Home » Shefqet Dibrani : DROMCA NGA PRISHTINA

Shefqet Dibrani : DROMCA NGA PRISHTINA

nga World Ks

Prishtinë, 2 shtator 2026

Nga takimi me tezakun tim, prof. dr. Ilir Islamin

Sot u takova me tezakun tim, prof. dr. Ilir Islamin, me të cilin kemi kaluar bashkë një pjesë të bukur të fëmijërisë dhe të rinisë tonë. Takimi me Ilirin gjithnjë më rikthen te kujtimet e hershme familjare, te vitet e fëmijërisë sonë dhe te njerëzit tanë më të dashur që tashmë nuk janë më në mesin tonë.

Gjithmonë kam shkuar me gëzim te tezja ime, Azize, e cila më ka dashur dhe respektuar tej mase. Edhe burri i saj, Ahmet Islami, ka qenë një zotëri i veçantë, ndërsa kushërirat e mia, tri motrat e Ilirit, kanë qenë gjithmonë të dashura, të sjellshme dhe të afërta me mua.

Edhe pse rruga nga vendlindja ime deri në fshatin Dumnicë e Epërme ishte mjaft e gjatë dhe jo gjithmonë e lehtë, sa herë që nëna më merrte për të shkuar atje, unë fluturoja nga gëzimi. Po aq të lumtur ishim edhe kur ata vinin për vizitë tek ne. Në vitet e shtatëdhjeta nuk kishim telefona për të komunikuar, madje fshati ynë nuk kishte as energji elektrike. Kështu, lidhja jonë mbahej gjallë përmes vizitave, lojërave të shumta të fëmijërisë dhe, më vonë, edhe përmes lektyrave shkollore, të cilat i lexonim dhe i diskutonim bashkë me Ilirin.

Pas vitit 1984, kur unë emigrova në Zvicër, sa herë që kam ardhur për pushime në Kosovë, nga farefisi im, Iliri ishte pothuajse i vetmi me të cilin jam takuar gati vazhdimisht. Kjo afri e veçantë, e krijuar që në fëmijëri, ka vazhduar të ruhet ndër vite, pavarësisht largësisë dhe detyrimeve të jetës.

Ndërkohë, Iliri përfundoi Fakultetin Juridik, vazhdoi studimet në nivelin master dhe doktoraturë dhe ndërtoi një karrierë të suksesshme profesionale. Prej kohësh punon si zyrtar për çështje ligjore në Administratën Tatimore të Kosovës, ndërsa në të njëjten kohë është edhe mësimdhënës universitar. Është autor i disa librave profesionalë dhe, si pjesëtar i familjes, më bën të ndihem veçanërisht krenar për rrugën e tij të arsimimit, punës dhe përkushtimit.

Ndeja me të si përher ëdhtë e këndshme. Në bisedat tona sollëm ndër mend shumë kujtime të hershme, biseduam për prindërit tanë të ndjerë dhe e kujtuam me mall edhe vëllain tim, Naserin. Bisedat e tilla, kanë një vlerë të veçantë, sepse na rikthyen për pak çaste te njerëzit dhe koha që kanë lënë gjurmë në jetën tonë.

Në këtë takim patëm fatin ta kishim pranë edhe mbesën time, Vlorë Gashin, e cila na e bëri këtë fotografi si kujtim të një rasti kaq të veçantë, të këtij takimi të ngrohtë dhe familjar. Bile ajo ma zuri mua edhe cigaren në dorë, të cilën e kam ndezur fshehurazi vetëm kur jam takuar me Ilirin në kohën e rinisë sonë diku në vitet e shtatëdhjeta.

Natyrisht, gjatë bisedës prof. dr. Ilir Islami më tregoi edhe për peripecitë e shumta të jetës, të punës dhe të shëndetit, me të cilat është përballur ndërmjet takimeve tona, të cilat, për shkak të rrethanave dhe largësisë, nuk kam qenë gjithmonë në rrjedhë të ngjarjeve të ndodhura.

U ndamë me premtimin se do të takohemi përseri shumë shpejt, kësaj radhe për një ndejë më të gjatë, për biseda të radhes dhe, natyrisht, për një kafe a raki tjetër të rastit.

Faleminderit, kushëri i dashur, Ilir!

Suksesi yt më bën mua shumë krenar.

Respekt dhe mirënjohje për ty!

Me nderime!

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment