Home » Albin Kurti :Sot, Dr. Atdhe Hetemi prezantoi raportin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës me listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Albin Kurti :Sot, Dr. Atdhe Hetemi prezantoi raportin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës me listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

nga World Ks

Sot, Dr. Atdhe Hetemi prezantoi raportin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës me listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999, janë dokumentuar gjithsej 12,230 viktima të luftës në Kosovë. Sipas raportit në grupmoshën nga 0 deri në 17 vjeç janë: 1,047 fëmijë të vrarë; 94 të vdekur si pasojë e kushteve të luftës; ndërsa ende nuk dihet per fatin e vendndodhjen e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë. Vrasja e mbi një mijë fëmijëve, përtej së qeni statistikë tragjike, është plagë e thellë e shoqërisë sonë. Është akuzë e përhershme kundër barbarisë së luftës dhe detyrim për shtetin tonë, që e vërteta të dokumentohet, drejtësia të kërkohet dhe kujtesa të ruhet.

Të dhënat tregojnë gjithashtu intensitetin e jashtëzakonshëm të dhunës, të krimeve të luftës, të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit nga forcat e Serbisë, gjatë pranverës së vitit 1999.

Lista është preliminare, pra nuk nënkupton se puna është e përfunduar. Do të thotë se Instituti do të vazhdojë ta përditësojë sa herë që sigurohen dokumente ose dëshmi të reja. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar një bazë të të dhënave që është institucionale dhe e cila i reziston kohës e u shërben brezave që do të vijnë pas nesh.

Raporti përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori, të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi.

Kjo listë është pjesë e angazhimit për të vërtetën dhe drejtësinë. U dedikohet familjeve që kanë pritur me dekada. U dedikohet të mbijetuarve që kanë jetuar me dhimbjen. U dedikohet brezave të rinj që meritojnë ta njohin historinë të bazuar në fakte.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment