Home » Makfire Shala : “Lulja që s’u tha kurrë”

Makfire Shala : “Lulja që s’u tha kurrë”

nga World Ks

“Lulja që s’u tha kurrë”

Ka lule që lindin në mëngjesin e jetës,

me fletët e lules që qeshin me dritën e diellit,

me aromë që jepet pa kushte,

me zemër që s’e njeh frikën.

Por vijnë duar që s’dinë me dashtë,

vijnë fjalë që peshojnë si gur mbi shpirt,

dhe mundohen me i mbyllë në heshtje,

me i ba me u vyshk pa kohë.

I përkulin… por nuk i thyejnë.

I prekin… por nuk i zhdukin.

Se rrënjët e vërteta s’janë veç në tokë,

po në forcën që s’shkulet lehtë.

Dhe prapë ato çelin… ngadalë,

me dhimbje, me durim, me forcë,

me aromë që s’mundet me u ndal,

me dritë që nuk pranon me u fik.

Mos i mbyllni lulet që janë hapur për jetën,

se çdo fletë e lules e thyer pa mëshirë

bëhet kujtim që flet në heshtje.

Lërini lulet të jetojnë në lirinë e vet,

se edhe lulja ndjen,

edhe lulja qan,

kur trajtohet si send e jo si jetë.

Ka lule që s’thahen kurrë…

sepse shpresa brenda tyre

është më e fortë se çdo dorë që mundohet me i ndal.

Me respekt e dashuri,

©️Makfire Shala

Stadt Luzern

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment