Home » Shefqet Dibrani : KUJTIMET E MËSUESIT IDRIZ JANË AMANET DHE DËSHMI

Shefqet Dibrani : KUJTIMET E MËSUESIT IDRIZ JANË AMANET DHE DËSHMI

nga World Ks

Vitrina e librit

KUJTIMET E MËSUESIT IDRIZ JANË AMANET DHE DËSHMI

Idriz (Ibrahim) Shabani, “GËRDOCI NË KUJTIMET E MIA”, botoi DritaPress, Prishtinë, 2026. Libri ka 152 faqe dhe ISBN 978-9951-825-79-5.

Shtëpia Botuese “DritaPress” ka sjellë para lexuesit librin e mësuesit veteran Idriz (Ibrahim) Shabani, “GËRDOCI NË KUJTIMET E MIA”, një monografi në miniaturë për fshatin e tij të lindjes, Gërdocin e Llapit. Ky libër, bashkë me veprën tjetër të autorit, “SI TA PËRTËRIJMË JETËN”, botohet në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së mësuesit të parë të fshatit Gërdoc, Idriz Ibrahim Shabani, i cili sot mbetet banori më i moshuar dhe një ndër figurat më të respektuara të këtij fshati.

Librit i paraprinë shënimi i redaktorit Sulejman Dërmaku, “KALEIDOSKOP PERIUDHASH TË NDRYSHME HISTORIKE”, ndërsa përgatitjen e tij e ka bërë Shefqet Dibrani, autor edhe i parathënies “KUJTIMET E NJË MËSUESI VETERAN”. Recensent i librit është artisti i njohur Ilir Prapashtica, ligjërues në UTB në Degën e Aktrimit, i cili me shënimin e tij “MIQËSIA QË MË BËNË KRENAR”, së bashku me disa shkrime të tjera, e pasuron më tej këtë botim të veçantë.

“GËRDOCI NË KUJTIMET E MIA” është libri i parë i këtij lloji që i kushtohet fshatit Gërdoc të komunës së Besianës. Ndonëse vepra ruan frymën e kujtimeve personale, ajo tejkalon kufijtë e një rrëfimi intim, duke sjellë të dhëna dhe dëshmi nga jeta shoqërore, arsimore, kulturore e historike e kohëve të ndryshme. Në këtë mënyrë, libri shndërrohet në një dëshmi të gjallë për brezat, duke e bërë emrin dhe kontributin e Mësuesit Idriz të jetojë edhe përtej përvjetorëve të lindjes dhe kohës së tij.

Vlen të theksohet se mësuesi Idriz Shabani ka lindur më 7 nëntor 1936, në fshatin Gërdoc të Komunës së Podujevës. Sivjet ai mbush nëntëdhjetë vjet jetë – Një jetë të tërë të lidhur me arsimin, dijen dhe shërbimin ndaj njerëzve. Ai ishte mësuesi dhe intelektuali i parë i këtij fshati, një figurë që mbolli dritë në kohë të vështira dhe që edukoi breza të tërë me dashuri për shkollën dhe atdheun. Edhe pse që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX ai jeton në Podujevë, zemra dhe kujtesa e tij kanë mbetur të lidhura për gjithmonë me vendlindjen.

Ky libër me kujtime përmbush një boshllëk të madh dokumentues e shpirtëror për Gërdocin dhe njerëzit e tij. Ai është një amanet kujtese për brezat që vijnë, por njëkohësisht edhe një thirrje që autorë të tjerë të vazhdojnë të shkruajnë e të dokumentojnë historinë, jetën dhe rrugëtimin e këtij fshati me të dhëna sa më të plota e të sakta.

Botimi i kësaj vepre u bë i mundur në kuadër të jubileut të 90-vjetorit të lindjes së autorit, falë përkrahjes së kushërinjve të tij: Nazmiut, Shemsiut, Shaipit, Beqirit, Ujupit dhe Fehmiut. Me këtë rast, Mësuesi ynë Idriz Shabani realizoi një nga ëndrrat e tij më të kahershme – botimin e këtyre dy veprave, të cilat u botuan nga “DritaPress”, me pronar Naser Vitija.

Dorëzimi i kopjes së parë të librit për autorin ishte një çast thellësisht emocional, një moment kur kujtimet e një jete të tërë u shndërruan në faqe libri, për të mbetur përgjithmonë si dëshmi e kujtesë dhe një nderim i veçantë për një mësues që ia kushtoi tërë jetën e tij, dijes, njerëzve dhe vendlindjes së tij – Fshatit Gërdoc i Llapit.

Prishtinë, 12 maj 2026

Sh. Dibrani

Shiko më pak

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment