TRIPTIK LETRAR PËR POEZINË E ASJA MULGECIT
Asja Mulgeci, “GRAVURË N’LKURË”, poezi, botoi “Botimet JOZEF”, Durrës 2024, faqe 158. ISBN 978-9928-940-11-7. Redaktor: Jozef Radi.
I. Gravura e shpirtit: dashuria si dritë dhe plagë
Në vëllimin “Gravurë n’lkurë”, poezia e Asja Mulgecit përfaqësohet përmes mënyrës së rrëfimit të ndjenjës personale, përkatësisht si: “Muzg marramendës…/ ylber i gdhendur,/ pafajshëm puthëm shikimit retinës” (f. 3), dhe në anën tjetër edhe si një gdhendje e drejtpërdrejtë mbi trupin e kujtesës. Kjo “Gravurë n’lkurë, me penela e ngjyra/ k’si aftësie, veç shpirti mundet me pasë” (po aty, f. 3), andaj ajo shkruan: “Ani,/ prap t’përkdheli meje shpirtshëm, buzagaz/ edhe n’turbullimë motesh krye teje/ dashninë zemrës, s’ia vras!” (po aty, f. 4).
Sikur fjalët të ishin thikë e butë, ato bien mbi afshin e poeteshës dhe si një varg që njëkohësisht lëndon dhe emocionon. Pikërisht mbi këtë bashkim të dy të kundërtave krijohet kuptimi që në letërsi njihet si oksimoron, sepse vargu i saj ndërtohet mbi motivin e dashurisë, e cila në këtë univers poetik bëhet përjetim i thellë, duke krijuar një gjendje ontologjike, përkatësisht një mënyrë arkitektonike të të qenit në botë. Jo për gjë tjetër, veç për dashurinë!
Vargu i poeteshës Asja Mulgeci rrëshqet midis dritës dhe mungesës, duke “Flatruar mallshëm bjeshkve t’saja” (f. 27), dhe në ato “Bjeshkë krenare, bjeshkt’e mija/ me rudina shtrue n’lulnaja,/ lisa të gjatë, bredha e pisha,/ a thue qendisë i ka perëndia” (po aty, f. 27). Kështu ajo krijon një diell që lind brenda plagës, pastaj këtë plagë e mëkon duke e shndërruar në një ylber që gdhendet në fytyrën e dashurisë, e cila bëhet shenjë e përjetshme e ndjesisë, herë si “zanë mali” e herë si “shtojzovalle”, vargje që përmbyllin këtë poezi janë të përjetuara thellë: “Oh, m’kanë veshë trupit/ bash si zanë mali,/ fustanbukurin si orteg bore,/ mu duk vedi si Borëbardhë/ shtojzovalle,/ çikë malsore!” (po aty, f. 28). Qielli i kësaj dashurie nuk është i qetë, sepse: “Si petale lulesh, shkërmoq jam trupit tand,/ Oh, sa ambël shpirti, shpirtit m’asht trand,/ rrugve s’di pse ende t’kërkoj me sy” (f. 113). Poezia e Asja Mulgecit, si e tillë duket si një lëvizje e vazhdueshme ndërmjet afshit dhe dhimbjes, ndërmjet pranisë dhe mungesës. Në këtë kuptim, poezia e saj bëhet një dialog i brendshëm, ku subjekti lirik përpiqet të mbajë gjallë atë që rrezikon të shuhet.
Kjo “gravurë” është metaforë estetike, por njëkohësisht edhe akt ekzistence, dhe për të “Mjafton që t’ndihet e dashurueme” (f. 116). Prandaj, gravura e dashurisë shndërrohet në një shenjë që nuk fshihet e as nuk mbulohet me pudrën e fytyrës, por mbetet kujtesë e përhershme që nuk zbehet kollaj. Në anën tjetër, vargu poetik, kudo e përherë, ndriçon si një dritë, përfytyrohet si vegim që mbetet edhe kur nata përpin gjithçka.
Mesnatës së errët,
ndër drita yjesh m’u duk se t’pashë,
se malli për ty, krejt m’ka hutue,
ngjitë shpirtit m’asht si mishi n’asht.
E kur ty s’të kam ngat,
edhe sytë përtojnë m’u çelë,
oh, ç’ndjenjë sfilitëse,
trupin ta shkërmoq, ta velë…
…
Oh, e bekuemja e qiellit
kam nji amanet.
(f. 39–40)
…dhe për t’i kuptuar amanetet e kësaj poeteshe, mjafton të lexohet me nge e me shtatë palë qejfe poezia e saj, e shprehur me kaq afsh dhe e shkruar me kaq pasion, siç ka bërë ajo në librin “Gravurë n’lkurën e Dashnisë”, përkatësisht në poezinë “Tatuazh”.
TATUAZH
Le t’pikturohen fytyrës
tanë yjtë e qiells këtë mbramje,
le t’derdhen ylberët shi mbi ty,
le t’mos mbesë asnji dromcë
e dukshme teje, ani…
Qindra yje tjerë kam m’i zbritë
qenies tande,
me t’i ba tatuazhe në faqe, buzë e sy,
le të shndrisin planetet
shpirtzue me tonën dashni!
(f. 33)
II. Malli dhe mungesa janë topografia e dhimbjes
Në një shtresë tjetër të poezisë së saj shfaqet një hartë e thellë emocionale, ku vendlindja, familja dhe humbja ndërthuren në një tekst të vetëm ndijor. Tropoja, bjeshkët dhe rudinat nuk janë thjesht peizazhe; ato janë pjesë e identitetit të saj poetik, përkatësisht “trupi i dytë” i shpirtit të saj, shprehur mjaftë thekshëm te poezia “Vend ma i bukri, Tropoja jeme”, përplot me “Trimni e bujarì/ brezash trashëgue,/ besa e dhamë peshon sa toka!// T’falem n’gjunj vendlindja jeme/ m’rri n’drit synit e n’çdo rrahje zemre!” (f. 57). Sipas saj, justifikohet e tërë dashuria dhe përkushtimi lirik për Tropojën e Ujzën, që materializohen artistikisht në vargjet: “Vend ma i bukuri, Tropoja jeme/ rri krenare rranzë njaj shpati/ ku shtrin dorën tanë madhështi/ Heroi ynë, bacë Bajrami” (f. 56). Dhe po kaq të fuqishme, bile edhe më të thekeshme janë vargjet kur citon Arbërinë, Dardaninë e mbarë Shqipninë.
Nga këto vargje nënkuptojmë se malli nëpër poezitë e vëllimit “Gravurë n’lkurë” nuk është nostalgji e zakonshme, por një gjendje ekzistenciale, përkatësisht një peshë që bartet si fat, si fatkeqësi, si vaj apo si këngë. Ky mall përjetohet sidomos kur poetesha i drejtohet nënës te poezitë: “O Nanë!”, “Nanës për ditëlindje”, “Nanë e Bijë” dhe “Pragut t’harruem”; apo mungesës së atit, te poezitë: “Lot i paterun n’sy”, “Kurrë s’u msova me mungesën tande – kushtue Atit tim të ndjerë”, “Oh, m’ther n’shpirt kjo arratì” dhe “S’e msova kurrë si kqyr baba bijën e vet”. Këtu shihet se vargjet poetike bëhen një thirrje sa e brendshme, po aq edhe publike, që përjetohet si klithmë e heshtur, duke mbartur traumën e një boshllëku të pashlyeshëm. Figura e babait, sidomos edhe për mua që më mungon, nuk është vetëm figurë reale dhe qëndrore e familjes, por ai është edhe simbol i mungesës së një boshti vertebror, i një rendi tashmë të thyer, jo vetëm në familjen e poeteshës, por nëpër familjet e secilit, aty ku mungon kryefamiljari i shtëpisë. Prandaj, në këtë dimension, poezia e Asja Mulgecit fiton një intensitet të rrallë emocional. Tashmë figura e babait nuk përshkruan vetëm dhimbjen e saj personale, por kjo figurë përjetohet deri në thellësinë e zemrës dhe, po aq përjetueshëm, poetesha ka arritur ta materializojë në tekstin poetik. As lexuesi, aq më tepër kritiku letrar nuk mbetet jashtë; edhe ata janë të përfshirë në këtë rrjedhë ndjenjash, duke u bërë bashkëudhëtar me poeteshën Asja Mulgeci në udhëtimin e saj të vështirë drejt vetes, drejt mënyrës së të mësuari të jetosh me mungesën.
III. Gjuha dhe moderniteti që krijojnë një zë të veçantë në poezinë e sotme
Ajo që e veçon fuqishëm vargun e Asja Mulgecit në peizazhin e poezisë bashkëkohore shqipe është mënyra se si ajo e ndërton gjuhën dhe formën. Gegnishtja në poezitë e saj nuk është vetëm një përzgjedhje dialektore, por edhe një akt estetik i identitetit të saj lirik. Ajo e përdor këtë gjuhë si një materie të gjallë, të ngjeshur, plot ngarkesë emocionale dhe figurative. “Kristaleve t’borës krye lule jargavan/ stinët i kthen përmbys,/ e syve t’pranverës u përngjan” (f. 7), dhe në këtë begati poetike ajo i ndez orakujt si pishtarë, andaj ajo bëhet magjistare e aktit hyjnor ku: “Mbretnitë orojnë orgji e pije pafund/ ndërsa e Bija e Diellit pret lindjen e tij” (po aty, f. 7).
Vargu i lirë, shpesh i shkurtër dhe i ngarkuar me nëntekst, krijon një ritëm të brendshëm që nuk u bindet rregullave klasike, por ndjek logjikën e ndjesisë. Poezia e saj është një ndërthurje e abstraktes me konkreten, e metaforës me përvojën, e mitit me realitetin. Kështu ajo ka arritur të ndërtojë një univers ku Arbëria, Dardania, e veçanërisht Tropoja, Shkëlzeni e Ujëza, së bashku me bjeshkët dhe legjendat e shumta, nuk janë vetëm referenca kulturore, por elemente të një poetike që synon universalen përmes lokalit, siç është shprehur edhe në këto vargje:“Te hingëllin kali njatje majë kodre/ i pari u prin krushqve prej n’Dardani” (f. 08), dhe si në këngët e hershme të malësorëve tropojan ajo deklaron se:“Kam zbritë kso ansh me dorën n’zemër…/ me mbajtë besën lidhë n’dashni,/ nuse m’e marrë njat çikë Tropoje,/ dhandër m’u ba në t’bukurën malsì!” (po aty, f. 9).
Në këtë aspekt, Asja Mulgeci shfaqet si një zë modern dhe eksperimental, që nuk i shmanget kompleksitetit, por e përqafon atë. Poezia e saj, aq sa është hermetike në dukje, po aq është njerëzore në thelbin e saj. Kjo poezi kërkon një lexues të vëmendshëm, të gatshëm për të depërtuar në shtresat e shumta të kuptimit dhe, natyrisht, si puna jeme (?!), ta kuptojë edhe më mirë gegnishten e saj.
Ja një shembull që i afrohet gegnishtes standarde:
BOTËN S’E MALLKUEM AS SOT
Ktij zhegu t’marrë
n’qelq të xhamit, qiella shtrydh lotët
e m’i njomi pritjet shteg zemre;
rigat e shiut m’u mblodhën
si rruza malli
e malli, kala e ujtë i naltë sa nji mal…
Përtej retinës, turbullt e krahvarë,
m’u shfaq gjithsia shpresëvrame;
u kqyrëm shtrembtë mes botësh
e askund s’u pamë…
Botën s’e mallkuem as sot,
dashunisht tue u dashtë ndër lot!
(f. 73)
Në fund, e them me mjaft kompetencë se poezia e Asja Mulgecit mbetet një përvojë e veçantë estetike: një ndërthurje e dhimbjes dhe bukurisë, e gjuhës dhe ndjenjës, e traditës dhe modernitetit. Poezi kjo që lexohet dhe përjetohet si një Gravurë e pashlyeshme në vetëdijen e lexuesit.
Shefqet DIBRANI
