Sot prita në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, të cilin e falënderova për vizitën dhe dialogun e vazhdueshëm. Diskutuam për të drejtat e komuniteteve, përdorimin e gjuhëve dhe qasjen në arsim e shërbime publike, si dhe për zbatimin e ligjit në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore. Ritheksova se barazia para ligjit është themel i Republikës sonë: të drejtat mbrohen dhe detyrimet zbatohen njësoj për të gjithë pa dallim.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë, në shumë aspekte përtej standardeve evropiane të mbrojtjes. Këto garanci duhet të gjejnë shprehje të plotë në jetën institucionale e shoqërore, përmes angazhimit aktiv të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të tyre, në respektim të ligjeve në fuqi. Mbrojtja e të drejtave dhe zbatimi i ligjit e përforcojnë njëra-tjetrën; përkatësia nuk mund të jetë bazë as për cenimin e të drejtave, as për përjashtimin nga detyrimet ligjore.
Ngrita shqetësimin për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet e Serbisë, përmes pasivizimit të adresave, pengesave në arsim dhe nënpërfaqësimit në institucionet publike. Kërkova angazhim të drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete të këtyre çështjeve: Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik.
Do ta vazhdojmë bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit Kamp, me bindjen të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit janë obligime komplementare dhe jo parime që garojnë me njëra-tjetrën.
