke u shndërruar vargu i saj në dëshmi poetike, andaj ato zhvillime të gjithëmbarshme janë paraqitur si përjetime faktike.

Në anën tjetër te poezia “Edhe koha”, ora “ngrin”, koha “vjetrohet”, ndërsa dita dhe nata ndërrojnë vendet. Në këtë poezi mërgimi nuk është vetëm largësi gjeografike, mërgimi duket të jetë një gjendje shpirtërore, përplot mungesa, boshllëk dhe mungesa. Madje as koha në vargun e saj nuk ecën sipas ritmit të zakonshëm; koha e këtij vargu lirik rëndohet nga kujtimet dhe nga malli për atdheun. Mendoj se pikërisht për këtë arsye, poezia e Zize Pepshit, është poezi e përjetimit e cila shpeshherë niset nga një situatë konkrete, nga një kujtim i veçantë, apo nga ndonjë ndjenjë, për tu shndërruar në varg ose figurë poetike. Në këtë proces krijimi, përvoja e poeteshës është bërë mesazh njerëzor. Kjo lidhje e ngusht ndërmjet jetës në mërgim dhe poezisë si krijim artistik është mjaftë e dukshme në të dy librat, që promovohen sot.

Një vend të veçantë në librin e parë “Më janë përzier atdhetë” zë edhe figura e Presidentit Ibrahim Rugova. Në poezitë “Pavdeksia” dhe “Urtakut trim”, I. Rugova shfaqet si simbol i një kohe, i një vizioni dhe i një ideali kombëtar, me këtë rast poetesha Zize Pepshi e vendos atë në hapësirën ndërmjet historisë dhe mitit poetik. Ta zëmë, në poezinë “Urtakut trim”, vargjet ndërtojnë një figurë të idealizuar të Rugovës, si për shembull: “Burrë i madh i Dardanisë”, “Profet i politikëbërjes”, “Diplomat i përkryer”, “Urtak e trim i Kosovës dardane”, në këtë mënyrë, figura historike e Ibrahim Rugovës kalon nëpër emocionin poetik të autores duke marrë dimension epik e simbolik.

Në këto dy raste, poezitë nuk synojnë të përshkruajë personalitetin e tij, poetesha dëshiron ta ruajë portretin e tij duke kujtuar përmes poezisë në njërën anë, dhe në anën tjetër, ajo ka synim të mos lejojë që koha t’i fshijë gjurmët e atyre personaliteteve që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive.

Nëse libri i parë e ka më të theksuar dimensionin patriotik, libri i dytë “Edhe vdekja, turpërohet nga dashuria” na afron më shumë drejt poezisë lirike. Dashuria në konceptin poetik të këtij vëllimi bëhet si mënyrë për ta kuptuar më mirë jetën. Nëpër poezitë e këtij vëllimi, mungesa, malli, dhe kujtesa janë temë bosht e librit. Ndonëse, shihet përpjekja që dashuria të mbijetojë edhe përtej kohës së ikjes, poetesha arrin ta bëjë vargun me vlerë universale. Vet titulli i librit është, një metaforë e përzgjedhur: “Vdekja përballet me dashurinë dhe, në këtë përballje, është vdekja ajo që turpërohet”, kështu do ta përkufizoja me pak fjalë tërësinë e këtij vëllimi, sepse kjo qasje poetike ka arritur suksesshëm ta vendos dashurinë në një dimension më të madh se jeta fizike. Andaj në këtë vëllim, vargu ka ndjeshmëri, ndërsa përjetimi personal del në sipërfaqe me gjithë brishtësinë e vet.

Mjaftë karakteristike është e dhëna se, se poezia vihet përballë dhimbjes dhe mungesës së përhershme. Kjo është një arsye shtesë, pse them, se në poezinë e Zize Pepshit, gjejmë shpeshherë një bashkëjetesë të çuditshme, ndërmjet dashurisë dhe dhimbjes.

Dashuria është kujtim.

Dashuria është pritje.

Dashuria është mungesë.

Por dashuria është edhe shpresë.

Ta zëmë, në poezinë “Veç kujtim”, shpresa mbetet e gjallë edhe përkundër pasigurisë, jeta lëviz “horizont m’horizont”, ndërsa dashuria sa afrohet po aq sikur ikën nga dora. Kështu, dashuria nëpër këto vargje është shndërruar në, një kërkim të vazhdueshëm të asaj që njeriu e ka humbur e nuk ktheht më.

Sot, duke folur për poezinë e Zize Pepshit, nuk mund të anashkalohet as figura e gruas që qëndron brenda vargut poetik. Poetesha ka qenë mësuese, veprimtare politike, kulturore dhe shoqërore, si dhe pjesëmarrëse aktive në jetën publike në Zvicër. Për vite me radhë është angazhuar me nxënësit shqiptarë në mërgim dhe në veprimtari të ndryshme kulturore. Kjo përvojë e jetës nuk është e ndarë nga krijimtaria, përkundrazi, kjo përvojë është e tejdukshme qoftë si shkollë ose si ndikuese në motivet poetike. Prandaj, poezitë e Zize Pepshit mund të lexohen si kontribut i një gruaje shqiptare që ka jetuar dhe vepruar mes shumë kulturave. Në këtë pikë, dy librat që po i promovojmë sot janë artikulimi i përvojës së një gruaje shqiptare në kohë të ndryshme, në hapësira të ndryshme dhe në vende të ndryshme.

Duke e lexuar më me vëmendje poezinë e saj, vërehet se si një pjesë e poezive të Zize Pepshit kanë mesazh edukativ, dhe shpesh përçojnë një këshillë mjaftë të drejtpërdrejtë. Në poezinë “Ngrihu”, mesazhi është i qartë: Edhe kur njeriu shkelet, ai duhet të ngrihet; edhe kur poshtërohet, ai duhet të vazhdojë rrugën e vet. Kjo poezi, e cila nuk është e vetme, mund të merret si metaforë e qëndresës njerëzore. Dhe pikërisht më duket se këtu takohet poezia me vet jetën e autores: Stoicizmi i saj nuk është vetëm një koncept poetik, por ajo qëndresë duket të jetë një përvojë e saj e jetuar. Megjithatë, ajo që e bën më interesante këtë krijimtari është, se krahas poezisë deklarative dhe mesazheve të drejtpërdrejta, në të dy librat gjejmë edhe vargje kur metafora merr përsipër të flasë.

Poezia e Zize Pepshit nuk kufizohet vetëm te motivi për atdheun, mërgimin dhe te lirika e dashurisë. Ta zëmë në ciklin e fundit te libri i parë janë sistemuar poezitë satirike.“Pëlcet kazani” është një shembull ku poetesha largohet nga toni sentimental duke u futur në një vorbull më ironik dhe me më shumë satirë. “Kazani” bëhet simbol i një realiteti kosovar ku gjithçka përzihet: zhurma, rrëmuja, ambicia dhe absurditeti njerëzor, dhe qe besa po të ishte shkruar kjo poezi sot, më së miri do t’i shkonte zhvillimeve politike dhe kaosit institucional. Ky cikël është tregues i mjaftueshëm se poetsha ka prirje edhe për këtë motiv poetik përplot ironi thumbuese.

Në fund të vëllimit “Edhe vdekja, turpërohet nga dashuria”, poezia “Kur ndalen lirikat”, na jep një shpjegim për ta kuptuar më mirë gjithë librin e dytë me poezi që kanë për motiv dashurinë.

Kur fjala nuk mjafton më, ndalet lirika.

Por çfarë mbetet atëherë?

Mbetet kujtimi.

Mbetet malli.

Mbetet mungesa.

Dhe mbi të gjitha, mbetet dashuria.

Në këtë poezi, autorja ka shkruar për gjërat që janë “pa ty”, prandaj aty lirikat janë ndalur, dhe në anën tjetër shënohet ai momenti kur poezia e pranon kufirin e saj. Nuk mundet gjë, ta zëvendësojë mos praninë e njeriut të dashur. Dhe ky rast, përkatësisht ky varg është ai momenti më i ndjeshëm i këtij vëllimi, sidomos kur poezia provokon ndjenjën e secilit lexues të saj.

Të nderuar të pranishëm,

Në përfundim të këtij vlerësimi, do të thosha se dy librat e Zize Pepshit duhen lexuar si dy pjesë të të njëjtit udhëtim poetik. Vëllimi i parë “Më janë përzier atdhetë” është udhëtimi drejt kujtesës historike, me epiqendër Atdheun, prandaj poezitë janë përkushtim për qëndresën dhe durimin historik të shoqërisë sonë. Ndërsa vëllimi i dytë “Edhe vdekja, turpërohet nga dashuria”, është më tepër një udhëtim lirik i dashurisë dhe njeriut të munguar, i mallit që e gërryen botën e saj të brendshme.

Në librin e parë, poetesha ka kërkuar të mos e humbë atdheun; në librin tjetër ka kërkuar të mos e humbë dashurinë. Sigurisht kjo qasje i ka bashkuar më së shumti këto dy vëllime poetike, që mund t’i ndërlidhim në një varg. Kujtesa si formë e dashurisë dhe dashuria si formë e qëndresës.

Poezia e Zize Pepshit mbart përvojën e një gruaje, të një nëne, të një mësueseje, të një veprimtareje dhe të një poeteshe, duke krijuar një mozaik ku ndërthuret përjetimi personal me kujtesën kolektive. Prandaj, besoj se Zize Pepshi, me këto dy vëllime, ka hedhur një hap të rëndësishëm në rrugën e saj poetike. E, në të dy vëllimet kemi poeteshën përpara nesh që ka përjetësuar të gjitha dhimbjet që jeta ia ka besuar kujtesës së saj. Dhe ndoshta ky është misioni më i bukur i kësaj poezie. Të shkruaj dhe t’i ruaj në letër ato që zemra e saj nuk dëshiron t’i harroj a t’i humbas.

Urime Zize Pepshit për këto dy vepra poetike, dhe uroj që fjala e juaj poetike të vazhdojë të pasurohet, të thellohet dhe të gjejë gjithnjë e më shumë motive për të shkruar, dhe lexues për t’i lexuar.

Faleminderit!

Prishtinë, 23 shtator 2026

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment