Nga shpresa e ndryshimit te zhgënjimi politik dhe rënia e mbështetjes qytetare
Rënia e besimit ndaj Vjosa Osmanit: Nga 300,756 vota që mori në vitin 2021, kur iu bashkua Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në vitin 2026, pas bashkimit me LDK-në, vështirë se do të arrijë të ruajë pak më shumë se një të katërtën e atyre votave.
Osmani besimin e fitoi me shpresë, por e humbi me veprimet e saj, duke u rreshtuar, sipas kritikëve të saj, përkrah forcave që konsiderohen kundërshtare të interesave të Kosovës.
Sipas pretendimeve që qarkullojnë në opinion, ajo gjatë pesë viteve të fundit ka siguruar pasuri të konsiderueshme, ndërsa mbetet përgjegjësi e institucioneve hetuese të verifikojnë origjinën dhe ligjshmërinë e saj.
Besimi i humbur publik i ish-presidentes, sipas kritikëve, erdhi si pasojë e ambicies dhe veprimeve të perceptuara si të orientuara drejt përfitimit personal. Kjo u shoqërua me kritika për mungesë transparence dhe për raportet e saj politike, përfshirë marrëdhëniet me Albin Kurtin dhe koalicionin që e mbështeti për presidente.
Nga egoja e saj, ajo i shtriu “shallvaret” për të kapur e zaptuar gjithçka që i erdhi për dore, çka, sipas këtij interpretimi, ndikoi në humbjen e mbështetjes për mandatin e dytë të presidentes që synonte ta vazhdonte.
Në këtë frymë, kritikët e saj përmendin edhe deklaratën egoiste të saj ku thot: “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye ta refuzojë emrin tim për presidente”,të cilën e interpretojnë si shprehje të një vetëvlerësimi të tepruar politik dhe të bindjes se ajo mbetet zgjedhja e vetme e pranueshme për këtë post.
Sipas tyre, një qëndrim i tillë krijon përshtypjen se roli i saj në jetën politike të vendit shihet si i pazëvendësueshëm, gjë që ka ndikuar në shtimin e kritikave ndaj saj dhe në rënien e mbështetjes publike.
Argumentet tregojnë se ajo u bë pjesë e krizës politike, përdori institucionin e Presidencës për kalkulime politike, lejoi bllokimin e procesit demokratik dhe u rreshtua me forca që kritikët e saj i konsiderojnë antikosovare.
Kush ka besuar se Vjosa do të vepronte kundër shumicës reformuese të dalë nga zgjedhjet plebishitare që e bënë presidente?
Në këtë kontekst, ajo e trajtoi besimin e qytetarëve si kapital personal, krijoi paqartësi politike dhe nuk veproi në përputhje me pritjet e qytetarëve të vitit 2021.
Si pasojë, rënia e mbështetjes së saj u interpretua si “aktgjykim publik” dhe si refuzim i qytetarëve ndaj veprimeve të saj politike.
Sipas këtij interpretimi, Vjosa Osmani e humbi besimin publik sepse nuk e mbrojti vullnetin elektoral, u bë pjesë e krizës politike dhe e përdori autoritetin institucional në mënyrë që, sipas kritikëve, nuk përputhej me pritjet e qytetarëve.
Në një intervistë për CNN, Vjosa Osmani u shpreh e shqetësuar për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të treta brenda gjashtëmbëdhjetë muajve në Kosovë, duke e cilësuar situatën si një ngatërresë politike “krejtësisht të panevojshme”.
Megjithatë, sipas kritikëve të saj, kjo deklaratë përbën përpjekje për t’u distancuar nga përgjegjësia politike që ata besojnë se ajo vetë e ka pasur në krijimin dhe thellimin e krizës institucionale. Për këtë arsye, ata e shohin qëndrimin e saj si kontradiktor dhe të pabesueshëm.
Kësisoj, nga një figurë e parë si simbol i ndryshimit dhe shpresës në vitin 2021, ajo përfundon në një narrativë të zhgënjimit politik dhe rënies së mbështetjes, duke shënuar një kthesë të fortë në raportin e saj me qytetarët dhe besimin publik.
