Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, mirëpriti në takim Shefen e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, me ç’rast u zyrtarizua bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Obiliqit dhe UNICEF-it në Kosovë përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit (MoU).
Në takim morën pjesë edhe Drejtoresha e Shëndetësisë, Albertina Dedinca, Drejtoresha e Arsimit, Sevdije Berisha Krasniqi, si dhe Behar Gashi.
Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit dhe realizimin e iniciativave të përbashkëta në interes të qytetarëve, me fokus të veçantë tek fëmijët dhe të rinjtë. Ajo krijon bazën për zhvillimin e aktiviteteve konkrete gjatë periudhës së ardhshme dyvjeçare, ndërsa palët do të hartojnë edhe një Plan të Përbashkët të Punës, ku do të përcaktohen aktivitetet dhe prioritetet e bashkëpunimit.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të mundësive dhe shërbimeve më të mira për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetin e Obiliqit.
Komuna e Obiliqit mbetet e përkushtuar në forcimin e partneriteteve me organizatat ndërkombëtare dhe institucionet relevante, në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.
