Home » Thonë se shpresa të mban gjallë

Thonë se shpresa të mban gjallë

nga World Ks

Shpresa është një mundësi,
Që e ka çdo njeri;
Kur bie në dëshpërim,
Dhe ndjen se s’ka shpëtim.

Thonë se Shpresa të mban gjallë,
Thonë se Shpresa, vdes e fundit.
Absolutisht të vërteta janë,
Të dyja kuptim kanë.

Por Shpresa s’është garancia,
As dhe vetëm e vërteta;
Se çfarëdo që të ndodhë,
S’do të thotë se prapë ka Shpresa.

Mos mendoni se Shpresa,
Është një pafundësi;
Verbërisht po të besoni,
Shpresën më mos e kërkoni.

Zhgënjimet më të mëdha,
Vijnë kur Shpresa më nuk ka;
Kush atë e shpërdoron,
Kurrë më shpirtin s’e shëron.

Zhytur në trishtim të thellë,
Fajin kurrë s’e sheh tek vetja.
Një e dy, papushim thua:
“Ku dreqin humbi Shpresa?”

Shpresa çel porsi një lule,
Që petalet hap nën shi;
Po e njëjta nga flaka digjet,
Kur tradhëtohet rëndë nga ti.

Në këtë rast, pikërisht Shpresa,
Që Gjallë luftove ta mbaje sërish,
Ka ikur përgjithmonë,
Si e fundmë, ajo Vdiq!

Alban Kënuti

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment