Triumf që nuk duket Asaj ia vodha ngjyrën e shpirtit, e derdha mbi zemrën time të zbehtë, dhe ajo mori frymë me dritë të huazuar, si petalë që çel nën shiun e parë.
Asaj zemre i dhashë një emër: femër, emër që tingëllon si këngë në agim, si psherëtimë e butë në mesnatë. E bukur, e brishtë, por me gjak zjarri, ajo është hyjneshë në trup të prekshëm, zë që hesht kur të tjerët ulërasin.
Zemra e saj, e mbuluar me ngjyrë shpirti, ndriçon si aureolë mbi ballin e botës, është triumf që nuk zbret nga froni, edhe kur rrëzohet nga qielli. Ajo s’ka nevojë të bërtasë, forca e saj rritet në heshtje, si rrezja që s’ka zë, por ndriçon gjithçka.
Aureola nuk qëndron mbi kokë, ajo lind nga brenda, si dritë që del nga plagët e padukshme. Triumfi i saj nuk është britmë, por qëndrim i drejtë kur shpirti thyhet, buzëqeshje në terrin që s’e sheh njeri.
Sepse ajo është dritë pa zë, hijeshi pa zhurmë, triumf që nuk duket, por që ndriçon gjithmonë.
N*Jakupi