Historia e një populli nuk ruhet vetëm në libra, dokumente dhe arkiva. Shpeshherë ajo jeton nëpër kulla të vjetra, nëpër gurë themele, nëpër kroje, nëpër shtigje mali dhe nëpër lisa shekullorë që kanë parë breza të tërë njerëzish duke kaluar para tyre. Një i tillë është edhe lisi i Arës së Kavazit në Bec të Dushkajës.
Siç e kam theksuar në pjesën e parë të këtij rrëfimi, të enjten, më 4 qershor 2026, isha në Biblotekën e Qytetit “Ibrahim Rugova” në Gjakovë dhe pasi vizitova edhe Deçanin dhe institucionet kulturore të këtij qyteti, duke përfshirë edhe bibliotekën, në të kthyer pata kënaqësinë ta vizitoj prof. dr. Halit Shabanin, stërnipin e Qel Shabanit në Beci të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Siç e kam thënë, se përveç mikpritjes dhe bujarisë së kësaj dere, biseda jonë u kthye te kujtimet e shumta që lidhen me figurën e Babë Qel Shabanit dhe luftërat e tij. Historia e Lisit të vjetër në Arën e Kavazit në Bec, ka qenë edhe më herët pjesë e rrëfimeve të mia të me hershme, sepse me këtë lisi lidhen kujtime sa të dhimbshme po aq edhe krenare të një kohe të trazuar. Pikërisht aty, zgurin e atij lisi, ishte fshehur pushka e Demë Ali Pozhari, i cili ia la amanet Halit Qel Shabanit, në vitet më të vështira të përndjekjes komuniste. Lisi është plakur, por historia që ai ruan ai mbetet e freskët në kujtesën e fshatarëve të Becit, Dushkajës dhe mbarë Dukagjinit.
Prezenca ime pran atij lisi dyqindvjeçarë më krijoi përshtypjen se ai Lis nuk është vetëm një dru i vjetër. Lisi ngjante si një rojtar i heshtur i kujtesës së kësaj ane. Degët e tij kanë parë kohë të vështira, ndërsa rrënjët e tij mbajnë të fshehura rrëfime që nuk janë shkruar gjithmonë në letër.
Për familjen e Qel Shabanit, por edhe për shumë familje të tjera të Dushkajës, ky lis mbetet një simbol i qëndresës. Pikërisht pranë tij lidhet njëra nga ngjarjet më domethënëse të historisë së kësaj dere, fshehja e pushkës së Demë Ali Pozharit, amanet i lënë në besë te bijtë e Qel Shabanit.
Ndoshta për kalimtarët e rastit që e shohin nga larg Lisin Plak në arat e Kavazit, nuk thotë gjë ky dru i moqëm dhe i plakur më tepër se sa vitet e tij, si dhe ata që e lexojnë këtë ngjarje të largët, kanë arsye të mendojnë se bëhet fjalë vetëm për një armë të fshehur në një kohë të vështirë. Por për brezat e asaj kohe arma e Demë Alisë, përfaqësonte shumë më tepër. Së pari ishte një amanet i besimit, pastaj një amanet i qëndresës dhe një amanet i vazhdimësisë së luftës për liri.
Kur Demë Ali Pozhari vendosi të largohej nga Kosova, ai nuk ia besoi pushkën askujt. Ai e la atë në duart e pasardhësve të Qel Shabanit, sepse e dinte se po e linte në një derë që nuk e thyente besën kurrë. Kjo flet më shumë se çdo dokument për autoritetin moral që gëzonte familja e Qelit në atë kohë. Mirëpo, amanetet e mëdha zakonisht kanë edhe çmimin e tyre. Pushka e Demë Alisë nuk ishte vetëm një kujtim i një luftëtari. Ajo u bë shkak që familja e Qel Shabanit të përjetonte përndjekje, burgosje dhe tortura të shumta nga pushteti komunist. Megjithatë, as atëherë nuk u shkel besa, dhe këtë e thonë rrëfimet dhe kujtimet si dhe shënimet nëpër libra historiografik.
Në këtë qëndresë shohim vazhdimësinë e karakterit të Babë Qelit. Ai kishte ndërruar jetë, por fryma e tij jetonte ende në shtëpinë, në bijtë dhe në nipërit e tij. Ata vazhduan ta mbronin amanetin me të njëjtën vendosmëri me të cilën ai kishte mbrojtur dikur idealet kombëtare. Nuk është e rastit që edhe sot, kur përmendet kjo familje, bashkë me emrin e Qel Shabanit përmenden fjalët: besë, burrëri, mikpritje dhe qëndresë. Këto nuk janë vetëm cilësi personale; ato janë vlera që u trashëguan brez pas brezi dhe që e bënë këtë derë të njohur në mbarë Dushkajën dhe përgjithsisht kudo në Rrafshin e Dukagjinit.
Vizita ime më 04 qershor 2026, bashkë me prof. dr. Halit Shabanin, pranë lisit të Arës së Kavazit, nuk ishte thjesht një ndalesë për të bërë disa fotografi. Ishte një rikthim në kujtesën time, për ato ngjarje që i kam shkruar për personalitete të shumta të Dukagjinit, duke përfshirë edhe babë Qel Shabanin. Për mua ishte një përkulje deri te rrënjët e lisit, para historisë së një familjeje që dha shumë për idealin kombëtar. Vërtetë për mua ishte një kujtim për burrat që nuk jetuan për veten e tyre, por për lirinë e vendit. Lisi tashmë ishte plakur edhe më shumë. Degët e tij sado të mëdha që ishin, ato nuk janë më aq të fuqishme sa dikur. Por ato degë në përvijim kohërash kanë lënë gjurmët e veta mbi trungun e tij dhe kanë shënuar histori në memorien e dukagjinasëve. Në anën tjetër shihet se historia që ai Lis ruan nuk është plakur. Ajo histori dhe ato ngjarje vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e njerëzve, në rrëfimet familjare dhe në faqet e historisë së Dushkajës dhe të Dukagjinit.
Ashtu si shumë figura të tjera të rezistencës shqiptare, Qel Shabani nuk jetoi për famë, por famën e tij e rritën betejat dhe ia ruajtën pasardhësit e kësaj familjeje. Jeta e Qelit kaloi nëpër beteja, nëpër kuvende burrash, nëpër udhëtime të gjata dhe nëpër sakrifica të shumta. Por pikërisht për këtë arsye figura e tij mbetet e madhe. Babë Qel Shabani ishte ndër ata burra që e matën jetën me shërbimin ndaj atdheut. Ai ishte pjesë e brezit që besonte se liria nuk dhurohet, por fitohet. Ishte pjesë e brezit që e mbante pushkën në njërën anë dhe besën në tjetrën. Ishte pjesë e brezit që nuk u përkul para pushtuesve dhe nuk u pajtua me padrejtësinë.
Prandaj, kur sot përmendet emri i tij, ai nuk përmendet vetëm si një kaçak, si një luftëtar apo si një nacionalist shqiptar. Ai përmendet si një simbol i një epoke të tërë qëndrese, si një burrë që i dha nder vendit të vet dhe si një figurë që e meriton të zërë vendin e saj në kujtesën tonë historike. Dhe derisa të qëndrojë në këmbë lisi në Arën e Kavazit, dhe për aq sa burrat e kësaj kulle të kolliten, kujtimi për Babë Qel Shabanin do të vazhdojë të jetojë në Bec, në Dushkajë dhe në mbarë Rrafshin e Dukagjinit, si kujtim i një kohe të vështirë, por edhe si dëshmi e një qëndrese që nuk u shua kurrë.
Vijon…
*Fotograf prof. dr. Halit Shabani.
Arat e Kavazit, 04.06.2026






