Home » Albin Kurti : Sot është 36-vjetori i rënies heroike të dëshmores së kombit, Elfete Humolli.

Albin Kurti : Sot është 36-vjetori i rënies heroike të dëshmores së kombit, Elfete Humolli.

nga World Ks

Sot është 36-vjetori i rënies heroike të dëshmores së kombit, Elfete Humolli. Dy javë pa i mbushur 17 vjet, ajo u vra nga plumbat e policisë armike të Serbisë, e cila po e shuante me gjak demonstratën e popullit në Lupç të Poshtëm. Si nxënëse e Shkollës Ekonomike, kishte dalë në demonstrata për Republikën e Kosovës, për mbrojtjen e popullit dhe kundër okupimit serb. Elfetja, sikurse edhe shumë nxënës të tjerë, ishte në ballë të qëndresës e rezistencës, e cila i parapriu kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare të bartur e udhëhequr nga UÇK-ja.

Fjalët e fundit që thuhet se kanë dalë nga goja e Elfetes ishin: “Ku është Mentori? A ka shpëtuar?”. Vetë ishte 16-vjeçare në demonstratë, por brengën më të madhe e kishte për vëllain e saj 13-vjeçar. Nëntë vjet më pas, në 21 maj 1999, Mentori bie dëshmor në Koshare si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Elfete dhe Mentor Humolli, vëlla e motër, janë simbol i sakrificës dhe flijimit të njerëzve të këtij vendi, të cilët me qëndrueshmërinë e tyre ndodhen në rrënjët e lirisë dhe themelet e shtetit tonë, si dhe të aspiratave tona për përparim shtetëror dhe kombëtar.

Lavdi Elfete Humollit, lavdi Mentor Humollit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment