Aktakuza e ngritur ndaj Milan Radoiçiqit për krime lufte ndaj 20 personave në Gjakovë ka rikthyer në vëmendje jo vetëm të kaluarën e tij, por edhe raportet që ai ka pasur me institucionet politike të Kosovës.
Pavarësisht akuzave dhe rolit të tij të njohur në strukturat e Listës Serbe, Radoiçiq ka qenë pjesë e rëndësishme e zhvillimeve politike në veri dhe ka pasur ndikim në raportet mes partive politike të Kosovës dhe përfaqësuesve serbë.
Në të kaluarën, qeveritë e udhëhequra nga PDK, LDK dhe AAK kanë bashkëpunuar politikisht me Listën Serbe, në periudha kur Radoiçiq konsiderohej një prej figurave më me ndikim në këtë subjekt. Kjo ngre pikëpyetje serioze se sa i rrezikshëm ka qenë ky bashkëpunim për sigurinë institucionale dhe atë kombëtare të Kosovës.
Për më tepër, mbetet çështje diskutimi nëse ndikimi dhe rrjetet e krijuara nga Radoiçiq vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë e Kosovës, edhe pas largimit të tij nga skena politike publike.
A ka qenë Kosova e ekspozuar ndaj një rreziku të sigurisë duke bashkëpunuar politikisht me një person që sot përballet me akuza për krime lufte?
Ish-luftëtari kërkon hetim të plotë për të gjithë personat e dyshuar për krime lufte dhe zbardhjen e çdo bashkëpunimi eventual politik me Milan Radoiçiqin
Ngritjen e aktakuzës për krime lufte ndaj Milan Radoiçiqit, Saim Tahiraj e konsideron një zhvillim të mirëpritur, duke kërkuar që drejtësia të shkojë deri në fund dhe të mos kufizohet vetëm te një person.
“Për një njeri të dyshuar për krime të rënda ndaj shqiptarëve, vendi duhet të jetë para drejtësisë dhe, nëse fajësia vërtetohet, dënimi duhet të jetë i merituar”, ka deklaruar Tahiraj për “Bota sot”.
Sipas tij, përgjegjësia nuk duhet të ndalet vetëm te Radoiçiqi, por duhet të shtrihet te të gjithë ata që mund të kenë kryer ose mbështetur krime ndaj shqiptarëve.
“Drejtësia nuk duhet të ndalet vetëm te Radojçiqi. Të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullit shqiptar duhet të përballen me drejtësinë, pavarësisht se ku janë, çfarë funksioni kanë pasur apo kë kanë pasur pas vetes”, është shprehur ai.
Tahiraj kërkon që hetimet të zbardhin edhe përgjegjësinë e strukturave që mund të kenë qëndruar prapa krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ai thotë se, nëse gjykatat dhe hetimet vërtetojnë përfshirjen apo mbështetjen e strukturave shtetërore serbe, edhe kjo përgjegjësi duhet të trajtohet pa kompromis.
“Nëse hetimet dhe gjykatat vërtetojnë përfshirjen apo mbështetjen e strukturave shtetërore serbe në krimet e kryera në Kosovë, atëherë edhe kjo përgjegjësi duhet të trajtohet në mënyrë të plotë dhe pa asnjë kompromis”, ka thënë Tahiraj.
Duke folur për raportet e mundshme mes politikës kosovare dhe personave të dyshuar për krime lufte, Tahiraj kërkon që çdo bashkëpunim eventual të hetohet dhe të mos ketë mburojë politike për askënd.
“Nëse gjatë hetimeve dalin prova se ndonjë politikan, cilitdo subjekt politik qoftë, ka bashkëpunuar me Radojçiqin apo me struktura të lidhura me të, atëherë nuk duhet të ketë mburojë politike. Kushdo qoftë ai apo ajo duhet të japë llogari para drejtësisë”, është shprehur ai.
Sipas Tahirajt, nuk mund të ketë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për krimet e luftës dhe përgjegjësinë ndaj viktimave.
“Nuk mund të ketë standard të dyfishtë: njëra anë të flasim për viktimat e luftës dhe sakrificën e popullit shqiptar, ndërsa në anën tjetër të mbyllim sytë para bashkëpunimeve eventuale me njerëz të dyshuar për krime ndaj këtij populli”, ka deklaruar ai.
Ai thekson se, nëse do të vërtetohej se pushteti është keqpërdorur për bashkëpunime me persona të dyshuar për krime lufte, kjo do të përbënte shkelje të rëndë të besimit qytetar.
“Prandaj, le t’i lëmë hetimet dhe drejtësinë të flasin me prova. Nuk duhet të dënohet askush vetëm mbi bazën e akuzave politike, por nuk duhet të mbrohet askush kur drejtësia sjell prova dhe vendime të formës së prerë”, ka thënë Tahiraj.
Në fund, ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të zbardhë të gjitha lidhjet dhe përgjegjësitë eventuale.
“Pres që ky proces të zbardhë të gjitha lidhjet, bashkëpunimet dhe përgjegjësitë eventuale. Krimet e luftës nuk kanë afat politik. Viktimat kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë”, ka përfunduar Tahiraj.
Bexheti thotë se ndikimi i Radoiçiqit në politikën e Kosovës nuk duhet të shihet vetëm si çështje e së kaluarës
ImageNexhat BexhetiFoto galeri
Kurse, ngritjen e aktakuzës ndaj Milan Radoiçiqit, Nexhat Bexheti e konsideron një veprim të vonuar të drejtësisë, duke pretenduar se ndaj tij kishte pasur akuza edhe vite më parë, të cilat, sipas tij, nuk ishin proceduar.
“Aktakuza ndaj Radoiçiqit është e vonuar, pasi akuza kundër tij ka pasur edhe disa vite më herët, por nuk janë proceduar. Unë aludoj se pushteti i Qeverisë Haradinaj i ka futur nën tepih”, ka deklaruar Bexheti për “Bota sot”.
Sipas tij, mosveprimi institucional ndaj Radoiçiqit i kishte krijuar këtij të fundit hapësirë për të vepruar me një ndjenjë të paprekshmërisë dhe për të ushtruar ndikim të madh në veriun e Kosovës.
“Me këtë veprim, Radoiçiqit i është mundësuar që të sillet në mënyrë indolente dhe duke i injoruar ligjet e Kosovës, ashtu që ai ndihej si ‘baba’ i qytetarëve serbë të Kosovës veriore”, është shprehur ai.
Bexheti i referohet edhe deklarimeve të ish-deputetes serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, e cila në të kaluarën ka folur për ndikimin që, sipas saj, Radoiçiq kishte në strukturat politike dhe institucionale serbe në veri të Kosovës.
“Edhe një pjesë e politikanëve serbë nuk kanë qenë të kënaqur me Radojçiqin, sepse kanë qenë nën presionin e tij politik. Rada Trajkoviq ka deklaruar se ish-kryetarët e qyteteve serbe në Kosovë i ishin ankuar asaj se Radoiçiqi ishte ai që merrte të gjitha vendimet”, ka thënë Bexheti.
Ai përmend gjithashtu pretendimet e Trajkoviqit se Radoiçiq kishte një zyrë jozyrtare në një restorant në Mitrovicën e Veriut, prej nga, sipas saj, jepte urdhra dhe ndikonte në emërimet e ministrave serbë, drejtuesve të policisë dhe gjyqtarëve serbë në Kosovë.
“Trajkoviq kishte deklaruar se Radoiçiqi zgjidhte emrat e ministrave të ardhshëm serbë në Kosovë, shefat e policisë në veri dhe gjyqtarët serbë. Këto janë deklarime që tregojnë se ndikimi i tij politik nuk ishte i vogël”, ka deklaruar Bexheti.
Ai thotë se raportet e Radoiçiqit me figurat politike në Kosovë nuk kufizoheshin vetëm te Ramush Haradinaj. Sipas Bexhetit, ai kishte pasur marrëdhënie edhe me ish-presidentin Behgjet Pacolli, veçanërisht në aspektin afarist.
“Përveç marrëdhënieve me njerëz të pushtetit, Radojçiqi ka pasur marrëdhënie edhe me ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli. Bashkëpunimi, sipas të dhënave që janë publikuar, është zhvilluar edhe në sferën afariste”, ka thënë ai.
Bexheti i referohet edhe një fotografie të publikuar në tetor të vitit 2019 nga KRIK, ku shfaqeshin Behgjet Pacolli, Milan Radoiçiq, Goran Rakiq dhe persona të tjerë. Sipas tij, fotografia lidhej me një takim të zhvilluar në vitin 2017, në kohën kur AKR ishte pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
“Në tetor të vitit 2019, KRIK kishte publikuar një fotografi ku shihej Behgjet Pacolli në takim me Milan Radoiçiqin, Goran Rakiqin dhe të tjerë. Takimi, sipas KRIK-ut, kishte ndodhur në verën e vitit 2017”, ka deklaruar Bexheti.
Sipas tij, të gjitha këto zhvillime duhet të shërbejnë si bazë për një hetim më të gjerë mbi ndikimin që Radoiçiq dhe njerëzit e lidhur me të mund të kenë pasur në institucionet dhe politikën e Kosovës.
“Pasqyrime të tilla na japin një fotografi të qartë se Radoiçiq mund të ketë ende ndikim në Kosovë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij ndoshta akoma janë aktivë në përkeqësimin e situatës politike. Efektet negative të kësaj mund të shihen edhe sot”, është shprehur Bexheti.
Ai e konsideron rrezikun të pranishëm dhe kërkon angazhim më të madh të institucioneve të sigurisë.
“Rreziku është evident. Policia e Kosovës duhet të gjurmojë dhe të zbulojë personat të cilët fshehurazi veprojnë në dëm të qytetarëve kosovarë”, ka thënë Bexheti.
Në fund, ai kërkon që hetimet të shtrihen edhe te personat që kanë pasur bashkëpunim me Radoiçiqin, duke përmendur në këtë kontekst edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
“Roli i dëmshëm që Radoiçiqi ka pasur duhet të jetë pikënisje për hetimin edhe të personave që kanë bashkëpunuar me të. Nëse ka prova për bashkëpunim të kundërligjshëm, ato duhet të hetohen për të zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tjerë që mund të veprojnë fshehurazi për ta dëmtuar Kosovën dhe për ta komprometuar atë në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Bexheti.
