Home » Prindërimi emocional: si t’i kuptojmë fëmijët përtej sjelljes

Prindërimi emocional: si t’i kuptojmë fëmijët përtej sjelljes

nga World Ks

Shkruan Alma Lamqja

Gjithmonë e më tepër, fëmijët vlerësohen për atë që bëjnë, jo për atë që ndiejnë. Sjellja është bërë njësi matëse: si sillen në klasë, si u binden rregullave, si performojnë në testime.

Ama, sjellja është vetëm maja e ajsbergut. Ajo që shpesh harrojmë është se pas çdo sjelljeje qëndron një ndjenjë e pashprehur.

Nëse duam të rrisim fëmijë emocionalisht të shëndetshëm, duhet të ndalemi së pyeturi ‘Çfarë bëri?’ dhe të fillojmë të pyesim ‘Çfarë ndjeu?’.

Ndjenjat janë bërthama nga e cila lind sjellja, ndërsa ne, prindërit jemi ura që lidh atë që ndodh jashtë me atë që ndodh brenda fëmijës.

Autorët Daniel J. Siegel dhe Tina Payne Bryson, në librin e tyre “The Whole-Brain Child – Fëmija me tru të plotë” (2012), na mësojnë të lidhemi emocionalisht me fëmijët përpara se të përpiqemi t’i korrigjojmë. “Lidhja dhe ridrejtimi” është thelbi: fillimisht i dëgjojmë, i vërtetojmë ndjenjat e tyre dhe pastaj i ndihmojmë të riorientohen.

Në vend që të themi “Ndalo së qari dhe shko në dhomën tënde”, mund të provojmë t’i themi: “Shoh që po ndihesh i frustruar, do të më tregosh çfarë të shqetëson?”

Psikologu John Gottman dhe Joan Declaire, në librin e tyre “Raising an Emotionally Intelligent Child – Rritja e një fëmije emocionalisht inteligjent” (1998), na ofrojnë një udhëzues praktik me pesë hapa: të jemi të vetëdijshëm për emocionet e fëmijës, t’i dëgjojmë me empati, t’i ndihmojmë t’i emërtojnë ndjenjat, të vendosim kufij dhe t’i zgjidhim bashkë problemet.

Ndryshimi më i thellë ndodh kur kalojmë nga gjuha e korrigjimit në gjuhën e lidhjes. Në vend që të themi “Pse e godite motrën/vëllain?”, mund ta pyesim: “A po ndihesh i zemëruar ose i lënë pas dore tani? Çfarë ndodhi brenda teje para se ta bëje këtë?”

Prindi bëhet kështu udhërrëfyes emocional, jo gjykatës.

Marc Brackett, themelues i Qendrës Yale për Inteligjencën Emocionale dhe autor i librit “Permission to Feel – Leja për të ndjerë” (2019), argumenton se shkrim-leximi emocional është po aq themelor sa leximi dhe matematika. Fëmijët që mësojnë të kuptojnë ndjenjat e tyre janë më të predispozuar për t’i kuptuar të tjerët, për të menaxhuar stresin dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme.

Në kohën kur depresioni dhe ankthi janë në rritje, prioriteti ynë si prindër nuk është sjellja perfekte, por mirëqenia emocionale. Emocionet nuk janë dobësi, por sinjale të brendshme që fëmijët duhet të mësojnë t’i dëgjojnë.

Ne, prindërit nuk jemi menaxherë të sjelljes, por trajnerë të emocioneve. Kur i mësojmë fëmijët t’i emërtojnë, përpunojnë dhe shprehin ndjenjat e tyre, ne po rrisim jo thjesht fëmijë të sjellshëm, por njerëz të plotë me vetëdije, empati dhe me qëllime të qarta në jetë.

*Referencat:

– Daniel J. Siegel & Tina Payne Bryson. (2012). The Whole-Brain Child,

– John Gottman & Joan Declaire. (1998). Raising an Emotionally Intelligent Child,

– Marc Brackett. (2019). Permission to Feel.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment