Home » PORTRET MËRGIMTARI: HAKI M. SUTAJ

PORTRET MËRGIMTARI: HAKI M. SUTAJ

nga World Ks

Sot, e enjte, më 22 janar 2026, në qytetin e bukur të St. Gallenit, patëm kënaqësinë të pimë kafen e mëngjesit me mikun tim të çmuar dhe bashkëveprimtarin shumëvjeçar, zotëri Haki M. SUTAJ, lexues i pasionuar, dashamir i librit dhe një nga mecenët më të përkushtuar të botimeve të shumë autorëve dhe veprimtarëve shqiptarë, jo vetëm në St. Gallen, por edhe përtej këtij qyteti e kantoni.

Haki Sutaj dallohet për humanizmin e tij të rrallë, për shpirtin bamirës dhe për dorëshlirësinë e tij të pakrahasueshme. Këto virtyte nuk janë epitete të rastësishme, por janë fituar e ndërtuar me punë të pandërprerë, me përkushtim dhe me ndershmëri në rrugëtimin e tij jetësor e profesional. Përmes kompanisë së vet, ai është bërë i zoti i vetvetes, shtyllë e familjes dhe mik i respektuar i shoqërisë.

Në kompanitë e tij sot punojnë mbi njëqind punëtorë, kryesisht shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, pa asnjë dallim regjioni apo përkatësie fetare. Për Haki Sutajn ekziston vetëm një kriter: punëtori i mirë – dhe ata edhe më të mirët. Ky vizion njerëzor dhe profesional e ka bërë atë jo vetëm një punëdhënës të suksesshëm, por edhe një model të bashkëjetesës, respektit dhe barazisë.

Në këtë udhë të ndërtuar me mund e djersë, ai ka stabilizuar veten dhe familjen e gjerë. Mbi të gjitha, ky mërgimtar i vyer ka rritur dhe shkolluar dy djem, të cilët, falë përkujdesjes dhe shembullit të tij si baba, sot mbajnë grada akademike MASTER E MË TUTJE, të diplomuar në Universitetin prestigjioz të St. Gallenit (HSG). Në mënyrën e vet, Haki Sutaj e ka përmbushur edhe thënien profetike të Zotit se “vetëm punëtori i ndershëm dhe i përkushtuar e merr bereqetin e punës së vet”.

Ky bashkëveprimtar i çmuar është Haki M. SUTAJ nga Lluka e Deçanit, pinjoll i denjë i familjes së njohur, të doajenit të gazetarisë kosovare, Ali SUTAJ.

Dy orët e kaluara sot me të mu dukën si dy minuta. Biseda jonë ishte e përqendruar në dy çështje thelbësore: Veprimtarinë e tij profesionale në ndërtimin e rrokaqiejve dhe ndërtesave shumëkatëshe në Zvicër, ku kompania e tij gëzon reputacion të lartë, si dhe pasionin e tij të veçantë për librin dhe kulturën. Natyrisht, në këtë frymë u ndalëm edhe te libri im, i cili u bë edhe shkak i këtij takimi të këndshëm dhe domethënës.

Haki Sutajn e falënderoj sinqerisht për kohën, për vlerësimin, për miqësinë e çiltër dhe për mikpritjen. Në mënyrë të veçantë, e falënderoj edhe për kafen e mëngjesit me të cilën më grishi sot.

Faleminderit, Haki M. SUTAJ!

Të uroj shëndet, paqe, fat e mbarësi në gjithë vazhdimësinë e jetës sate!

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment