Vitrina e librit: LIBËR ME POROSI PËR JETËN DHE SHËNDETIN E NJERIUT
Idriz (Ibrahim) Shabani, “SI TA PËRTËRIJMË JETËN”, meditime dhe frymëzime, botoi Shtëpia Botuese “DritaPress”, Prishtinë, 2026. Libri ka 130 faqe dhe ISBN 978-9951-825-76-4.
Këto ditë, Shtëpia Botuese “DritaPress”, e drejtuar nga Naser Vitija, nxori nga shtypi librin e mësuesit veteran Idriz (Ibrahim) Shabani, “SI TA PËRTËRIJMË JETËN”, meditime dhe frymëzime. Ky libër është botuar falë humanizmit të kushërinjve të autorit dhe vjen në kuadër të 90-vjetorit të mësuesit të parë në fshatin Gërdoc të Llapit, Idriz Ibrahim Shabani, i cili është edhe banori më i moshuar i këtij fshati. Në proces botimi është edhe një libër tjetër me kujtime për fshatin e tij të lindjes, Gërdocin.
Idriz Shabani ka lindur më 7 nëntor 1936 në fshatin Gërdoc, Komuna e Podujevës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Halabak, gjimnazin e ulët në Podujevë, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë. Gjatë gjithë jetës së tij profesionale punoi si mësues, duke i kushtuar arsimit rreth dyzet vjet, deri në pension.
Mësuesi Idriz, sivjet nëntëdhjetëvjeçar, është mësuesi dhe intelektuali i parë në fshatin Gërdoc. Gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit XX është shpërngulur në Podujevë, ndërsa pas luftës, së bashku me familjen, është vendosur në Prishtinë.
Dy librat e tij, që mund të cilësohen si vepra me vlerë të veçantë, dëshmojnë se puna e pedagogut shkon përtej angazhimit të përditshëm me ditar në dorë. Njëri libër përmbledh kujtime për fshatin e lindjes, ndërsa ky i botuari, synon të stimulojë imagjinatën dhe të theksojë rëndësinë e saj në jetën e njeriut. Këto vepra, pa dyshim, përbëjnë një kontribut të çmuar në kulturën e librit në Kosovë.
“Jeta nuk është luftë, por është lojë!”, ka shkruar vetë autori, duke e cilësuar atë si një “lojë të dhënies dhe marrjes”. Sipas tij, “çfarëdo që të thotë ose të bëjë njeriu, do t’i kthehet në jetë; atë që e jep, atë do ta fitojë”. Në shënimet e tij, vendosur në përmbyllje të librit ai thekson: “Nëse jep dashuri, do të fitosh dashuri; nëse jep urrejtje, do të fitosh urrejtje; nëse gënjen, do të të gënjejnë”. Prandaj, libri na mëson se fuqia e imagjinatës është thelbësore në rrugëtimin jetësor. “Atë që e imagjinon njeriu, herët a vonë do ta realizojë”, shprehet autori, duke shtuar se “nëse mendojmë mirë, atëherë mund të sjellim në jetën tonë çdo dëshirë të arsyeshme: shëndetin, mirëqenien, dashurinë, miqtë dhe vetërealizimin”.

Idriz (Ibrahim) Shabani
Autori është mbështetur edhe në literaturë të ndryshme dhe, së bashku me librin tjetër që pritet të botohet në këtë jubile, falë përkrahjes së kushërinjve të tij: Nazmiut, Shemsiut, Shaipit, Beqirit, Ujupit dhe Fehmiut, Mësuesi Ynë Idriz Shabani, po e realizon ëndrrën e tij për botimin e këtyre veprave. Sipas tyre, gjatë kësaj vere do të organizohet një manifestim për të shënuar 90-vjetorin e lindjes dhe promovimin e librave.
Redaktor dhe lektor i librit është Sulejman Dërmaku, ndërsa recensent Ilir Prapashtica. Libri është përgatitur nga Shefqet Dibrani, i cili ka shkruar edhe parathënien. “Guximi bart në vete gjenialitetin dhe magjinë. Të gjitha sëmundjet dhe fatkeqësitë nxiten nga shkelja e ligjit të dashurisë”. Prandaj, “ky libër frymëzues na tregon se si secili nga ne mund ta ndryshojë gjendjen e vet, nëse mendon mirë…”.
Të gjithë ata që e njohin Mësuesin Idriz i gëzohen këtij suksesi dhe i dëshirojnë jetë të gjatë autorit.

Shefqet Dibrani
Prishtinë, 22 prill 2026
