Home » Shefqet Dibrani: NJË MOZAIK I TËRË MOTIVESH NGA BOTA E FËMIJËVE

Shefqet Dibrani: NJË MOZAIK I TËRË MOTIVESH NGA BOTA E FËMIJËVE

nga World Ks

Abdullah Troshupa, “Nën krahët e kujtimeve”, Sh.B. “Printing Press”, Prishtinë, 2026, 70 faqe. ISBN 978-9951-996-59-4

Hyrje

Poezia për fëmijë është një zhanër letrar specifik i krijimtarisë letrare. Kjo krijimtari kërkon njëherësh thjeshtësi të shprehjeje me imagjinatë dhe në të njëjten kohë kërkon komunikim të qartë me botën shpirtërore të fëmijës. Përmes këtij zhanri, fëmija duhet të mësojë e përjetoj bukurinë e fjalës së shqiptuar shqipe, dhe përmes saj të njohë universin – botën, familjen, natyrën, shoqërinë dhe atdheun. Pikërisht në këtë hapësirë krijuese vendoset edhe vëllimi poetik “Nën krahët e kujtimeve” i Abdullah Troshupës, botuar sivjet (2026) nga Shtëpia Botuese “Printing Press”, në Prishtinë.

Abdullah Troshupa është një nga autorët që e ka kultivuar me përkushtim poezinë për të rritur, por edhe atë për fëmijë. Në krijimtarinë për moshat e reja, ai përpiqet të zbresë në botën e fëmijëve jo vetëm për ta përshkruar atë, por edhe për ta parë realitetin përmes syve të tyre. Është kjo arsyeja pse në vargjet e këtij vëllimi gjejmë ëndrra, lojëra, përralla, kafshë, lule, stinë, peizazhe, shkollën, gjyshërit, prindërit, miqtë, librin, udhëtimet dhe atdheun. Në tërësi, “Nën krahët e kujtimeve” është një vëllim ku kujtesa e poetit takohet me imagjinatën e fëmijës. Autori i merr kujtimet e veta, përvojat familjare e shoqërore, peizazhet e vendlindjes dhe ngjarjet historike, dhe i shndërron në një material poetik të destinuar për brezin e ri. Kështu, libri bëhet një lloj ure midis brezave dhe interpretohet nëpërmes asaj që poeti ka përjetuar, parë dhe ruajtur në kujtesë, tashmë përmes vjershave ai ua përcjell fëmijëve si këshillë, si emocion dhe si vlerë.

Motive dhe fantazi nga bota e fëmijës

Vëllimi është ndërtuar në dy cikle poetike: “Nën krahët e dashurisë” dhe “Fjala hesht, kujtimi jo”. Vetë titujt e këtyre dy cikleve e përcaktojnë deri diku boshtin tematik të librit. Në të parin mbizotëron bota e afërt e fëmijës: familja, gjyshërit, shkolla, natyra, lojërat, ditëlindjet dhe përjetimet e përditshme; në të dytin, motivi zgjerohet drejt kujtesës historike, atdheut, heronjve, figurave të kulturës dhe njerëzve që kanë lënë gjurmë në jetën e autorit. Një nga vlerat e këtij vëllimi është pikërisht kjo larmi motivesh. Gjeografia poetike e Abdullah Troshupës nuk kufizohet vetëm në një hapësirë të ngushtë fizike. Ajo nis nga vendlindja, kalon nëpër peizazhet e Kosovës, përfshin Prishtinën, Sharri¬n, natyrën, lumin, malet e fushat dhe pastaj zgjerohet drejt një hapësire më të gjerë të kujtesës kombëtare shqiptare.

Në poezinë “Peizazh në vendlindjen time”, për shembull, natyra nuk është vetëm dekor. Ajo është pjesë e identitetit dhe e kujtesës së poetit:

“Në mëngjes shndrisin malet me dritë,

Era ledhaton fushat ngadalë

Bilbili këndon mbi degën e re

Dhe lumi rrjedh si këngë e gjallë.”

Faqe 13.

Këto vargje dëshmojnë se peizazhi në vendlindje është parë nga syri i bukurisë. Malet, era, bilbili dhe lumi marrin një gjallëri pothuajse njerëzore. Peizazhi i vendlindjes shndërrohet në kujtesë dhe krenari: “Aty ku linda, aty ku u rrita unë”, (po aty, f.13). Pra, siç shihet ky është qëllimi edukativ i librit, sepse vendlindja është hapësira ku ndërtohet dhe zhvillohet kujtesa dhe imagjinata e parë, si dhe dashuria dhe lidhja shpirtërore me tokën.

Familja zë një vend të rëndësishëm në universin poetik të Abdullah Troshupës. Në këtë familje ka gjyshër, prindër, nipa e mbesa, halla, teze, dajallarë dhe një rreth i gjerë njerëzish që krijojnë atmosferën e ngrohtë të këtij vëllimi me vjersha. Në këtë kuadër, gjyshi dhe gjyshja janë figura të dashura. Ata nuk paraqiten vetëm si pjesëtarë të familjes, por edhe si bartës të kujtesës dhe të përvojës. Përmes tyre, fëmija lidhet me të kaluarën dhe mëson të respektojë historinë e familjes. Kjo duket e qartë në poezinë, “Gjysh, urime – 7 Marsi”, ku figura e gjyshit lidhet drejtpërdrejt me mësuesin dhe me misionin e arsimit. Poeti shkruan:

“Ti u mësoje fëmijëve shkronjat e para

U ndize në sy dritën e dijes

Me durim, me zemër dhe me buzëqeshje

U tregoje rrugën drejt ëndrrave.”

Faqe 11.

Këtu mësuesi nuk është vetëm profesionist i arsimit. Ai është njeriu që ndez “dritën e dijes” dhe i hap fëmijës “rrugën drejt ëndrrave”. Në këtë vjershë, gjyshi- mësues, bëhet i përhershëm: “Ti mbetesh krenaria e familjes sonë,/ Një mësues që nuk harrohet kurrë”, (po aty, f.12). Poezi është homazh për mësuesin dhe si duket edhe një kujtim familjar. Në një tjetër poezi, “Gjyshi im gjumash”, autori ka përdorur vargun e butë e të natyrshëm. Gjyshi shfaqet si një figurë e afërt, njerëzore dhe plot ngrohtësi: “Gjyshi im gjumash, i mirë/ Agu i mëngjesit në krevat e zë të shtrirë”, (f.28). Pikërisht ky motiv e bën poezinë të afërt me psikologjinë e fëmijës: dashuria nuk ka nevojë për shpjegime të mëdha, ajo shfaqet në përqafim, në lojë, në përkëdhelje dhe në afërsinë e përditshme. Edhe poezia “Për gjyshen e gjyshin” e forcon këtë dimension emocional. Fëmija i quan gjyshërit: “Ju jeni dritë e familjes sime” dhe premton t’i mbajë “në zemër e mendje” gjithnjë, (f.35).

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e vëllimit është shkolla. Për poetin Abdullah Troshupa, shkolla është vendi ku fëmija hyn në botën e dijes, ndërsa mësuesi është një nga figurat kryesore që e orienton këtë proces. Në poezinë “Një shtatori në shkollë”, fillimi i vitit shkollor paraqitet si fillimi i një kapitulli të ri jetësor: “Sot filloi një kapitull i ri/ Me diell, me gëzim e me shpresë”, (f.29). Shkolla këtu nuk paraqitet si një institucion i ftohtë. Ajo është një vend “Ku ëndrrat rriten me kohë”, (po aty, f.29, ku mësuesit dhe prindërit janë pranë fëmijës dhe ku suksesi bëhet synim. Kurse në poezinë “Në secilën shkronjë na fale dashuri”, (kushtuar Dafines dhe e ndërtuar në formën e akrostikut), vetë shkronjat bëhen bartëse të mesazhit. Mësuesi paraqitet si njeri që jo vetëm mëson, por edhe dëgjon, përkujdeset dhe frymëzon: “Na fale përkujdesje, buzëqeshje e mirësi/ Ardhmërinë tonë e ndriçove me shpresë e dituri”; (f.26).

Në poezitë e këtij vëllimi natyra është gjithnjë e gjallë. Ajo nuk është vetëm peizazh, por bashkëbiseduese e fëmijëve. Dielli flet, lumi këndon, era ledhaton, flutura troket në dritare, bora mbulon qytetin me një mantel të bardhë. Në vjershën “Flutura në dritare”, flutura shndërrohet në një mikeshë të vogël duke i sjellur aromën e luleve dhe diellin e mëngjesit Sharrit të vogël. Edhe vjersha “Bora e parë në Prishtinë” është e bënë natyrën si një përjetim estetik. Bora e transformon qytetin duke i dhënë Prishtinës një bukuri të re. Në vëllimin “Nën krahët e kujtimeve”, dashuria për atdheun është një motiv i rëndësishëm dhe nis nga gjëra të vogla, psh.: vendlindja, familja, shkolla, natyra, gjuha dhe kujtesa. Është mbase e qartë se autori synon që dashuria për atdheun të kultivohet që në moshë të hershme. Në këtë kuptim, poezia e Troshupës ka një funksion të dukshëm edukativ.

Nga bota e fëmijës drejt kujtesës historike

Në pjesën e dytë të librit, “Fjala hesht, kujtimi jo”, janë futur shprehjet: Atdheu, historia, lufta, sakrifica, heronjtë, pavarësia dhe figura të tjera nga kultura. Poezia “Korriku betim i një kombi” e lidh kujtesën historike me idealin e lirisë. Vargjet: “Nuk ishte vetëm një ditë/ Ishte betimi i një kombi”, (f.51), e ngritin ngjarjen nga një datë historike në një simbol të ndërgjegjes kombëtare. Të njëjtin funksion ka edhe vjersha“Festojmë Pavarësinë”, ku historia, sakrifica dhe liria ndërthuren me njëra-tjetrën. Poeti e sheh lirinë si rezultat të qëndresës së brezave: “Hapat e të parëve s’na lanë kurrë vetëm/ Rruga e lirisë u shtrua me qëndresë”, (f.54).

Nga vetë titulli i ciklit, “Fjala hesht, kujtimi jo” shihet se poeti ka përmbledhur idetë e shumta sepse sipas tij njeriu mund të largohet, zëri i tij do të heshtë kurse kujtimi do të mbetet. Kjo frymë lidhet me poezinë “Dritë mbi gurë”, kushtuar akademik Rexhep Qosja, kurse në një dimension tjetër është parë figura e Fatmir Halimit, te poezia “Kafja e fundit”, sepse bart një simbolikë të fortë në të cilën vargu “kafja e fundit” shndërrohet në metaforë të takimit të fundit dhe të kujtimit që mbetet. Poeti shkruan:

“Lamtumirë, profesor, miku im

Rruga jote shkon drejt dritës

E fjala do të mbetet

Si një kafe e ngrohtë në kujtesë!”

Faqe 56

Kjo poezi tregon se libri nuk është vetëm për fëmijët; në të bashkëjetojnë edhe kujtimet e një brezi të rritur, të cilat autori dëshiron t’ua përcjellë brezave të rinj.

Një nga karakteristikat kryesore të këtyre vjershave është përpjekja për ta mbajtur gjuhën të kuptueshme për fëmijët. Vargu është kryesisht i drejtpërdrejtë, me figura të kapshme dhe me situata të afërta me jetën e tyre. Poezitë shpesh përfundojnë me një porosi, një urim ose një këshillë. Kjo e bën vëllimin të afërt me traditën e poezisë për fëmijë, kurse autori e zbutë formën këshilluese përmes lojës, humorit dhe fantazisë.

Përfundim

Vëllimi me vjersha“Nën krahët e kujtimeve” i Abdullah Troshupës është një përmbledhje ku takohen dy botë: bota e pafajshme dhe plot fantazi e fëmijës dhe bota e kujtesës së poetit. Nga ky takim lindin vjersha për familjen, gjyshërit, shkollën, mësuesin, librin, natyrën, vendlindjen, atdheun, historinë dhe njerëzit që kanë lënë gjurmë. Prandaj, ky vëllim me vjersha mund të lexohet si një libër që synon jo vetëm t’i argëtojë fëmijët, por edhe t’i edukojë, t’i frymëzojë dhe t’i afrojë me librin.

Në fund të fundit, kujtimi është një formë e jetës së dytë. Ajo që poeti ka ruajtur në kujtesën e tij, përmes këtij libri ua dorëzon fëmijëve si një amanet të butë poetik. Dhe nëse këto vargje arrijnë të mbeten në kujtesën e tyre, atëherë libri e ka përmbushur misionin e vet më të bukur: të mbjellë dashuri për fjalën, për dijen, për familjen, për vendlindjen dhe për atdheun.

Prishtinë, 22 gusht 2026

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment