VIZITË MIQËSORE TE MILAIMI NË GJILAN
Gjilan, 30 qershor 2026
Dita e fundit e muajit qershor solli një takim të veçantë, përplot me kujtime, miqësi dhe emocione të sinqerta. Së bashku me miqtë e mi, profesorin Sadik Rrustemi dhe juristin Ruzhdi Basha, udhëtuam për në Gjilan, ku na priste miku ynë i kahershëm, Milaim Vokshi.
Takimi u zhvillua në ambientet elegante të resortit “ASTORIA Luxury & Spa Hotel”, në Rrugën e Ferizajt, ku Milaimi, së bashku me kushëririn e tij Ganimet Vokshi, na rezervuan një pritje të ngrohtë, fisnike dhe plot respekt. Mikpritja e tyre ishte shprehje e virtyteve tradicionale shqiptare që i posedon Milaimi, të cilat edhe pas shumë vitesh të ndar e larguar, vazhdojnë të mbeten një vlerë e çmuar e shoqërisë sonë.
Milaim Vokshi njihet prej kohësh si veprimtar i palodhur, atdhetar i përkushtuar dhe sipërmarrës i suksesshëm në vendin ku jeton e vepron. Ai kishte ardhur në Kosovë për pushime së bashku me bashkëshorten e tij dhe ne e shfrytëzuam këtë rast të bukur për ta vizituar, sidomos pas sfidave dhe peripecive shëndetësore që kishte kaluar gjatë viteve të fundit. Gëzimi ynë ishte edhe më i madh kur e pamë në gjendje të mirë shëndetësore, me të njëjtin optimizëm dhe shpirt të fortë që e ka karakterizuar gjithmonë.
Biseda jonë mori shpejt rrugën e kujtimeve. Rikthyem në kujtesë vitet e angazhimit të përbashkët në Zvicër, periudhë në të cilën u zhvilluan shumë veprimtari politike, kombëtare dhe kulturore në shërbim të çështjes së Kosovës. Si mik dhe bashkëveprimtar i tij, pata kënaqësinë të rikujtoj disa nga ato ngjarje, duke vënë në pah kontributin e drejtpërdrejtë dhe të pazëvendësueshëm të Milaim Vokshit. Përkushtimi, gatishmëria dhe mbështetja e tij ishin ndër shtyllat që i dhanë forcë organizimit dhe veprimtarisë së shumtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në mërgatë. Pa ndihmën dhe angazhimin e tij të sinqertë, shumë nisma e aktivitete në Kantonin St. Gallen dhe përreth, nuk do ta kishin arritur jehonën dhe përmasat që morën në atë kohë.
Natyrisht, përveç kujtimeve serioze, nuk munguan as batutat, humori dhe rrëfimet plot nostalgji, të cilat i dhanë takimit një sharm si dhe atmosferë të çiltër e miqësore. Siç ndodh rëndom në ndejat shqiptare, biseda u ndal edhe te zhvillimet politike dhe shoqërore të ditës, duke shkëmbyer mendime e vlerësime mbi aktualitetin dhe sfidat që po kalon Kosova.
Në shenjë respekti dhe miqësie, Milaim Vokshi shtroi një darkë të pasur e të shijshme, gjatë së cilës bisedat vazhduan në një frymë mirëkuptimi, respekti dhe dashamirësie të ndërsjellë. Profesori Sadik Rrustemi, juristi Ruzhdi Basha dhe Ganimet Vokshi, me kulturën, humorin dhe kujtimet e tyre, e pasuruan edhe më tej këtë mbrëmje, duke e bërë atë të paharrueshme. Në fund, realizuam edhe disa fotografi kujtimi, si dëshmi e një takimi që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë, dhe njërën nga to po e përdor për ilustrim të këtij reportazhi.
Edhe një herë shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mikun dhe bashkëveprimtarin Milaim Vokshi, për mikpritjen e ngrohtë, bujarinë dhe respektin që na dëshmoi. Njëkohësisht, në emër edhe të profesor Sadik Rrustemit dhe juristit Ruzhdi Basha, i urojmë shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në familje, në veprimtarinë e tij dhe në çdo angazhim që e pret në të ardhmen.
Miqësitë e ndërtuara mbi idealet, sakrificat dhe respektin e ndërsjellë janë pasuri që nuk i zbeh koha. Përkundrazi, ato forcohen me çdo takim dhe mbeten dëshmi e vlerave më të mira njerëzore e kombëtare.
