Në veturën e tij u gjetën fishekë, para të gatshme dhe dokumente të policisë serbe – ndaj tij po zhvillohen hetime për armëmbajtje pa leje dhe veprime të paautorizuara.
Një pjesëtar i policisë së Serbisë është arrestuar nga Policia e Kosovës në hyrje të pikës kufitare në Jarinje. Arrestimi është bërë pas kontrollit të automjetit me targa të Beogradit, ku janë gjetur dhe konfiskuar 51 fishekë, para të gatshme në vlerë prej 9,900 eurosh dhe 26 mijë dinarë serb.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari po hetohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.”
Nga ai janë sekuestruar gjithashtu dokumente personale, përfshirë kartelën e identifikimit dhe distinktivin e policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së policisë serbe, letërnjoftimet e Serbisë dhe Kosovës, pasaportën serbe, një palë spaleta të uniformës, një palë dorëza dhe një USB.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa organet e rendit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
