Kurti Vendosë lule të freskëta në përkujtim të betejës së ashpër me forcat serbe, ku ra heroikisht Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci”, Zona Operative e Drenicës. Nderuam kujtimin e 42 dëshmorëve të rënë në mbrojtje të civilëve në Shtuticë, Verboc, Baks, Gllobar e fshatra përreth, ku ishin grumbulluar rreth gjashtë mijë shqiptarë nga komuna e Drenasit dhe Skenderajit.
Bashkë me familjarë të martirëve e dëshmorëve, përkujtuan 276 shqiptarët e vrarë në fshatrat Gllobar, Verboc, Shtuticë e Baks ku më 30 prill të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakra kundër popullsisë civile.
Me deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bënë homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të Qirezit dhe Likoshanit, dhe te lapidarët e dëshmorëve.
Në Qirez vizituam xhaminë e shkatërruar, ku forcat serbe kishin burgosur dhe torturuar rreth 200 shqiptarë të pafajshëm.
Harta e vuajtjes, e sakrificës dhe e qëndresës së popullit tonë është e gdhendur anekënd Kosovës. Në çdo cep të vendit ka rrëfime të dhembshme e të lavdishme për ata që ranë që ne të jetojmë të lirë.
E përjetshme është kujtesa e sakrificës së madhe për liri.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit! Lavdi!







