Në manifestimin letrar “MUZA E AGIMIT”, Zhegër, 02 maj 2026.
RRËFIMI I VONUAR
(Letër e pambaruar për Agim Ramadanin)
I.
Agim,
po të shkruaj sërish…
po të flas nga kjo anë e heshtjes,
nga kjo anë ku fjala më është bërë plagë,
ku premtimi më rëndon më shumë se sa dheu
që të mbulon Ty atje në Koshare.
Nuk po mundem, Agim…
Tashmë erdh pranvera e radhës
E unë, nuk të erdha as sivjet me këngën e premtuar.
Sepse fjala që ta dhashë më është bërë plagë,
dhe kjo plagë nuk mbyllet as me kohën,
as me harresën,
as me lutjen.
E di Agim…
Ti më pate kërkuar këngë.
E unë kur të premtova poezinë,
nuk bëra gabim.
E kam thënë edhe më parë,
por sot po e them më rëndë,
më thellë, as kjo poemë nuk të mjafton?!
Po kënga është për të gjallët, Agim,
për dasma, për lindje, për hare të shpërndarë në ajër,
jo për krismat që mbeten në eshtra,
jo për plagët që nuk i mbyll asnjë pranverë.
Po Kënga yte Agim është Liria…
Prandaj por rikthehem me këto fjalë lirike,
me këtë poemë që s’di ta këndojë,
po di të qajë, të këlthas,
po di edhe të rrëfejë për mallin tim.
sikur të të rrëfejë për herë të parë
para Zotit
dhe para frymës sate
para teje Agim, i agimeve të mia
Ty që je bërë njësh
me tokën e Kosovës
atje në Koshare.
Zhegër, 02 maj 2026
Shefqet Dibrani
Videon: Klejda PLANGARICA, të cilën e falënderojë!
