(Pozicionimi im përmes poezisë)
Shikojeni mirë këtë fytyrë,
që kërkon dialog nga froni i pushtetit,
me fjalë të rënda për qytetarin,
me himne lavdie për rojet e shtetit.
Shikojeni mirë, o njerëz,
sa lehtë ndërrohen rolet në skenë:
kush ngre një gur, bëhet armik i Atdheut,
kush vjedh Shqipërinë, na shitet si shpëtimtar i saj!
Unë s’e përbuz policin, as shtetin,
as djersën e policit, as bukën e fëmijëve të tij,
as rrezikun që i kanoset atij në rrugë
nga vetë bashkëqytetarët e tij,
as netët e gjata larg shtëpisë,
kur qëndron në shërbim të Atdheut.
Por polici nuk duhet të bëhet mburojë për hajdutin,
as uniforma e tij vulë shenjtërie.
Polici është njeri, me ligj e me përgjegjësi,
jo vegël e verbër e një karrigeje pushteti.
Se shteti nuk është oborr i askujt,
as pronë e një partie,
aq më pak e një Njeriu,
as plaçkë për oligarkë,
as altoparlant i oborrtarëve në televizion
as çelës i kasafortës së një qeverie,
qoftë ajo edhe Social-Humaniste.
Shteti është qytetari,
është buka që mungon në tryezë,
është drejtësia pa porosi,
është SPAK-u që duhet të veprojë,
është fjala e lirë që s’përkulet para askujt.
Po ju, o mjeshtër të fjalës së blerë,
që protestën paqësore të Flamingove e quanit anarki,
ndërsa heshtjen e studentëve e pagëzuat me urtësi,
çfarë emri do t’ia vini, o ju të mjerë,
varfërisë,
papunësisë, korrupsionit,
kur ato trokasin në derën e shtëpisë?
Qytetari i Shqipërisë doli në rrugë,
me duar të zbrazëta, me këngë e valle.
Ju ia numëronit fajet dhe çdo ditë zgërdhiheshit,
ia matnit zemërimin, ia gjykonit zërin,
por plagët dot nuk ia shëruat.
Kur pushteti gënjeu me premtime,
ju pallatet i quajtët zhvillim;
kur rinia kërkonte një të ardhme,
ju ia treguat rrugën për në mërgim.
Dhe gazetarët e oborrit brohirisnin,
se pushteti mbahet edhe me gazetarë,
me penën e tyre si shkop dirigjenti,
na tregonin fytyrën e policit,
por harruan pasqyrën e pushtetit.
Tash na flisni për gurët që fluturojnë,
por jo për shkaqet që i nxorrën studentët në shesh;
na numëroni flakët e një nate,
por jo për Flamingot që nuk ndalen në Zvërnec,
as për vitet që digjen në shpresën e një brezi.
Jo, zotërinj gazetarë, nuk janë të gjithë shenjtorë
ata që dalin në rrugë,
as të gjithë fajtorë ata që mbajnë uniformë.
Por askush s’ka të drejtë ta shpallë popullin pleh
vetëm pse kërkon llogari nga pushteti.
Dhe asnjë protestë s’është mbi ligjin,
asnjë pushtet s’është mbi drejtësinë.
Ne duam rend, por jo frikë;
duam ligje e SPAK, por jo seleksionim;
duam polici që mbron qytetarin,
jo qytetar që tutet nga pushteti.
Duam shtet që nuk blihet,
drejtësi që nuk shitet
dhe një Shqipëri ku dinjiteti
nuk matet me afërsinë ndaj fronit.
Prandaj, mos na e shitni Atdheun
si pronë të një oborri të mbyllur.
Flamuri nuk është perde për korrupsionin,
as shqiponja strehë për oligarkinë.
Atdheu nuk është ai që bërtet më fort,
as ai që përkulet më thellë;
Atdheu është ai që nuk pranon
që njeriu të jetojë me kokën ulur.
E kur të shuhet zhurma e shesheve,
kur të heshtin ekranet e oborrit,
do të mbetet një pyetje e thjeshtë,
më e rëndë se gjithë fjalët e ditës:
Kush e mbrojti Shqipërinë atëherë?!
Ai që kërkoi drejtësi në shesh,
apo ai që e quajti armik,
që të mos i prekej pushteti?
Se historia nuk shkruhet me servilizëm,
as e vërteta nuk thuhet me urdhër e me pagesë,
të gjithë e dijmë…
Por Shteti është i popullit, jo i oligarkisë;
dhe protesta paqësore është zëri
që ia kujton këtë të vërtetë pushtetit.
E drejta e studentëve
duhet të ngadhënjejë gjithsesi!…
Prishtinë, 20 tetor 2026
Shefqet DIBRANI
