31
Nga shekuj të harruar, je nisur për tek unë,
Hero zemre!
Në një epokë që ka gjithçka veç zemrës,
Emocione që ndizen e shuhen
Me një komandë në databazën kuantike,
Njerëzim i kurdisur!
I vendosur, gjurmët e mia ke gjurmuar
Nëpër moçale e shkretëtira,
Dhe kur dheu i ka përpirë i xhindosur,
Aromën time ke ndjekur,
Afshin e një trupi që refuzon të ftohet
Dhe kur qark veç akullnaja ka…
Heroi im, unë e di
Që me këmbët në krahë je nisur
Di dhe se heronjtë sprovohen
Më shumë se vetë të përndjekurit e fatit,
Ndaj e kam ndalur kohën,
Gjer në mbërritjen tënde,
Nuk guxon të thinjet sekondi!
-ARMENIDA-
Dhjetor 2025
