Home » Shefqet Dibrani : Me rastin e 27 vjetorit – fragment poemë NJË VARR I MADHËRISHËM

Shefqet Dibrani : Me rastin e 27 vjetorit – fragment poemë NJË VARR I MADHËRISHËM

nga World Ks

Me rastin e 27 vjetorit – fragment poeme:

NJË VARR I MADHËRISHËM

(Babait tim, Rifat Dibran Dibranit,

vrarë në Luftën e Kosovës, më 18 prill 1999;

ndërsa më 9 korrik 1999 është bërë zhvarrimi

i trupit të tij nga Bregu i Madh,

për në varrezat e fshatit Gërdoc të Llapit)

Një varr i madhërishëm,

i heshtur si vetë jeta e tij,

malli rëndon përmbi.

Në shpat, pranë shtëpisë,

i rrethuar me parmak

e varre të tjera përqark,

vend pelegrinazhi.

Sa herë kthehen në At’(Dhé),

të bijtë e mërguar

e takojnë t’Atin

në atë shteg që të shpie te ai,

të lidhur me mallin,

mall që përvëlon.

Një kurorë lulesh,

herë e tharë, herë e gjallë,

dhe kujtime të largëta

si porosi e artë.

Atë varr s’e ruan askush,

as nuk e mbrojnë ushtarë;

sa ishte gjallë, vetë ai

ishte roje e vetes,

hija e tij përgjonte.

Një gur me emrin e tij

dhe një datë – kob i zi:

dita kur barbarët e sollën

rrëzë shpatit, me të tjerët,

trembëdhjetë nga fshati,

mijëra në kujtesë.

Një stoicizëm i rrallë,

para të cilit përulen

ata që mbetën gjallë,

e kujtojnë me nder.

Kushërinjtë i bëjnë roje,

se i Ati i tij

dhe Ati i Atit të tij

tashmë

janë bërë histori…

Por afër atij varri

është edhe një tjetër:

i një gruaje të fisme,

që solli fëmijtë në jetë,

ajo që gëzimin

e bënte dritë.

Hëna u bëhet ndriçim,

dielli u jep shkëlqim,

por dhimbja ata i përcëllon

për çunin më të vogël,

i cili qe tre vjet po i shoqëron.

Buqetën me lule të vëna përmbi,

me lot e familjes kanë me i ujit!…

Prehet i qetë im At’ në Dhé të vet-

bashkëdyzim Atdhe e Liri.

Ky varr i madhërishëm

tashmë vend pelegrinazhi

për mërgimtarin,

sa herë kthehet

tri pikëtakime i ka:

te vëllai i vogël,

te Mëm’ e Madhe

e te At’(Dhé) në Liri.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment