Propozimi i Prokurorisë Speciale për dënime deri në 45 vjet burg ndaj krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një akt i pastër politik, jo drejtësi. Është një përpjekje e qëllimshme për të rishkruar historinë, për të poshtëruar sakrificën dhe për ta paraqitur luftën çlirimtare si krim. Kjo nuk është ligj, kjo është hakmarrje e maskuar si drejtësi.
UÇK-ja nuk lindi nga ambicia, por nga dëshpërimi, nga masakrat, dhunimet dhe spastrimi etnik i ushtruar nga një regjim shtetëror serb. Ishte reagimi i fundit i një populli që po zhdukej. Këtë e dinte bota, këtë e dinte Evropa, këtë e dinte NATO-ja, prandaj ndërhyri. Sot, e njëjta Evropë sillet si e verbër, si e pafytyrë, duke ndëshkuar ata që morën armët për të mbrojtur jetën.
Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Kur krimet serbe mbesin të pandëshkuara, kur varrezat masive nuk peshojnë, ndërsa luftëtarët e lirisë kërcënohen me burgime drakoniane, atëherë flasim për standard të dyfishtë dhe kolaps moral. Kjo qasje nuk sjell pajtim, por thellon plagët dhe prodhon padrejtësi të reja.
45 vjet burg nuk janë dënim penal, janë tentativë për ta kriminalizuar lirinë, për ta fshirë historinë dhe për ta poshtëruar një popull të tërë. Por historia nuk gjykohet në sallat e politizuara të gjykatave. Ajo është shkruar me gjak, me rezistencë dhe me sakrificë.
UÇK-ja ishte e drejtë. Lufta për liri ishte e domosdoshme. Dhe liria nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë krim.
09/02/2026
Saranda Teresa Bruno
