KËNDI ME LIBRAT E MI NË BIBLIOTEKËN E QYTETIT NË OBILIQ
Ka çaste në jetë kur një fotografi flet më shumë se shumë fjalë. Një i tillë ishte edhe për mua sot, kur zyrtarja e Bibliotekës së Qytetit në Obiliq, zonja Diellza Paloja Osmani, më dërgoi këtë fotografi nga këndi ku tashmë janë vendosur librat e mi.
Ky gjest fisnik nuk është vetëm një vlerësim për autorin, por edhe një dëshmi e respektit që Biblioteka e Qytetit në Obiliq tregon për librin, dijen dhe kujtesën kulturore. Për këtë arsye, shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për zonjën Diellza, për stafin e bibliotekës dhe për të gjithë qytetarët e Obiliqit që e mbështesin dhe e duan librin.
Obiliqi zë një vend të veçantë në kujtesën time. Në vitet 1975–1980 isha nxënës i Qendrës Shkollore Teknike, dega Kimi-Teknologji, dhe për një periudhë jetova në këtë qytezë. Pikërisht aty kalova një pjesë të bukur të rinisë sime, krijova miqësi të çmuara dhe fitova kujtime që kanë mbetur të gjalla edhe sot. Vitet kalojnë, njerëzit ndryshojnë, por kujtimet e mira mbeten gjithmonë pjesë e pandashme e jetës sonë.
Prandaj, çdo lajm, çdo përshëndetje dhe çdo shenjë respekti që më vjen nga Obiliqi më gëzon në mënyrë të veçantë. Ndërsa ky kënd i rezervuar për librat e mi në bibliotekën e qytetit është një nder që e pranoj me përulësi dhe me përgjegjësi, sepse çdo autor ëndërron që veprat e tij të gjejnë vend në raftet e bibliotekave dhe të jenë në shërbim të lexuesit.
Falënderoj edhe një herë Bibliotekën e Qytetit në Obiliq për këtë vlerësim domethënës. Uroj që kjo bibliotekë të vazhdojë të jetë një vatër e dijes, e kulturës dhe e edukimit për brezat që vijnë.
Me respekt e mirënjohje të thellë,
Ish-nxënësi i kësaj qendre,
Shefqet DIBRANI
