Shkruan : Mimoza Rexhvelaj
Njeriu jeton me dy shoqërues të padukshëm: me kujtimet dhe me pendesat. Kujtimet janë pasqyrat ku rikthehemi, pendesat janë gurët që na rëndojnë krahët.
Kam kuptuar se nuk ekziston mënyrë më e lirë për të ecur përpara se të japësh më të mirën tënde, në çdo hap, në çdo marrëdhënie, në çdo betejë. Më e mira jote nuk është perfekte, nuk është gjithmonë fituese, nuk është gjithmonë e duartrokitur, por është ajo që ke brenda dhe e vendos në tavolinë pa kursim dhe pikërisht aty lind paqja,kur e di që nuk kishe çfarë të jepje më shumë.
Pendesa nuk lind nga humbja, por nga gjërat që i lëmë pa provuar nga frika se mund të gabojmë,nga heshtjet kur duhet të flasim, nga rrugët ku s’patëm guxim të futeshim, nga dashuritë që i mbajtëm të kyçura, por kur ke bërë më të mirën edhe mbyllja nuk të gërryen më, sepse është zgjedhje, jo braktisje…
Kjo është arma ime kundër ankthit të së djeshmes: të mos lë asgja pezull, për të më vrarë ndergjegja më vonë.
Të mos lë njerëz pa u thënë çfarë ndiej.
Të mos iki nga beteja pa luftuar me gjithë shpirtin dhe kur humbas,të humbas në këmbë, jo në gjunjë duke u zvarritur për mëshirë.
Motoja ime është e thjeshtë dhe e ashpër: bëj më të mirën, që të mos pendohesh për asgjë!
Nga betetjat e mia, kam mësuar se njeriu nuk e vret dështimi, e vret boshllëku i asaj që nuk guxoi ta jetojë, as të luftojë për të…