Shefqet Dibrani
Skica nga Katundi (7)
NAZMI (ILAZ) SHABANI
Gërdoc, 1 gusht 2026
Vendlindja më është bërë pasion, andaj pothuajse çdo fundjavë po e kaloj këtu, në shoqëri me kushërinjë dhe bashkëfshatarët e mi. Ndër ta, në miqësinë time, nga Katundi im, një vend të veçantë zë Nazmi (Ilaz) Shabani (1956), kushëriri im me të cilin jam rritur. Edhe pse ai është disa vite më i madh se unë, një pjesë të rinisë sonë të hershme e kemi kaluar sëbashku, duke ndarë kujtime që mbeten të paharrueshme.
Ajo që më shtyn ta dua dhe ta respektoj edhe më shumë është karakteri dhe sjellja e tij fisnike, jo vetëm ndaj meje, por ndaj të gjithëve. Për mua, respekti për Nazmiun është edhe një detyrim moral, sepse ai ishte jo vetëm kushëri, por edhe mik e shok i pandarë i vëllait tim të ndjerë, Naserit. Pikërisht kjo lidhje e hershme familjare dhe shoqërore e ka forcuar edhe më shumë afërsinë time me të, si dhe këtë ndeje tonën në ditën e sotme.
Sa herë që vjen në Katund, Nazmiu nuk harron të më ftojë për një kafe. Ndenjat me të janë gjithmonë të këndshme, të ngrohta dhe plot humor e optimizëm. Bisedat zhvillohen natyrshëm, me qetësi dhe mirëkuptim, duke e bërë çdo takim një kënaqësi të veçantë, një nevojë të detyrueshme.
Mbaj mend se gjatë viteve 1976-1990, ai punoi si kuzhinier në Kombinatin Ndërtimor Industrial “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Më kujtohen ende ftesat e tij për dreka dhe ndeja të shpeshta, ashtu siç ishte traditë e brezit të tij, sidomos në raport me nxënësit dhe studentët që vinin nga fshati, dhe që banonin me qira nëpër shtëpitë private të Prishtinës. Ishte një gjeneratë që dinte të ndante kafshatën e tyre dhe të ndihmonte pa bujë, ishte një brez i idealeve të mëdha. Pa dyshim njëri nga ta ishte edhe Nazmi Shabani, nga Gërdoci i Llapit.
Në vitin 1979, ai u martua dhe bëri një dasmë madhështore. Gjatë këtyre viteve ai krijoi një familje të mrekullueshme me tre djem dhe dy vajza: Shqipen, Arbenin, Artanin, Lirijen dhe Durimin. Po ashtu, sot ai gëzon edhe një tjetër bekim të jetës: është bërë gjysh shumë herë dhe krenaria për fëmijët e nipërit e mbesat i lexohet në fytyrë sa herë flet për ta, sa herë rrëfen përqafimet dhe bëmat e tyre.
Për shkak të rrethanave të vështira shoqërore e politike të fillimit të viteve nëntëdhjeta, kur shqiptarët po largoheshin masivisht nga vendet e punës dhe kur, si pasojë e presioneve e shantazheve politike, KNI “Ramiz Sadiku” po kalonte periudhën më të rëndë të ekzistencës së tij, madje drejtë falimentimit, atëherë kur pagat e punëtorëve vonoheshin me muaj të tërë, ndërsa dinari zhvlerësohej dita-ditës, perspektiva e ruajtjes së vendit të punës po zvetnohej. Pikërisht në ato rrethana, pa ndonjë perspektivë reale në Kosovë, Nazmiu mori vendimin e vështirë të emigronte. Në vitin 1992 u vendos në Gjermani, në landin Baden-Württemberg, ku nisi një kapitull të ri të jetës.
Sot fëmijët e tij kanë përfunduar shkollimet profesionale dhe punojnë në kompani të njohura gjermane, ndërsa njëri prej tyre, me sa di, drejton edhe biznesin e vet. Kjo është dëshmi se sakrifica e prindërve si Nazmiu nuk ka shkuar kot.
Vetë Nazmiu tashmë gëzon pensionin e punës në Gjermani. Kurse kohën e pensionimit ndan mes Prishtinës, ku ka shtëpinë dhe një pjesë të familjes, dhe vendlindjes së tij, Gërdocit, ku kujdeset me përkushtim për shtëpinë tjetër dhe oborrin me kopshtin të cilat i mirëmban me rregull dhe shije, e sikur dëshiron të jep mesazhin kuptimplotë, se rrënjët dhe Katundi nuk harrohen kurrë.
Për mua, një nga kënaqësitë më të mëdha janë kafetë dhe bisedat e shpeshta me të. Ndoshta sepse i përkasim brezave të afërt, temat që shtjellojmë, mënyra se si i shohim problemet dhe logjika me të cilën i analizojmë ato na përputhen natyrshëm. Në bisedat tona mbizotëron arsyeja, maturia dhe pozitiviteti, gjë që sot nuk haset aq shpesh.
Ditët e mia në Katund po mbushen gjithnjë e më shumë me emocione të bukura dhe me ngrohtësinë e vëllazërisë që më kishte munguar për vite me radhë. Prandaj, Nazmiut i jam sinqerisht mirënjohës për kohën që ndan kaq shpesh e kaq bujarisht me mua. Miqësia, respekti dhe afërsia familjare janë pasuri që nuk maten me asgjë. Dhe sa herë largohem nga Katundi, bindem edhe më shumë se pasuria më e madhe nuk janë shtëpitë, tokat apo vitet që kalojnë, por njerëzit që i japin kuptim vendlindjes. Për aq kohë sa kemi miq e kushërinj si Nazmiu, vendlindja nuk mbetet vetëm një vend në hartë, por një ndjenjë që të thërret vazhdimisht të kthehesh.
Në fund të fundit, njeriu nuk matet vetëm me atë që ka ndërtuar për vete, por edhe me respektin që lë pas tek njerëzit. Nazmiu është pikërisht njëri nga ata burra të heshtur që nuk kanë pasur nevojë të flasin shumë për veten, sepse jeta dhe veprat e tyre flasin vetë. E në anën tjetër, derisa koha mund f’i thij flokët, ajo nuk mund t’i zbehë kujtimet, miqësinë dhe respektin e ndërsjellë. Janë vetëm disa nga këto lidhje që e mbajnë gjallë vendlindjen dhe i japin kuptim kthimit tonë në të.
Njerëzit si Nazmiu nuk bëjnë zhurmë në jetë, por lënë gjurmë në kujtesën e atyre që i njohin. Dhe ndoshta kjo është pasuria më e madhe që mund të lërë një njeri pas vetes.
Të paçim me shëndet, kushëri! Uroj që të takohemi edhe për shumë vite në Katund, pranë një kafeje, duke kujtuar të kaluarën dhe duke gëzuar të tashmen. Prandaj le të na dhurojë Zoti edhe shumë vite shëndet, që këto biseda, këto kafe dhe këto skica të mia të mos kenë fund.
Deri në një skicë tjetër…
Shefqet DIBRANI
