Home » QEL SHABANI I BECIT – BURRË I PUSHKËS, I BESËS DHE I QËNDRESËS KOMBËTARE

QEL SHABANI I BECIT – BURRË I PUSHKËS, I BESËS DHE I QËNDRESËS KOMBËTARE

nga World Ks

(Ky material kushtuar Qel Shabanit të Dushkajës, është strukturuar nga këndvështrimi i luftës dhe përpjekjeve të kohës dhe është bazuar kryekëput nga libri im “PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS”, kapitulli kushtuar Demë Ali Pozharit). Autori

E enjte, më 4 qershor 2026, pata kënaqësinë të vizitoj prof. dr. Halit Shabanin, stërnipin e Qel Shabanit nga Beci i Gjakovës, tashmë ligjërues në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Përveç mikpritjes së pashoq dhe bujarisë tradicionale të kësaj dere të njohur të Dushkajës, biseda jonë u kthye te kujtimet e shumta që lidhen me figurën e Babë Qel Shabanit dhe familjen e tij, një ndër familjet më të njohura për qëndresë kombëtare dhe antikomunizëm në Rrafshin e Dukagjinit.

Së bashku vizituam lisin e vjetër në Arën e Kavazit në Bec, një lis mbi dyqindvjeçar, pranë të cilit ruhen kujtime të dhimbshme e krenare të një kohe të trazuar. Pikërisht aty, sipas dëshmive familjare, ishte fshehur pushka e nacionalistit të njohur Demë Ali Pozhari, amanet që iu besua bijve të Qel Shabanit në vitet më të vështira të përndjekjes komuniste. Lisi është plakur, por historia që ai ruan mbetet e freskët në kujtesën e Dushkajës.

Qel Shabani ishte një ndër figurat më përfaqësuese të Lëvizjes Kaçake në Kosovë. Ai i përkiste brezit të burrave që jetën e tyre e vunë në shërbim të lirisë kombëtare, duke mos u pajtuar asnjëherë me sundimin e huaj, qoftë osman, serb apo më vonë komunist. I lindur dhe i rritur në Bec të Dushkajës, në një mjedis të njohur për tradita burrërie e atdhedashurie, ai u formësua herët në frymën e rezistencës kombëtare.

Në rrugëtimin e tij patriotik ndikim të veçantë pati Maxhun Nimani i Becit, njëri ndër burrat më të njohur të kohës për urtësi, pleqni dhe veprimtari kombëtare. Qel Shabani u bë krahu i djathtë i Maxhunit dhe mbeti pranë tij deri në fund të jetës. Nëse Maxhun Nimani njihej si burrë i odës dhe i besëlidhjeve, Qel Shabani u bë simbol i pushkës dhe i luftës së pandërprerë për liri.

Ai mori pjesë në shumë ngjarje e beteja të rëndësishme kombëtare. Luftoi në Shkup, Anamoravë, Carralevë, Shkodër, Pejë, Gjakovë, Lug të Baranit, Sanxhak e Mal të Zi. Emri i tij përmendet ndër luftëtarët që zmbrapsën forcat e Xhafer Tajarit në Lugun e Baranit, ndërsa mori pjesë edhe në luftimet e Shekullarit në Mal të Zi dhe në aksionet kundër forcave osmane në Pejë e Trakaniq.

Në korrik të vitit 1941, në Arzhanicë, ai u gjend i rrethuar bashkë me bashkëluftëtarët e tij nga forcat serbo-malazeze. Pas gjashtë orësh luftimesh të ashpra, Qel Shabani dhe shokët e tij arritën ta thyenin rrethimin dhe të shpëtonin. Në atë betejë përkrah tij luftonin Lan Selimi, Demë Ali Pozhari dhe patriotë të tjerë të njohur.

Po atë vit, ai ishte ndër luftëtarët që iu përgjigjën thirrjes për mbrojtjen e Pazarit të Ri. Krah për krah me Demë Ali Pozharin, Hasan Bajraktarin dhe shumë trima të Dukagjinit, Qel Shabani u dallua si luftëtar i sprovuar në përballjet kundër forcave serbo-malazeze.

Në korrik të vitit 1943, ai mori pjesë në aksionin e zhvilluar në Shekullar të Malit të Zi, ku vullnetarët e Demë Ali Pozharit dhe Mehmet Agë Rashkocit goditën me sukses Shtabin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare për Mal të Zi. Edhe në këtë operacion Qel Shabani ishte ndër luftëtarët kryesorë të kësaj ane.

Një kapitull i veçantë i jetës së tij lidhet me rezistencën antikomuniste. Gjatë Ngujimit të Junikut, nga 21 tetori deri më 17 nëntor 1944, Qel Shabani qëndroi pranë Demë Ali Pozharit në mbrojtjen e Junikut dhe Botushës kundër depërtimit të brigadave partizano-çetnike në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo qëndresë, e njohur në histori si “Ngujimi i Junikut”, mbetet një nga episodet më të fuqishme të kundërshtimit ndaj vendosjes së pushtetit komunist në Kosovë.

Përveç luftëtar i pushkës, Qel Shabani ishte edhe burrë i besës. Kulla e tij në Bec ishte ndër konakët më të njohur të Dushkajës. Ajo ishte e hapur për patriotët, për luftëtarët dhe për burrat që punonin për pajtimin e gjaqeve dhe bashkimin e shqiptarëve. Në atë kullë hynin e dilnin krerë të njohur të kohës, ndërsa vetë Qeli ishte pjesë e shumë nismave për pajtimin e hasmërive, me bindjen se shqiptarët duhej të ishin të bashkuar përballë armikut.

Lidhja e tij me Demë Ali Pozharin ishte më shumë se miqësi. Ata i bashkonte ideali kombëtar, qëndresa kundër pushtuesit dhe lidhjet fisnore. Në ditët më të vështira të jetës së tij ilegale, Demë Alia gjeti strehim te kulla e Qel Shabanit dhe më vonë te bijtë e tij. Amaneti i pushkës së Demë Alisë, i lënë në ruajtje te Selim Qel Shabanit para largimit të tij nga Kosova, mbeti një simbol i besimit të ndërsjellë dhe i sakrificës së kësaj familjeje.

Pas vdekjes së Qel Shabanit, familja e tij u përball me përndjekje të rënda. Regjimi komunist ushtroi dhunë, burgosje dhe tortura ndaj pasardhësve të tij, veçanërisht për shkak të lidhjeve me Demë Ali Pozharin dhe veprimtarinë nacionaliste të familjes. Megjithatë, as burgjet, as internimet dhe as dhuna e ushtruar nuk arritën ta thyenin shpirtin e kësaj dere të njohur të Dushkajës.

Figura e Qel Shabanit mbetet e lidhur ngushtë me historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë. Ai ishte burrë i pushkës dhe i odës, i luftës dhe i besës, një luftëtar që jetoi mes maleve, betejave dhe kuvendeve, duke mos u ndarë kurrë nga ideali i lirisë. Për këtë arsye, emri i tij vazhdon të përmendet me nderim jo vetëm në Bec e në Dushkajë, por në mbarë Rrafshin e Dukagjinit, si një figurë e ndritur e nacionalizmit shqiptar dhe një simbol i qëndresës kundër çdo pushtimi e nënshtrimi.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment