18
Një ditë do të flasë
Një ditë do të flasë për dhimbjet,
për fjalët që kurrë s’i thashë,
për ato ditë me erë e shi,
për lotët që brenda i mbajta e s’i lashë.
Do të flasë për forcën që pata,
për plagët që mbulova në heshtje,
për rrugët e gjata, të vështira,
ku ecja me dhimbje e buzëqeshje.
Do të flasë, por pa zë,
se zëri im u tret në vetmi,
unë do të hesht, siç heshta gjithmonë,
e për mua do të flasë kjo poezi.
