Home » Shefqet Dibrani : FJALIM LAMTUMIRËS PRANË VARRIT TË HAFIZ GAGICËS

Shefqet Dibrani : FJALIM LAMTUMIRËS PRANË VARRIT TË HAFIZ GAGICËS

nga World Ks

FJALIM LAMTUMIRËS

PRANË VARRIT TË HAFIZ GAGICËS

(06.11.1959 – 27.05.2026)

Të dashur familjar,

miq dhe bashkëveprimtar

Sot, po ia themi lamtumirën e fundit mikut, veprimtarit të palodhur dhe burrit të madh të Kosovës dhe çështjes kombëtare, Hafiz Gagicës.

Në këto çaste është e vështirë të gjesh fjalë kur ikin njerëzit që një jetë të tërë ia kushtuan Kosovës, pa bujë, pa zhurmë dhe pa kërkuar privilegje për vete.

Hafiz Gagica ishte njëri nga ata burra që nuk jetoi vetëm për kohën e vet, por bëri historinë. Ai ishte ndër shtyllat më të forta të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve në diasporë, në vitet e nëntëdhjeta, që praktikisht ishin vitet më të rënda dhe më vendimtare për fatin e Kosovës.

Në kohën kur populli ynë kishte më së shumti nevojë për zë, u bëre ti zëri i Kosovës miku jonë Hafiz, dhe ishe mbështetja kryesore e saj.

Hafizi, natë e ditë ishte në shërbim të kauzës kombëtare për të kërkuar mbështetje dhe për të bërë aleatë. Ti ishe i pari, prej të parëve! Me urtësi, guxim dhe vizion, i themelove Degët e LDK-së në Diasporë, dhe në kuadër të saj, Ti arrite t’i mobilizosh shqiptarët në Evropë dhe Amerikë si kurrë më parë, duke krijuar ura besimi me kancelaritë perëndimore dhe aleanca strategjike me miqtë e Kosovës.

Ti bëre shumë për Kosovën, andaj të qofshim falë!

Hafiz Gagica, ishe Njeriu më i përkushtuar dhe më i heshturi që njoha unë, dhe me ndikim të jashtëzakonshëm.

Miqë të dashur

Hafizi Ynë, nuk punoi për lavdi personale. As nuk krekosej për sukseset, por punoi me përkushtim për Kosovën.

Shumë procese të mëdha historike mbajnë edhe gjurmën e kontributit të tij: Organizimi Demokratik i Diasporës, Organizimi i Grupeve të para Ushtarake, Organizimi i Financave për Kosovë, janë atribute tuaja Hafiz Gagica.

Pastaj ti bëre afirmimin e çështjes së Kosovës në botën demokratike, bëre lidhje me aleatët ndërkombëtarë dhe me angazhimet tuaja të pandërprera në kohën kur vendi ynë po kalonte nëpër sfidat më të mëdha, Ti ishe zëri i Kosovës në botë.

Pa dyshim, Hafiz Gagica, ti ishte Njeri i besimit, i përgjegjësisë dhe i fjalës së dhënë.

Përveçse veprimtar i madh, ti ishe mik. Dhe miqtë si Hafizi nuk harrohen kurrë. Ti do të mbetesh në kujtesën tonë për fisnikërinë, për përkushtimin dhe për mënyrën se si dite t’i jepje forcë dhe energji gjithë diasporës edhe në ditët më të vështira.

Sot, kur po ndahem nga Ju, ndjejmë jo vetëm dhimbjen për humbjen e një familjari, një miku, dhe atdhetari, por e ndjejmë edhe boshllëkun që lënë njerëzit e mëdhenj pas vetes. Sepse Hafiz Gagica ishte nga ajo gjeneratë burrash që e deshën Kosovën dhe u sakrifikuan për të, dhe të vërtetën e saj.

Lamtumirë miku im i dashur!

Kontributi yt nuk do të shuhet dhe emri yt do të mbetet pjesë e historisë sonë më të dhimbshme dhe njëkohësisht më krenare.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës që e deshe aq shumë!

Me respekt dhe dhembje të thellë, familja, miqtë dhe bashkëveprimtarët tuaj ardhur nga Evropa, Amerika dhe hapësira shqiptare.

Lamtumirë, lamtumirë o i Madhi Hafiz!…

Prishtinë, 29 maj 2026

Shefqet Dibrani

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment