Home » Shefqet Dibrani : LAMTUMIRË MIK (Kushtuar mikut Hafiz GAGICA)

Shefqet Dibrani : LAMTUMIRË MIK (Kushtuar mikut Hafiz GAGICA)

nga World Ks

LAMTUMIRË MIK

(Kushtuar mikut Hafiz GAGICA)

Sot,

Prishtina jonë është zgjuar më rëndë,

me një heshtje që ecën ngadalë

nëpër rrugët e lodhura të kujtesës

me plagë e dhembje bart birin e saj.

Sot, mik i dashur,

do të të përcjellim për në banesën e fundit,

këtu afër në Lagjen Arbëria

do të mbulojmë me flamurin në zemër

dhe me dhimbjen që nuk di të flasë

me gjëmen e familjes dhe e shokëve që të vijnë pas.

Ti po ikë i qetë,

siç iknin burrat që e kanë kryer amanetin,

pa kërkuar pozitë udhëheqëse,

pa ngritur zërin për veten tënde.

Por emri yt mbeti ushtimë

nëpër udhëtime të gjata mërgimi,

nëpër dyer kancelarish të huaja,

aty ku Kosova trokiste

me shpresë e me plagë

ti krijove aleanca strategjike.

Hafiz,

ti ishe ndër ata njerëz

që e deshën atdheun në heshtje,

me punë,

me përkushtim,

me net pa gjumë

dhe me zemër të ndezur

për lirinë e Kosovës.

Sot,

kur miqtë e tu mblidhen rreth arkivolit tënd,

secili mban brenda vetes

nga një kujtim tëndin:

një fjalë besimi,

një dorë të shtrirë,

një kurajë që nuk u shua kurrë.

Kosova i mban mend bijtë e saj, Hafiz.

Edhe kur hesht.

Edhe kur vonohet.

Edhe kur padrejtësisht harron.

Por dheu e njeh hapin

e bijëve të vet

që ecën një jetë

vetëm drejt për të.

Prandaj sot,

kur të zbresësh në tokën që e deshe aq shumë,

mos e ndjej vetminë e varrit.

Do të jenë me ty

lutjet e nënave,

malli i mërgimtarëve,

dhimbja e miqve

dhe mirënjohja e një populli

që ende jeton mbi sakrificat e burrave si ti.

Lamtumirë mik!

Prehu i qetë

në Dheun e Kosovës,

Amen!…

Priashtinë, 29 maj 2026

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment