Home » Jeton Sopa : Sot, rreth orës 10:00, kam shkuar për ta ndjekur seancën e Kuvendit të Kosovës.

Jeton Sopa : Sot, rreth orës 10:00, kam shkuar për ta ndjekur seancën e Kuvendit të Kosovës.

nga World Ks

Të nderuar,

Sot, rreth orës 10:00, kam shkuar për ta ndjekur seancën e Kuvendit të Kosovës.

Fillimisht jam drejtuar te hyrja zyrtare e Kuvendit, aty ku zakonisht hyjnë gazetarët. Policia më tha se nuk mund të hyja në këtë pjesë, pasi protestuesit kishin bllokuar hyrjen e Kuvendit, dhe më sugjeruan të shkoja te hyrja tjetër, nga ana e Komunës.

Kur dola te hyrja tjetër, edhe aty policia nuk më lejoi të futesha në oborrin e Kuvendit. Për këtë arsye, qëndrova në zonën mes protestuesve dhe policisë, aty ku ishin vendosur edhe gazetarët.

Pas disa minutash, disa persona, të cilët mbanin kapele me mbishkrimin “Liria ka emër”, filluan të më fyenin dhe të më kërcënonin me fjalë të cilat nuk mund t’i përsëris.

Më kërkuan të largohesha nga aty, duke më akuzuar se jam shok i “UDB-ashit” Fatmir Sheholli. Njëri prej tyre mori një logo ngjitëse të UÇK-së, gjoja për të më “testuar” nëse do ta vendosja.

Me shumë mirësjellje e mora dhe e vendosa në xhaketë afër zemrës, duke u thënë se jam ish-ushtar i UÇK-së dhe se kjo është, padyshim, krenaria më e madhe e jetës sime.

Për t’ua dëshmuar këtë, nxora kartelën e veteranit të UÇK-së dhe ua tregova, duke u thënë se më kishin ngatërruar me dikë tjetër dhe se unë nuk jam shok i Fatmir Shehollit.

Duke pasur përvojë në situata të tilla dhe duke e ditur se turmat mund të përshkallëzojnë shumë shpejt në sulme, në asnjë rast nuk ua ktheva fyerjet apo kërcënimet. Qëndrova i qetë përballë personave që më kishin rrethuar.

Duke qenë se policia ishte prezente në vendngjarje, u thashë qartë se i zbatoj vetëm urdhrat e policisë dhe se kam ardhur aty në cilësinë e gazetarit. Kërkova të më linin të qetë për ta kryer punën time si gazetar.

Mirëpo, siç duket, ata kishin marrë një tjetër “urdhër”… për të më sulmuar. Më kapën, më shtynë dhe më goditën.

Tash ndodhem në stacionin e policisë, duke pritur për ta raportuar rastin.

Pasi rasti u bë publik, më kanë ardhur dhjetëra informacione për personat që më kanë sulmuar dhe tashmë, pak a shumë, e kam të qartë se kush mund të jenë personat që qëndrojnë prapa këtij sulmi.

E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të punës sime si gazetar, e cila ka të bëjë me hulumtimet dhe publikimin e fakteve për hajnitë dhe dallaveret e pikërisht këtyre personave që sot u prijnë protestave nën logon e UÇK-së.

Nëse këta mendojnë se me kërcënime dhe sulme të tilla mund ta ndalin të vërtetën, e kanë shumë gabim.

Sepse e vërteta nuk frikësohet përballë rrenës dhe mashtrimit.

Prandaj, unë frikësohem nga frikacakët që e sulmojnë të vërtetën.

Në pamundësi për t’ju përgjigjur veç e veç, ju falënderoj të gjithëve që më keni mbështetur publikisht dhe që më keni shkruar edhe privatisht.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment