Home » Shefqet Dibrani : ENGJËJ PA FËMIJËRI DHE KUJTESA ARTISTIKE

Shefqet Dibrani : ENGJËJ PA FËMIJËRI DHE KUJTESA ARTISTIKE

nga World Ks

ENGJËJ PA FËMIJËRI DHE KUJTESA ARTISTIKE

(Ose: Fëmijët e vrarë nuk do të harrohen kurrë; ata do të shndërrohen në dritë, në këngë dhe në poezi)

Zymer Mehani, “ENGJËJ PA FËMIJËRI”, poemë përkujtimore kushtuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), botoi “PRINTING PRESS”, Prishtinë, 2026. 74 faqe. ISBN 978-9951-996-44-0.

Hyrje

Fëmijëria është koha më e bukur e jetës. Ajo lidhet me lojën, shkollën, ëndrrat dhe dashurinë ndaj prindërve. Fëmijët nuk mendojnë për luftën, dhunën dhe, aq më pak, për vdekjen. Ata, me ëndrrat e tyre, mendojnë për të nesërmen, për shokët, librat, lojërat dhe dëshirat që duan t’i bëjnë realitet. Por çfarë ndodh kur lufta hyn në këtë botë fëmijërore? E çfarë ka ndodhur vite më parë, kur fëmijëve shqiptarë iu mohua e drejta për të luajtur, për të mësuar, por edhe për t’u rritur?

Lodrat mu në prag, që s’luajnë pa duar,

ca këpucë të vogla nën hirin, mbuluar,

emra të gravuar në të plagëve – kujtesë,

akoma pa nisur, histori të ndërprera në mes.

Faqe 15.

Pikërisht këtë dhimbje e sjell poeti Zymer Mehani në poemën “Engjëj pa fëmijëri”, kushtuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë (1998–1999). Kjo poemë është një përkujtimore artistike për këta fëmijë, të cilëve jeta iu ndërpre dhe ëndrrat iu mbetën përgjysmë. Fëmijët e këtij libri, si engjëj të brishtë dhe të pafajshëm, tashmë janë shndërruar në “yje të vegjël”, të cilëve lufta ua vrau fëmijërinë.

Në Kosovë, fëmijët ishin viktimat më të pafajshme të luftës

Një nga dhimbjet më të dukshme në këtë poemë është pafajësia e fëmijëve. Ata nuk ishin pjesë e luftës, sepse nuk kishin armë, por kishin lodra, libra dhe ëndrrat e tyre. Prandaj, siç shihet edhe në këtë poemë, vdekja e tyre bëhet edhe më e dhimbshme. Poeti sjell emrat, ëndrrat dhe familjet, bashkë me vendet e tyre, për t’i bërë këta fëmijë pjesë të veçantë të historisë. Dhe pikërisht, siç thotë poeti Zymer Mehani, fëmijët nuk duhet të mbeten vetëm numra dhe statistika. Ata tashmë janë “yje të vegjël” dhe do të mbeten përherë të freskët në kujtesën e familjeve, të shoqërisë dhe të Kosovës. Jo rastësisht poeti i ka quajtur “engjëj pa fëmijëri”, sepse ata nuk patën mundësi ta jetonin fëmijërinë e tyre; fëmijëria e tyre u ndal në mes.

Një nga pjesët kryesore të poemës janë ëndrrat e fëmijëve. Ata kishin dëshira të thjeshta: dikush donte të bëhej mjek, dikush piktor, dikush këngëtar, ndërsa dikush thjesht dëshironte të luante me shokët. Këto ëndrra janë të vogla vetëm në dukje. Në të vërtetë, ato përfaqësojnë të ardhmen. Kur një fëmijë thotë se dëshiron të bëhet mjek, ai po flet për jetën. Kur një tjetër dëshiron të pikturojë, ai po ndërton një botë me ngjyra. Kur fëmijët tanë dëshironin të luanin dhe të ëndërronin, lufta ua ndërpreu të gjitha këto ëndrra. Prandaj, në këtë poemë, ëndrra e fëmijës është bërë simbol i lirisë. Plumbat nuk e ndalën vetëm frymën e tyre; ata ndërprenë cicërimat e zogjve në degë dhe ëndrrat e jetës së tyre ende të pafilluar. Në këtë kuptim, vargjet e poemës na bëjnë të kuptojmë se sa e dhimbshme është një shoqëri kur ka humbur kaq shumë fëmijë të saj.

Nga loja në tragjedi

Në botën e fëmijëve ka vetëm lodra, libra dhe këpucë të vogla, këtë e dimë të gjithë. Në anën tjetër është bota që ka vetëm luftë, plumba, zjarr dhe vdekje. Këto dy anë – paqja dhe lufta – janë ndër përjetimet më të dhimbshme të poemës. Një lodër e braktisur në kopshtin ku duhej të luante një fëmijë, një çantë me libra e mbetur pa duart e fëmijës që e bartte, ose një palë këpucë të vogla pa këmbët e tyre, në poemën “Engjëj pa fëmijëri” bëhen shenja të dhimbjes që nuk duhet të harrohen kurrë. Brenda poemës, sendet e fëmijëve kanë marrë një kuptim të ri. Tashmë ato nuk janë thjesht sende, por dëshmitarë të heshtur të tragjedisë.

Edhe vargu “Lapsat e këputur” (faqe 63) bëhet një figurë shumë e fuqishme. “Në një çast u shndërrua, faqja u bë hije e zezë, e lapsi u thye se dora s’e mbajti më, për besë” (faqe 19). Lapsi është simbol i shkollës, dijes dhe së ardhmes së shoqërisë. Kur lapsi këputet, këputet edhe një jetë që po ecte drejt së ardhmes.

“Në prillin e përgjakur, kur toka po rënkonte,

Mbi bankat e shkollës, vdekja po kalonte,

Katër sythe të njomë, katër ëndrra në rritje,

U bënë flakadanë në të lirisë pritje.”

Faqe 63.

Në pjesën kushtuar fëmijëve të shkollës “Migjeni” në Sibovc, kjo figurë merr një dimension të veçantë. Poema e Zymer Mehanit përmend emrat e fëmijëve dhe vendet ku ata jetuan ose u vranë. Kjo mënyrë e shkrimit duket si një qasje risimtare. Emri është identiteti i secilit fëmijë. Kur poeti ka shkruar emrat e këtyre fëmijëve, ai i ka nxjerrë nga harresa dhe, artistikisht, i ka kthyer përsëri në mesin tonë. Fëmijët e kësaj poeme nuk janë thjesht emra artistikë të kthyer në vargje, por emra pas të cilëve qëndrojnë familjet, nënat, baballarët, motrat, vëllezërit, shokët e lagjes dhe të fëmijërisë, të cilët i kujtojnë ëndrrat e tyre të ndërprera. Prandaj, leximi i sotëm i kësaj poeme është një lloj përkuljeje para kujtimit. Poeti ka arritur të përdorë figura të bukura dhe të dhimbshme për t’i paraqitur fëmijët si engjëj të bardhë. Gjithsesi, fëmijët e kësaj poeme, falë afinitetit krijues të Zymer Mehanit, janë kthyer në “yje të vegjël”, që japin një dritë e cila nuk do të shuhet kurrë.

Këto figura stilistike e zbusin, pak a shumë, pamjen e rëndë të vdekjes, por, në të njëjtën kohë, e bëjnë dhimbjen më të thellë dhe më përjetuese. Yjet janë larg, por ata shihen. Engjëjt e Kosovës nuk janë në mesin tonë, por ata jetojnë në kujtesën e shoqërisë, si dhe në vargjet e kësaj poeme. Drita e tyre, sado e vogël, e mundi errësirën e robërisë. Prandaj, fëmijët e poemës nuk mbeten vetëm në tokën ku ata u flijuan. Ata lartësohen në një hapësirë artistike: në kujtesën e shkrimtarëve. Kjo simbolikë figurative e poemës ka edhe mesazhin e vet: Fëmijët e vrarë nuk do të harrohen kurrë; ata do të shndërrohen në dritë, në këngë dhe në poezi.

Dhimbja e nënave dhe e familjeve

Nëna është e pranishme edhe në heshtjen e shtëpive, në lodrat e mbetura të fëmijëve, në librat e tyre të papërfunduar dhe në ëndrrat e fëmijëve që nuk u realizuan. Mund të imagjinojmë një nënë që pret fëmijën të kthehet nga shkolla, nga loja apo nga rruga, por dera e shtëpisë nuk hapet më. Prandaj, poema e Zymer Mehanit nuk është vetëm kujtim për fëmijët. Ky krijim artistik është edhe një zë për nënat dhe familjet që mbetën me një boshllëk të përhershëm. Në disa raste, dhimbja që nuk thuhet është më e fuqishme se ajo që thuhet. Në këtë poemë, heshtja e fëmijëve të vrarë është një lloj zëri. Ata nuk mund të flasin më, por të gjallët flasin përmes emrave të tyre, flasin përmes lapsave të këputur, përmes lodrave të mbetura dhe përmes kujtesës. Dhe mbi të gjitha, familjarët dhe nënat flasin edhe përmes thirrjes që përsëritet në frymën e kësaj poeme: “Kurrë mos harroni!” Kjo nuk është thjesht një klithmë apo një porosi; është një amanet nga ata fëmijë për brezat që do të vijnë: na kujtoni jo vetëm për mënyrën si vdiqëm, por edhe për jetën që deshëm ta jetonim.

Poema është një lloj monumenti

“Engjëj pa fëmijëri” është një poemë për kujtesën. Ajo përpiqet t’i ruajë nga harresa ata që nuk patën kohë të jetonin gjatë. Në këtë kuptim, poema bëhet një lloj monumenti, sepse monumentet nuk janë gjithmonë prej guri. Mund të jetë një libër, një varg, një emër i shkruar në një faqe libri. Prandaj, kjo poemë mund të lexohet si një memorial i ndërtuar me fjalë dhe vargje poetike.

ENGJËJ PA FËMIJËRI

Në prag të lirisë, kur toka po digjej,

kur qielli po qante dhe shpirti po ngrinte,

ranë yje të vegjël, pa faj, krejt pa faj,

nën plumba e mortaja, që s’dinë ç’është vaj.

Faqe 15.

Poeti ka arritur t’i mbledhë emrat, vendet, ëndrrat dhe dhimbjet e tyre dhe i ka vendosur nëpër vargjet e poemës. Prandaj, ajo që mund të kishte humbur në harresë me kalimin e kohës, sot ruhet në kujtesën letrare të Zymer Mehanit. Lapsi, si figurë letrare, është mjeti me të cilin fëmijët shkruajnë emrat e tyre, mësojnë shkronjat, bëjnë detyrat dhe ndërtojnë ëndrrat e tyre të para. Andaj, lapsi është një figurë e thjeshtë, por shumë e fuqishme. Nuk ka nevojë as për shpjegime të mëdha. Mjafton të përfytyrojmë një klasë ku mungon një bankë, ku mungon një fletore që nuk do të mbushet më dhe një laps që nuk do të mbahet më nga dora e një fëmije. Megjithatë, poeti nuk e mbyll këtë pjesë vetëm me dhimbje. Ai e lidh kujtimin e fëmijëve me jetën dhe shpresën. Ata jetojnë në kujtesë dhe në faqet e librave, ndërsa gjaku i tyre bëhet pjesë e themelit mbi të cilin ngrihet liria.

Një nga mesazhet më të spikatura të kësaj poeme është se kujtesa duhet të shërbejë për paqen. Askund poeti nuk ka kërkuar që dhimbja dhe përvoja e përgjakshme të kthehen në urrejtje kundër të tjerëve. Përkundrazi, në fund të poemës del qartë dëshira për një botë më të mirë, ku fëmijët jetojnë, mësojnë, luajnë dhe ëndërrojnë për suksese e prosperitet. Kujtimi për fëmijët e vrarë në luftën e Kosovës duhet të kthehet në motiv për punë dhe sukses. Kjo do të thotë se shoqëria duhet të mësojë nga e kaluara e saj tragjike. Nëse fëmijët e vrarë janë quajtur “engjëj”, atëherë kujtimi i tyre duhet të jetë edhe një thirrje për të mbrojtur fëmijët e gjallë.

Përfundim

Poema “Engjëj pa fëmijëri” e Zymer Mehanit është një vepër e ndërtuar mbi motivet e dhimbjes dhe të shpresës. Poema flet për fëmijë të cilëve lufta ua mori jetën para se ta përfundonin fëmijërinë. Por poeti nuk i lë ata në heshtjen e varreve; ai i rikthen përmes vargjeve të kësaj poeme. U jep emër dhe zë, duke i vendosur mes yjeve, dritës dhe kujtesës familjare e kolektive. Kështu, fëmijët e Kosovës të vrarë në luftë bëhen “engjëj pa fëmijëri”, përkatësisht fëmijë që nuk patën mundësi të rriteshin, por që vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që i deshën dhe në kujtesën e një populli.

“Ata s’janë të vdekur, as në dhe, as në varr,

Janë në çdo abetare, janë në çdo altar,

Se gjaku i tyre, i njomë porsi vesa,

U bë vetë themeli, ku u ringrit shpresa.”

Faqe 64.

Në fund të poemës, mesazhi bëhet i qartë: sot, ata janë “drita që nuk shuhet kurrë në kujtesën tonë”. Dhe ndoshta ky është kuptimi më i thellë i gjithë poemës: Fëmijët u vranë, por kujtimi i tyre nuk duhet të vdesë kurrë. Sa herë që lexohet kjo poemë, duket sikur ata fëmijë kthehen për një çast pranë nesh, për të na kujtuar një të vërtetë të thjeshtë: fëmijët kanë të drejtë të jetojnë, kanë të drejtë të ëndërrojnë dhe, mbi çdo plagë të luftës, duhet të ndërtohet paqja e qëndrueshme, si dhe me mesazhin: “Dashuri dhe një botë më e mirë për brezat që vijnë”, (faqe 65.)

Prishtinë, 04 tetor 2026

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment