Home » Dokumenti “Top Sekret” në telefonin e Shehollit: Me para të ambasadave islamike në Beograd të ndërtohen xhami nëpër Kosovë

Dokumenti “Top Sekret” në telefonin e Shehollit: Me para të ambasadave islamike në Beograd të ndërtohen xhami nëpër Kosovë

nga World Ks

Një dokument i cilësuar si “Top Sekret 2”, i gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, është një nga provat e përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, përmes së cilës pretendohet se synohej zgjerimi i ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe destabilizimi i vendit, raporton Kallxo.com.

Sipas aktakuzës, më 5 gusht 2025, Sheholli ia kishte dërguar personit Viktor Makedonija dokumentin, i cili në prapavijë mbante shënimin “CONFIDENTIAL”. Prokuroria pretendon se dokumenti paraqet një plan politik dhe strategjik të fshehtë, ku përfshihen edhe figura me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.

Në bazë të përmbajtjes së dokumentit, sipas Prokurorisë, plani synonte krijimin e një atmosfere në të cilën Kosova do të perceptohej si shtet i radikalizuar dhe ekstremist, duke dëmtuar pozitën e saj ndërkombëtare dhe duke ndikuar në qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj saj.

Dokumenti, sipas aktakuzës, përshkruan një strategji afatgjatë që përfshin financimin dhe ndërtimin e xhamive, zgjerimin e shkollave fetare dhe angazhimin e rrjeteve të personave nga Kosova dhe rajoni. Në të pretendohet gjithashtu se do të synohej përfshirja e personave me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë, si dhe krijimi i ndikimit në komunitetet shqiptare jashtë Kosovës.

Një nga pretendimet më të rënda të përshkruara në dokument është krijimi i një atmosfere që do të nxiste largimin e të rinjve nga Kosova dhe, paralelisht, forcimin e identifikimit të një pjese të shoqërisë me fenë islame. Në dokument përdoret edhe një parashikim ekstrem se, pas 20 vjetësh, Kosova do të dukej “si Kandahar”.

Sipas Prokurorisë, qëllimi përfundimtar i këtij skenari do të ishte krijimi i një perceptimi ndërkombëtar se Kosova është një shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, çka sipas pretendimeve të aktakuzës, do të mund të ndikonte në ndryshimin e qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe në kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.

Në aktakuzë thuhet se dokumenti është gjetur në telefonin e sekuestruar nga Sheholli. Raporti informues i Policisë së Kosovës, i datës 31 mars 2026, përmendet si Prova 17. Sipas këtij raporti, gjatë analizimit të 20 mijë e 914 fotografive dhe imazheve të ruajtura, është identifikuar edhe fotografia me mbishkrimin “Top sekret 2” dhe tekstin në gjuhën serbe.

Prokuroria pretendon se përmbajtja e këtij dokumenti, e parë në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, është relevante për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment