Para disa ditësh kam theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, maturi politike dhe vazhdimësi në drejtimin e shtetit.
Sot po e përsëris këtë shqetësim, sepse gjithnjë e më shumë po krijohet përshtypja se interesat e ngushta politike dhe kalkulimet personale po e tejkalojnë përgjegjësinë shtetërore që qytetarët presin nga udhëheqësit e tyre.
Kosova pothuajse një vit e kaloi mes ngërçeve politike dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Kjo situatë shtron një pyetje thelbësore: ku po na çon kjo logjikë e krizave të përsëritura dhe e kthimit prapa në procese që kërkojnë stabilitet dhe seriozitet shtetëror?
Nxitimet politike, kalkulimet e ngushta partiake dhe shmangia nga përgjegjësia institucionale nuk e forcojnë shtetin, përkundrazi, e dëmtojnë zhvillimin e tij dhe e minojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës. Sidomos në një kohë kur bota po përballet me kriza të shumta gjeopolitike, Kosovës i kërkohet më shumë pjekuri institucionale, më shumë koherencë politike dhe më shumë përgjegjësi shtetërore.
Kosova nuk e ka luksin të relativizojë funksionimin e institucioneve të saj apo të prodhojë kriza në vazhdimësi.
Stabiliteti institucional nuk është vetëm çështje e rendit të brendshëm politik, ai është kusht i domosdoshëm për besueshmëri ndërkombëtare dhe për avancimin e pakthyeshëm të Kosovës drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë së saj.
