Home » Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini mori pjesë në Konferencën Rajonale me titull “Fuqizimi i grave rurale në Ballkanin perëndimor

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini mori pjesë në Konferencën Rajonale me titull “Fuqizimi i grave rurale në Ballkanin perëndimor

nga World Ks

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini mori pjesë në Konferencën Rajonale me titull “Fuqizimi i grave rurale në Ballkanin perëndimor: të drejtat, sfidat, fuqizimi ekonomik dhe progresi përmes CEDAW dhe raporteve të BE-së”, e cila u organizua EcoKosWomen EKW konkretisht Platforma Rajonale për Fuqizimin e Grave Rurale.

Në këtë konferencë e cila u mbajt në Hotel “Emerald” në Prishtinë i pranishëm ishte edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurtin i cili theksoi se gratë dhe vajzat janë shtyllë e rëndësishme e zhvillimit social, kulturor dhe ekonomik të vendit tonë. Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë, duke mbështetur bujqësinë e udhëhequr nga gratë dhe duke zgjeruar programet për zhvillim ekonomik e social në zonat rurale. 5650 gra fermere janë përkrahur me subvencione në vlerë prej 11 milionë Euro nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. “Nëse bëjmë një krahasim të 5 viteve të fundit për gjendjen në bujqësi e blegtori në Kosovë, mjaftojnë dy elemente për të patur një përshtypje për progresin. Fondi i përgjithshëm i tokës bujqësore në Kosovë është 50 për qind më i madh se sa në vitin 2020. Nga rreth 80 mijë hektarë tokë të punuara në Kosovë, tash janë mbi 120 mijë hektarë. Edhe qumështi i lopës që fermerët tanë dikur e shisnin mezi për 20 cent, tash pas 5 viteve është së paku 50 cent, pra dy herë e gjysmë më shumë. Bujqësia dhe blegtoria janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe prodhimtaria e produktiviteti në ngritje janë duke ju falënderuar padyshim edhe grave fermerë”, theksoi gjithashtu Kryeministri Kurti.

Nga ana e saj, Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini pasi përshëndeti të pranishmit në këtë konferencë, theksoi faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar përkushtim të madh për avancimin e barazisë gjinore dhe përfshirjen e grave në të gjitha proceset zhvillimore. Ajo tha se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të krijuar më shumë mundësi për gratë në bujqësi. Përmes politikave afirmative, është lehtësuar qasja e tyre në grante dhe subvencione, duke vlerësuar kontributin dhe aftësitë e tyre. “Në Ministrinë e Bujqësisë, fuqizimi i grave nuk shihet vetëm si detyrë ligjore apo morale, por si një investim i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës. Për këtë arsye, kemi krijuar politika të qarta dhe mbështetje konkrete për gratë rurale. Në këtë kuadër janë vendosur një sërë mekanizmash mbështetës që u japin grave më shumë mundësi për investime, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe përfshirje në zinxhirët e vlerës bujqësore. Një rëndësi të veçantë i është dhënë edhe inkurajimit të kooperativave dhe grupeve prodhuese të drejtuara nga gra, si dhe promovimit të produkteve të tyre në tregjet lokale e rajonale”, shtoi Sekretarja Çerkini.

Vlen të theksohet se kjo konferencë synon të ofrojë një hapësirë gjithëpërfshirëse për diskutim mbi sfidat dhe mundësitë në fushën e fuqizimit social dhe ekonomik të grave rurale në rajon.

Ngjarja mblodhi bashkë përfaqësues të institucioneve qeveritare vendore, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe lidere të komuniteteve rurale, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, praktikave të mira dhe ndërtimit të partneriteteve të reja.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment