Home » Në Obiliq u mbajt manifestimi festiv në nderim të 28 Nëntorit

Në Obiliq u mbajt manifestimi festiv në nderim të 28 Nëntorit

nga World Ks

Sot, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, dhe në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, u mbajt manifestimi festiv me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë manifestim morën pjesë Kryetari i Komunës, z. Halil Thaçi, Nënkryetari z. Berat Gashi, drejtorët e drejtorive komunale, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, si dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Halil Thaçi fillimisht kërkoi një minutë heshtje në nderim të nënës së dëshmorit Ferid Curri, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për familjen e tij dhe të gjitha familjet e dëshmorëve.

Më tej, ai theksoi rëndësinë e veçantë historike dhe kombëtare të 28 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si një nga ditët më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Nga ngritja e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali, 28 Nëntori simbolizon historinë, sakrificën, krenarinë dhe unitetin tonë kombëtar.

Kryetari Thaçi u bëri thirrje të gjithëve për më shumë bashkim, solidaritet dhe përkushtim në punë, duke theksuar se përgjegjësia jonë është të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja.

Manifestimit i dha edhe më shumë gjallëri programi artistik, i pasuruar me këngë dhe valle tradicionale shqiptare, të cilat sollën në skenë bukurinë e kulturës, traditës dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Gëzuar 28 Nëntorin!

🇦🇱 Lavdi historisë, sakrificës dhe heronjve të kombit!

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment