Home » Fjalimi i Kurtit mbrëm në Prishtinë para Qytetarëve

Fjalimi i Kurtit mbrëm në Prishtinë para Qytetarëve

nga World Ks

Mirëmbrëma të dashur qytetarë,

Të nderuar kolegë nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës,

Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi,

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin këtu, pranë Bibliotekës Kombëtare, ne që guxojmë të vendosim vetë, sepse lëvizim me ide, dije dhe studime.

Përshëndetje për qytetarët e krejt Kosovës e në veçanti për qytetarët e Prishtinës, Mitrovicës, Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Vitisë, Kaçanikut, Vushtrrisë, Fushë Kosovës, Obiliqit e të Rahovecit. Këto zgjedhje janë për ju, sepse ju e keni në dorë që ta vulosni ndryshimin, të votoni për atë parti që në nivelin qendror i ka rritur ndjeshëm rrogat e pensionet, bursat për studentë dhe shtesat për fëmijët, ndërkaq në nivelin lokal, kudo ku kemi qeverisur kemi investuar shumë më tepër sesa paraardhësit tanë, nga të cilët trashëguam vetëm borxhe.

Përshëndetje për aktivistët, anëtarët dhe votuesit e VETËVENDOSJE!-s që me punën e kontributin tyre sollën rezultatin më të mirë që kemi marrë ndonjëherë në zgjedhje lokale si subjekt politik. E pra, prej raundit të parë fituam tre komuna, e kaluam në balotazh në 12 komuna të tjera, më shumë sesa çdo parti tjetër. Rritja jonë në zgjedhje lokale ka qenë më e ngadaltë, por edhe më e sigurtë. Kryetarët tanë lokalë në mandatin e shkuar, duke filluar nga Alban Hyseni, Shpejtim Bulliqi, Erden Atiqi, Lulzim Hetemi, Qemajl Aliu e Kadri Rahimaj, kanë qenë model i punës me përkushtim, dhe ende janë duke vazhduar të punojnë për projektet e tyre, pa ndërprerje përgjatë edhe fushatës. Tre prej tyre fituan pa balotazh, e Alban Hyseni në Gjilan për vetëm 71 vota mund ta kishte kryer në raundin e parë, por me siguri që do ta kryejë në të dytin. Ky rezultat fantastik tregon vlerësimin për investimet e duhura dhe punët konkrete. Në Shtime, Podujevë, Kamenicë e Gjilan, kandidatët tanë nuk janë votuar vetëm nga votuesit e VETËVENDOSJE!-s, por edhe nga votuesit e partive të tjera.

Me këtë rast i drejtohem pikërisht votuesve të partive të tjera: Të dashur qytetarë, mos shkoni pas kalkulimeve që bëjnë kryetarët, por shikoni interesin tuaj si qytetarë, të familjes suaj, të lagjes apo të fshatit tuaj, dhe votoni kryetarin që sjell investime për ju dhe pranë jush. Ata kryetarë janë Hajrulla Çeku në Prishtinë, Faton Peci në Mitrovicë, Artan Abrashi në Prizren, Ardian Gola në Gjakovë, Taulant Kelmendi në Pejë, Arsim Ademi në Viti, Jeton Raka në Kaçanik, Sylejman Meholli në Vushtrri, Valon Prebreza në Fushë Kosovë, Halil Thaçi në Obiliq, Ali Dula në Rahovec, Alban Hyseni në Gjilan. Populli ynë ka shumë fjalë e shprehje të urta, por njëra prej tyre thotë, mos i shiko gunën por shikoje punën. Kështu të dashur qytetarë votues të partive të tjera, mos shikoni partinë kësaj radhe, po shikoni punën që është bërë dhe do të bëhet. Në komuna si Shtimja e si Kamenica, për katër vite kemi çuar investime dhe buxhet aq sa të tjerët as për 20 vjet nuk i kanë çuar. E pra, pse të mos jenë edhe Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Gjakova, Peja, Vitia, Kaçaniku, Vushtrria, Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci njësoj si Podujeva e Gjilani? Pse të mos vijnë edhe te komunat tuaja investime dhjetëramilionëshe? Mendoni mirë të dashur qytetarë dhe zgjidhni kryetarin e duhur e që ju duhet!

Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor,

Ne duam që Kosova të vazhdojë të jetë e banuar në të gjitha anët e saj cep më cep. Nuk e duam braktisjen e fshatrave dhe as të qytezave. Këtë gjë në Evropë kanë arritur ta bëjnë vendet Skandinave dhe Gjermania, si askush tjetër. Ato vende i marrim si model për zhvillimin lokal dhe politikat lokale të cilat duam t’i zbatojmë. E vetmja mënyrë që kjo të ndodhë është investim i madh dhe i mençur për pushtetin lokal. Populli i Kosovës ka një pjekuri të rrallë, një patriotizëm shembullor dhe një rini moderne. Keni për ta parë se ky popull do t´i befasojë në balotazh dhe do të votojë kundër bllokimeve e blloqeve të prapaskenës, sepse ne e duam hapjen dhe modernizimin, zhvillimin dhe punën. Blloqet bllokuese do të bllokohen e komunat anembanë do të zhvillohen.

Të dashur pjesëmarrës,

Ne kemi premtuar dhe do ta mbajmë fjalën: një miliard euro investime nëpër komuna dhe për komunat. Por, ju e dini, unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave, për ata kryetarë të cilët nuk dinë të punojnë mirë, apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk duan punën, e as ata që dinë e duan të vjedhin. Me ata nuk ka investime e as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës.

Tash më konkretisht, të nderuar qytetarë,

Ju ftoj të gjithë ju që jeni votues në Prishtinë të votoni Hajrulla Çekun, ministrin më të suksesshëm në realizimin e investimeve, i cili po vjen me një mision të veçantë në kryeqytet. Unë sonte nuk do të flas për programin e tij të shkëlqyer, sepse ai do ta shpjegojë vetë në takimet me ju, por po flas për zotimet e mia si kryeministër dhe bashkëpartiak i Hajrulla Çekut. Me Hajron kryetar, në kohë rekorde do të japim mbështetjen për Unazën e Jashtme të qytetit, dhe puna do të fillojë brenda pak muajsh, sepse nuk e durojmë dot më bllokimin. Me Hajron kryetar e me VETËVENDOSJE!-n në qeverisje lokale, para vitit 2030 Prishtina do të jetë kryeqytet model për rajonin, i pajisur me stadiume, palestra, salla sporti, pishina dhe objekte të tjera sportive e kulturore, gati për të pritur një event gjigand siç janë Lojërat Mesdhetare. Me Hajron, për një Prishtinë së cilës ia kthejmë krenarinë, barazinë, funksionimin, zhvillimin. Andaj e ftoj këtu pranë meje e para jush, kryetarin e ardhshëm të kryeqytetit, Hajrulla Çekun.

Nga Prishtina e madhe, shkojmë te Mitrovica, komuna me një rëndësi vitale për Republikën e Kosovës, ku ne kemi një plan të gjerë zhvillimor. Me kryetarin e ri Faton Pecin, i cili ka qenë një ministër i shkëlqyer dhe një deputet shumë i votuar, jam dakorduar që me prioritet e pa u vonuar të ndërtojmë në Mitrovicë impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, kapacitetet për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinave si dhe rregullimin e pastrimin e shtratit të lumenjve Sitnicë e Ibër. Mitrovicën e duam dhe do ta bëjmë të pastër si loti, të përshtatshme edhe për turizëm e për sporte të natyrës. Veç kësaj, të dashur mitrovicas, prioritet i imi bashkë me kryetarin Faton Peci, është edhe ndërtimi i Spitalit të ri të Qytetit në Mitrovicë, një qendër shëndetësore multifunksionale e moderne që do t´i shërbejë pacientëve mitrovicas dhe komunave përreth. E di unë fort mirë se ka investime e interesime për bllokim e prapambetje të Mitrovicës. Por Mitrovicën do ta pastrojmë e do ta zhvillojmë, me mjedis, shëndetësi, arsim, punësim, kulturë e mirëqenie. Mitrovica nuk është cep i Kosovës, Mitrovica është zemra e Kosovës, andaj ju ftoj të votoni njeriun e dëshmuar për punë e për suksese, birin e komunës tuaj e vëllain tuaj, Faton Pecin.

Nga Mitrovica shkojmë drejt e në Prizren. Atje e kemi kandidatin e shkëlqyer, bashkëveprimtarin tonë në VETËVENDOSJE!, deputetin që i ka hije dhe peshë fjala, Artan Abrashin. Për kryeqytetin tonë historik e kulturor na duhet një mobilizim i veçantë. Do të jetë një katërvjeçar transformues, me VETËVENDOSJE!-n në qeveri e me Artan Abrashin në krye të komunës së Prizrenit. Projektet janë të shumta, Artani ka përgatitur një planprogam vizionar e shumë të detajuar, ju ftoj ta lexoni se është shumë interesant. Një projekt që ne do ta mbështesim e që i jep frymëmarrje qytetit, është ndërtimi i tunelit të Bajërit, nga ITP-ja deri ne Marash, i gjatë 1,3 km. Sipas studimeve të ekspertëve, ky tunel do të reduktojë trafikun e veturave deri në 40%, pra do ta zhbllokojmë dhe Prizrenin. Në vitet e 70-ta ka ekzistuar plani për këtë tunel, por Jugosllavia nuk e bëri, e merreni me mend, nuk e bënë as qeveritë tjera para nesh. Por, ne do ta bëjmë, sepse ne, bashkë me kryetarin Artan Abrashi, jemi misionarë të ndryshimit dhe të zhvillimit, jemi shërbëtorë të qytetit dhe të banorëve.

Prej Prizrenit shkojmë në djepin e arsimit dhe të kulturës, në Gjakovë, ku kemi profesorin Ardian Gola. Ardian Gola është një kandidat që do ta kishte zili çdo qytet, një sociolog, mendimtar e shkencëtar që na bën krenarë që e kemi koleg. Një njeri i sjellshëm e i kulturuar, me frymë moderne e me ndjenjë e vetëdije të lartë qytetarie. Programi i Ardianit është ambicioz e i gjerë, por unë sot do të flas vetëm për ato pjesë që ne si qeveri dhe unë si kryeministër, duke qenë të sigurt se kryetari Gola dhe komuna do të bëjë edhe shumë punë të tjera, ne do ta mbështesim pa rezervë, pa pushim, pa kursim. E para, Parku Multifunksional Olimpik i Gjakovës, një hapësirë në shërbim të krejt sportistëve të Kosovës, por edhe të atyre nga rajoni. Nuk ka te ne terrene për sporte olimpike, e Gjakova do të jetë e para që do të ketë të tilla, me standarde europiane. Zotimi i dytë, dhe ky është shumë i rëndësishëm, Gjakova do të jetë vendi ku do të lidhet siguria dhe ekonomia. Atje do të zhvillohet industria për prodhimin e dronëve ushtarakë dhe civil, si dhe fabrika për prodhimin e municioneve. Gjakovës do t´ia kthejmë industrinë, sepse vetëm ashtu mund t´ia kthejmë edhe rininë, që të punojnë pranë familjeve të tyre pa patur nevojë të largohen në Prishtinë apo jashtë vendit tonë.

Nga Gjakova shkojmë në grykë të Rugovës, rrëzë bjeshkëve madhështore, te lulja e Dukagjinit, Peja e besëlidhjes, Peja e traditës dhe e krenarisë, por edhe Peja e punës dhe e turizmit. E pra në Pejë, kur ta bëjmë kryetar një djalë shembullor si Taulant Kelmendi, unë si kryeministër zotohem se do të merrem vetë personalisht për të realizuar Qendrën Turistike Borea. Prej 13 vitesh e kanë premtuar ata të tjerët. Nuk e kanë bërë, as kur kryeministrin e kanë pas të vetin, e as me mua, sepse ata janë te premtimet boshe e jo te puna reale. Një mandat i mjafton Taulant Kelmendit, që lulja e Dukagjinit të lulëzojë, që Peja të ngrihet krenare e të ftojë turistë nga Kosova e Shqipëria, nga rajoni e nga gjithë Europa.

Nga Peja te Vitia, te doktori i shkencave bujqësore Arsim Ademi. Në Viti e ndjejmë entuziazmin e bashkimit në mbështetje të ndryshimit. Arsimit i kam premtuar, dhe unë gjithmonë e mbaj fjalën, prioritet qeveritar do të jenë rritja e kapacitetit për prodhim të ujit të pijes dhe rrjeti i furnizimit me ujë në çdo fshat të komunës e lagje të qytetit. Veç kësaj do të investojmë urgjentisht në ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza bashkë me kolektorët kryesorë. E banorëve të Vitisë u zotohem se shpejt do ta bëjmë edhe rrugën tranzitore për Vitinë.

E nga Vitia kalojmë te Kaçaniku ynë heroik. Kaçaniku shkëmb e gur ka nevojë urgjente për zhvillim, për ekonomi dhe për infrastrukturë. Me kryetarin Jeton Rakën dhe qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, të gjithë banorëve të Kaçanikut ju jap fjalën e nderit se në kohë shumë të shpejtë do të zgjidhet çështja e ujit të pijes me fabrikën e përpunimit të ujit. Edhe në Kaçanik do të investojmë për sportin, një stadium futbolli që do të jetë krenaria e tifogrupit simpatik “Fikshat” që na kanë mbështetur për shumë kauza kombëtare. E te hyrja e autostradës, aty pranë, do të ndërtojmë parkun industrial në shërbim të bizneseve të zonës. Kështu Kaçaniku jo vetëm shkëmb e gur, por edhe ujë, sport dhe ekonomi, pra jetë, shëndet dhe mirëqenie, sepse do ta ketë kryetar Jeton Rakën.

Prej Kaçanikut lëvizim në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës dhe e shumë patriotëve e dëshmorëve. Vushtrria e traditës, urës, kalasë. Vushtrria e bujqësisë dhe e përpunimit të ushqimit. Në Vushtrri e kemi kandidatin tonë, Sylejman Mehollin, i cili tashmë ka siguruar edhe mbështetjen e ish-kryetarit Xhafer Tahiri, me të cilin kemi qenë dikur në bashkëqeverisje. Banorët e Vushtrrisë e dinë që ky bashkëpunim sjell vetëm zhvillim. E këtij zhvillimi unë po ia shtoj edhe zotimin që me Dr. Sylën kryetar e me VETËVENDOSJE!-n në qeveri, ngrohtorja e qytetit do të realizohet shumë shpejt dhe do të pajisen banesat me qasje në ngrohje publike.

Nga Vushtrria shkojmë te Fushë Kosova e Valon Prebrezës. Fushë Kosova është tash thuajse e bashkuar me Prishtinën, por qeverisjet lokale deri më sot kanë krijuar atje një kaos urban, pa shërbime publike dhe infrastrukturë të nevojshme. Me Valon Prebrezën, i cili është i dëshmuar si menaxher i aftë dhe si drejtues i pakorruptuar, ne do të sjellim frymë urbane e funksionale dhe zhvillim modern për të gjithë për Fushë Kosovën. E nga ana e qeverisë sonë, zotohemi se do të financojmë dhe do të zbatojmë me shpejtësi infrastrukturën dhe impiantin për kogjenerimin dhe ngrohtoren e qytetit. Prishtina e ka, duhet ta ketë edhe Fushë Kosova, dhe me Valon Prebrezën, shumë shpejt do ta ketë.

Nga Fushë Kosova shkojmë në komunën fqinje në Obiliq, qyteti të cilin ne e duam dhe e thërrasim Kastriot. Atje prodhohet energjia me të cilën nxehet e gjithë Kosova. Por, fatkeqësisht, Kastrioti që jep ngrohje për gjithë Kosovën, nuk ka ngrohje qendrore për vete. E pra të dashur banorë të Kastriotit, nëse doni që Obiliqi të bëhet përfundimisht Kastriot dhe nëse dëshironi të shihni të realizuar projektin e ngrohjes qendrore, ju e dini adresën. Halil Thaçi, një njeri i vendosur, shumë punëtor, që nuk tutet e që nuk heziton e që nuk vjedh, por veçse punon, shërben e kontribuon. Me Halilin kryetar e me qeverisjen tonë qendrore, ngrohja qendrore e Obiliqit do të jetë prioritet lehtësisht i realizueshëm.

E nga Kastrioti shkojmë në Rahovecin e vreshtave, e verarive, të fermerëve shembullorë, të grave të Krushës së madhe, e të ideologut tonë kombëtar, Ukshin Hotit. Në Rahovec kemi shumë projekte me kryetarin Ali Dulën, por Aliu më ka kërkuar të vendosim si prioritet qeveritar zgjerimin e sistemit të ujitjes së tokave, duke potencuar edhe ujitjen e vreshtave me sistemin pikë-pikë. E pra, i dashur prof Ali, unë u konsultova edhe me specialistët e bujqësisë në qeveri, dhe sot mund ta them me plot bindje se sistemi i ujitjes në Rahovec do të zgjerohet, sepse është jo vetëm interes i Rahovecit, por edhe interes për ekonominë kombëtare mbarë. Rahoveci do të bëhet perla e vreshtarisë të rajonit tonë Ballkanik e jo vetëm e Kosovës.

E krejt në fund shkojmë në Gjilan te Alban Hyseni, kryetar i tanishëm dhe i ardhshëm i Anamoravës. Për 71 vota po na duhet me dalë në balotazh në Gjilan. Megjithëkëtë, Albani është punëtor e i ri, ka energji e dije, kështu që as nuk lodhet e as nuk përton. Në Gjilan përveç përfundimit të projekteve problematike që kemi trashëguar, zotohemi për dy gjëra, të cilat i kemi diskutuar e përmendur edhe më parë. Ngrohtorja e qytetit është prioritet, një projekt krejt i ri që do të çojë ngrohje në banesa e do të kursejë energji dhe para. Përveç kësaj do të bëjmë dhe unazën e qytetit, apo rrugën qarkore, ku tashmë kemi nisur me shpronësimet. Gjilani e di çka do të thotë të punosh me nder e të rrisësh investimet. Prandaj Albanit i themi, kurrë mos u ndal e ne do të bëjmë kryetar.

Të dashur qytetarë,

Këta pra janë 12 kandidatët tanë, 12 kryetarët e ardhshëm në 12 komuna të Kosovës, atëherë kur do të numërohen votat në mbrëmjen e 9 nëntorit, pra nesër mbrëma një javë. Ndërkohë, në këto 8 ditë, ua thoni të gjithëve se këto zgjedhje komunale, lokale, janë po aq të rëndësishme sa zgjedhjet parlamentare, qendrore. Ju të gjithë e shihni se sa përpjekje po bëhen për t´ia ndalur Kosovës ngritjen e rritjen. U pa se si VETËVENDOSJE! nuk mjafton të fitosh për pak e as të dalësh i pari, duhet të fitosh edhe më shumë se bindshëm, sepse kjo është e vetmja mënyrë që ta çojmë përpara agjendën tonë zhvillimore e progresiste e shoqërore, shtetërore dhe kombëtare.

Në emër të gjithë juve, i bëj thirrje sërish bashkatdhetarëve tanë mërgatës sonë të dashur, që të votojnë me postë deri më 8 nëntor ata që janë të regjistruar, e ata që nuk janë regjistruar, po të kenë pak mundësi, sadopak mundësi, të vijnë të votojnë fizikisht. Çdo votë është e vlefshme, cilado votë mund ta bëjë dallimin.

E për më tepër, të nderuar qytetarë, zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, duket se po shkojmë edhe drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por këto zgjedhje lokale janë ndikuese edhe për fatin e zgjedhjeve të përgjithshme, kështu që, mos e lini për pak, dilni e mbështesni kandidatët tanë, sepse kjo na jep energji që të fitojmë edhe më fort edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ju falënderoj të gjithë juve, secilën e secilin prej jush, dhe ata që nuk janë këtu, e që punojnë pa u lodhur e pa u ndalur për fitoren e kryetarëve tanë, fitoren e Lëvizjes sonë! U jam mirënjohës për të gjithë atë angazhim që e kanë bërë në gjithë ato fushata por edhe jashtë tyre, por le të bëhemi tani bashkë, ministra e zëvendësministra, deputetë e asamblistë, aktiviste e aktivistë, cep më cep Republikës së Kosovës, edhe nga diaspora jonë, bashkë, të dielën e 9 nëntorit, në mbrëmje, le të shndrisin 12 yje në qiell prej këtyre 12 kryetarëve tanë, atëherë kur do të shpërthejë fuqishëm festa e fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Hajra, Fatoni dhe Albani, Taulanti, Ardiani dhe Artani, Aliu, Jetoni dhe Arsimi, Syla, Halili dhe Valoni, këta janë emrat e kryetarëve që i duhen Republikës së Kosovës, e të cilët ju do të mund t’i bëni fitimtarë të dielën e 9 nëntorit.

Ju faleminderit shumë për punën, vëmendjen, pjesëmarrjen, angazhimin, kontributin!

Natën e mirë e mirupafshim.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment