Home » Shuhet në moshën 89 vjeqare akademik Rexhep Qosja

Shuhet në moshën 89 vjeqare akademik Rexhep Qosja

nga World Ks

Prishtinë, 23 prill 2026 – Shkrimtari e intelektuali i madh shqiptar, Akademik Rexhep Qosja, ka vdekur të enjten, në moshën 89-vjeçare, njoftuan familjarët e tij.

Nipi i tij, Valjet Rexhepi, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit të  akademik Qosjes është zhvilluar me praninë e anëtarëve e familjes së ngushtë të tij.

Gjithashtu, ka bërë të ditur se familjarët do ta respektojnë dëshirën e tij që të mos organizojnë pritje dhe të mos marrin pjesë në organizime institucionale në nderim të tij.

Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftim.

Biografi e shkurtër e Akademik Rexhep Qosjes

Qosja u lind më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, ku e kreu shkollën fillore, para se të shpërngulej në Kosovë, ku e mbaroi shkollën normale në Prishtinë në vitin 1959, ndërsa më 1964 i përfundoi studimet në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Prishtinës.

Gjatë viteve 1967-‘68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit.

Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981.

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike.

Ai gjithashtu ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është nderuar me shumë çmime e mirënjohje. Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Qosja është marrë edhe me veprimtari politike. Në periudhën 1998-2000 ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës.

Ai ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës, i cili udhëhiqej nga kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment