Në Prekaz, në ditën e dytë të Epopesë UÇK-së, aty ku shkojmë për t’ia kujtuar e përkujtuar vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin tonë të lirë e të pavarur, bashkë me anëtarë të kabinetit qeverisës dhe deputetë ishim sot për të bërë homazhe.
Kur flasim për sakrificën e Adem Jashari dhe Hamës Jashari, të Jasharëve, flasim po ashtu edhe për rrugën e gjatë të rezistencës dhe organizimit që çoi drejt kryengritjes gjithëpopullore dhe krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot Kosova ka ushtrinë e saj, e cila përmbush një amanet dhe ideal të atyre që luftuan për liri që prej orëve të para. Lavdi Adem Jashari dhe familjes Jashari për sakrificën e tyre sublime që qëndron në zemër të historisë së popullit tonë dhe të shtetndërtimit tonë.
