Home » Kryeministri Albin Kurti takohet me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien.

Kryeministri Albin Kurti takohet me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien.

nga World Ks

Në Bruksel, në ndërtesën e Ambasadës sonë në Belgjikë, Kryeministri Albin Kurti u takua me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien.

Marrëdhëniet dypalëshe dhe forcimi i partneritetit e aleancës janë gjithmonë pjesë qendrore e diskutimeve tona. Këtë herë, theks të veçantë pati sulmi kinetik terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës sonë kritike, në lidhje me të cilin ndava detajet e fundit të hetimeve dhe vlerësimeve tona, si dhe e njoftova me reagimin e institucioneve të vendit për sanimin e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi dhe për sigurimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për gjithë qytetarët.

Sulmi i të premtes është sulmi më i madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte rrënimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore dhe ekonomike si dhe të funksionimit të institucioneve.

Ai ishte i menduar dhe planifikuar mirë dhe i ekzekutuar profesionalisht. Dënimi njëzëri i këtij sulmi terrorist dhe kërkesa e përbashkët për dhënie të përgjegjësisë nuk është vetëm kërkesë për llogaridhënie nga autorët por edhe masë parandalimi të sulmeve të ngjashme në të ardhmen. Andaj edhe në këtë takim, e theksova rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq e grupit të tij me 44 paramilitarë të tjerë, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e liderëve dhe aparatit shtetëror atje.

E falënderoj Ndihmës Sekretarin O’Brien dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të së premtes së shkuar, dhe për sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment