Home » Partia Demokratike në Mitrovicë, duke falur sabahun.

Partia Demokratike në Mitrovicë, duke falur sabahun.

nga World Ks

Partia Demokratike në Mitrovicë, duke falur sabahun.

Qan e qesh Talia 🎭

– Ora 05:00

Partia Demokratike në Mitrovicë, duke falur sabahun.

Anipse xhami demokratike s’mund të ketë, asaj i bashkëngjitet Kryetari i Gjilanit, që flasin me njëri-tjetrin vetëm në xhami.

Urdhrat e Zotit i zbatojnë veç brenda saj, sepse jashtë pinë raki:

një gotë raki – një namaz: “më fal, o Zot!”

– Ora 06:17

Nuk më shkohet në punë.

Mund t’u them se nuk ndjehem mirë…por kam frikë se manifestohet pastaj…ligji i tërheqjes…

mund të mos ndjehem mirë përnjëmend.

– Ora 07:00

Derisa i lyej buzët me të kuq pyes veten: ‘Të jesh apo të mos jesh’

dhe pastaj vetja ime ma kthen:

‘Ty nuk të pyet askush. As nuk varet prej teje.

– Por më trego ti mua si t’ia bëj hallit:

e kam lënë me dikë të takohem për kafe e s’dua’.

E…unë kurrë s’dua…po çka t’i them që të mos vërehem:

T’i them se si më

duhet të shkoj në Mitrovicë…

Apo…T’i them se papritur…ndodhi…!

– Ora 08:00

Kolonë, si gjithmonë.

Dëgjoj Radio KFOR-in (siç e dini serbisht).

Përsëritet reklama:

‘Qielli i Kosovës është pronë e KFOR-it, askush s’mund të fluturoj pa lejen tonë…’…përveç dronët e Serbisë, gabimisht.

E parkoj veturën te Rilindja.

Aty është një gropë e madhe, rreth të cilës parkohen veturat e administratës.

Askujt s’i pengon gropa, as mua.

Ka efekt edukativo-hyjnor ajo gropë:

Ta rikujton se pa rënë në gropë, nuk rilind.

– Ora: 09:00

Shpërndaj buzëqeshje, gjithandej: buzëqeshja ime s’është e sinqertë, shpërndahet si ndihmat humanitare, në mënyrë të barabartë, si për njeriun e keq, si për të mirin, nëse ndodh që e njoh ndonjë të tillë.

Çfarë do të ndodhte nëse prej sot do të vendosja të mos shtirem më?

E di çka. Do të dukesha e trentë, cinike…edhe arrogante….si dhe e poshtër, shumë.

Prandaj, edhe shtirja dhe mirësjellja e rrejshme bëhen me qëllime humanitare: për të mos i lënduar njerëzit me të vërtetën.

Se e vërteta nuk të çliron, që thoshte Frojdi, por të lë pa mend.

E ke parë: kur dukesh bukur në foto, nuk të intereson e vërteta se si dukesh jashtë fotos…ti kryesore ndjehesh mirë.

Ua rekomandoj: Tretmanin me gënjeshtra për qëllime humanitare dhe ngritjen e moralin njerëzor.

Ora: 09:30

Mimoza Kusari lavdërohet që ka lindur në të njëjtën ditë me Enver Hoxhën, me Sali Berishën e me disa VIP-a të tjerë.

Për fatin e saj të mirë edhe Vladimir Putini e ndan datën e saj të lindjes si dhe plot vrasës serik….

E mjerë.

Ora 10:00

Një mashkull hyri Live në Radio shqip.

Ia uroi gruas së tij punësimin në një dyqan me këngën ‘Unë t’du’ veç kur ndalen dritat’.

Shumë i gëzuar…

Mendova: këta meshkujt që martohen për pare, ‘prostuticion martesor’ nuk quhet…s’di si quhet.

Pastaj u ktheva prap te Radio KFOR-i serbisht, sepse ia nisi të qante Yll Limani.

Është i butë, por është si Ylli më i largët që nuk e sheh dielli…ajo vuajtja e tij,….

njëkahëshe, pambarim…

…ka aq pikëllim në këngët e tij sa duket sikur e vajton një dashuri që nuk e ka provuar.

Sepse s’ka tregim qind për qind tragjik, prandaj kur mundohesh të bëhesh qind për qind dramatik, bëhesh qesharak.

Se edhe pas apokalipsës parashikohet ringjallja….ndërsa pas këngëve shqip, s’ka jetë.

Ndarjet mund të jenë edhe çlirim, se ta përtërijnë shpirtin…dhe shtratin, sipas popullit.

Ora 11:00

Duke menduar për burrin amvis që në radio ia uroi gruas punësimin, e paramendova veten duke punuar për ta mirëmbajtur një burrë që rri gjithë ditën në kokërr shpine, duke shikuar vajza seksi në Instagram,

derisa unë të kthehem

nga puna për t’ia bërë bukën….

….m’u kujtua Çajkovski.

U martua për t’ia mbyllur gojën popullit rus, por nuk duroi të shtiret si burrë as dy muaj.

Kur i çonte letra ish gruaja, Çajkovski bërtiste, acarohej aq shumë, sa s’guxonte kush ta pyeste: Pse.

Në letrat që ia dërgoi vëllait të tij, Çajkovski ish gruan e quante ‘reptile’.

Ne në Ballkan qëndrojmë më

mirë, se meshkujt na quajnë ‘lopë’, së paku, produktive.

Ka lloj-lloje dashurie, por më e rrezikshmja është ajo që të quan produkt.

Kuptohet, ish gruaja…pastaj ka përfunduar në ‘Çmendinë’!

Jo që është braktisur nga burri, por që është braktisur nga vetja.

Ora 12:00.

Kafenetë plot.

Ulem në një qosh me kokë kah muri me një portret me sy të zi.

Kur e shikoja pikturën më dukej si një fytyrë e murosur, që dëshiron të

dalë nga pëlhura në kornizë…

E hap Instagramin.

S’më pëlqen kur ma

përplasin lumturinë hundëve…se pastaj i bie se veç unë s’jam ‘e lumtur’….prandaj gati askënd nuk e shikoj, as kur ua hapi story-t.

Shikimet e Liket e mia janë kryesisht me bazë humanitare.

Ka edhe nepotizëm dhe meritokraci, por edhe reciprocitet në Like-t e mi …

familjarët kanë përparësi, më pëlqyen s’më pëlqyen fotografitë e tyre.

Për sherr e kuptova se si ‘dikush’ më kishte privuar nga mundësia t’ia shikoj lumturinë në ekspozitën e ‘story-ve’…

Më kaploi një ndjenjë e një vetmie të re.

Dhe duke e ditur se kur jam më së ngushti mua më qeshet, dhe qëllimi im më i lartë në jetë është që me çdo kusht ta relativizoj dramën, e ta shpëtoj shpirtin me humor, i thashë motrës:

– Unë mund t’i shkruaj mesazh dhe t’ia tregoj të vërtetën.

Ti them se, çdo Like i imi për ty ka qenë me bazë humanitare…

Po qesha aq shumë me veten sa e harrova problemin që më kishte goditur, me rastin e privimit tim nga story-t….

Unë jam e vendosur, kokëfortë, kur e fshijë dikë, domethënë është një fund serioz, çdo ndarje imja është si një ‘funeral emocional’, që tregon se ai njeri s’më intereson më…kurrë.

– Ora s’di sa

Edi Rama e ka mashtruar Hashim Thaçin dhe pjesën e popullit të tij, si ata meshkujt që i mashtrojnë femrat, me fjalë…

dhe me ëndrra të parealizuara, duke u premtuar se do t’ua zgjidhin problemet e pazgjidhura.

Edi Rama e përqafoi Vuçiqin, s’ka problem…se dashuria nuk njeh kufij, njeriu mund të dashurohet edhe në armikun e tij (larg qoftë),

dhe në të njëjtën kohë e mashtroi Hashim Thaçin që bashkë me Vuçiqin, ta ndajnë Kosovën.

Për hir të Hashim Thaçit, për simbolikë, më 17 tetor në ora 17:00, Edi Rama e organizoi në Tiranë një Koncert folklorik që e quajti Protestë, por vet nuk mori pjesë me arsyen se…tha politizohet Koncerti:

hyri dhëndër me këllqe të huaja.

E Parlamenti shqiptar, me vepër, vendosi gjithçka kundër asaj që u tha me vjersha, këngë e hare në Koncert.

Deputetët e Edi Ramës për hatër të Vuçiqit, nuk e votuan Rezolutën kundër gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Mashtrimi është aq i madh sa që protestuesit as nuk e dinë se morën pjesë në Koncert me vargje që dergjen kundër Evropës, e jo në Protestë.

Evropianët nuk janë dëshmitarë kundër shqiptarëve, por shqiptarët kundër shqiptarëve.

Në Protestë nuk recitohet: Çohu Skënder Beu, tregoja vendin Evropës.

Nuk e pret ti Skënderin, se e di që s’çohet nga varri.

I biri i Hashim Thaçit është viktima e re e manipulimeve të mashtruesve: Ali Ahmet Kumanovës dhe Edvin Kristaq Ramës, baba i këtij të fundit që ia dha nënshkrimin Enver Hoxhës (bashkëmendimtarit të Mimoza Kusarit) për pushkatimin e poetit.

Ky djali i ri kujton se fati të bën të mençur…shkaku se është mendjelehtë, nuk e kupton se asnjë Koncert nuk mund ta frikësojë Gjykatën Speciale.

Sepse ashtu do të përmbysej Drejtësia në botë.

Një protestë, një koncert masiv dhe anulohet Drejtësia.

Hashim Thaçin dhe të tjerët i liron nga burgu vetëm Pafajësia, jo Koncertet dhe thirrjet që të çohen heronjtë nga varret…

Në Shqipëri ‘lindi’ Shtëpia e Verdhë dhe pikërisht gazetarët e Edi Ramës e përhapën lajmin e rrejshëm bashkë me gazetarët e njohur të Kosovës.

Ndoshta tash Gjykata emocionohet, pasi e pa Taulant Ballën mashtruesin (që s’e votoi në Parlament Rezolutën kundër gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës), duke e përqafuar në Koncert të

birin e Hashim Thaçiit…

…apo kur e pa Gjykata në Koncertin kundër saj, Përparim Ramën që i shfrytëzon të gjithë, kush i del përpara, duke shprehur habinë që ndjehet shqiptar…,

…sidomos Lutfi Hazirin kur e kanë parë aty…zbythet Gjakata.

Jo.

Nuk është kidnapuar babai yt nga Drejtësia, siç po të mashtrojnë, është dorëzuar vet, sepse e ka votuar një Gjykatë që i ka thënë Edi Rama nga helikopteri: votoje sepse nuk vlen për Ty.

Ata nuk janë në burg se u tradhtuan nga armiqtë, por janë në burg se u tradhtuan nga miqtë e tyre…!

– Ora një mbi një

Dikush mendon për mua:

Një ‘Poet i porositur’ apo një djalë që frikësohet nga ndjenjat e tij, dhe kujton se unë mund t’ia paloj ndjenjat si teshat, sipas ngjyrës.

Edhe sikur t’i bashkonin forcat këta të dy, një mashkull i kompletuar nuk do të dilte prej tyre.

– Ora e rërës

Ushtria e Kosovës ka hyrë gabimisht në Kosovë.

Komandanti i Ushtrisë i kërkoi falje KFOR-it, duke ia shpjeguar se si kanë kujtuar se po shkojnë në Serbi, e kanë gabuar rrugën dhe kanë shkuar nga Kosova në Kosovë.

Komandanti i ushtrisë së Kosovës u pa i përlotur.

E Kryekomandatja e Ushtrisë, Vjosa Osmani, qëlloi në Tiranë, për ta shikuar nga Dajti Koncertin kundër Gjykatës Speciale.

Ushtria e Kosovës ekziston, por me një kusht që nuk duhet të duket!

Është si një ushtri me ferexhe…!

S’më duket aq e bukur kjo simbolila ime me ferexhe…prandaj po them se është si një ushtri fantazmë, ose hyjnore, që edhe kur lufton, nuk shihet…veç kur nuk lufton shihet.

– Ora 15:00

Një shoqe ma rrëfeu një dialog të vajzës së saj dhjetë vjeçare me shokun e saj të bankës.

– Vajza – djalit: Kush të ndihmon me detyrat e shtëpisë?

– Djali: Babi.

– Vajza: E mami?

– Djali: Mami im ka vdekur.

– Vajza: Më fal që të ka vdekur mami.

– Djali: Jo, ti s’ke faj…

– Vajza: A e ke dikë tjetër?

– Djali: një motër të vogël autiste, për të cilën kujdesem…dhe gjyshen…

Kështu, vajza mërzitet shumë për fatin e shokut të bankës, duke u munduar ta kuptoj se ‘pse nanat vdesin’.. e qetësohet vetëm pak….pasi djali e kishte një gjyshe…

– Ende pa e përfunduar rrëfimin, lot pas loti…për dy fëmijë dhjetë vjeçar që flasin si njëqind vjeçar, dhe e prekur thellë nga ngushëllimi i vajzës ‘Më fal që të ka vdekur mami’….

…e pranova se dështoi qëllimi im më i lartë në jetë: që të ngritem mbi dramën me humor…

Unë mund të qesh me dramën, por vetëm me dramën time, jo me të tjerëve. .

– Ora e shpirtit

E sheh shpirt që s’varet prej teje..

Derisa po qaja për fatin e një djali që nuk e di kush është as nuk ia di emrin, dhe nuk do ta kuptoj kurrë,

mendova: a thua sa veta kanë qarë për mua tinëz, dhe nuk më kanë treguar, nuk e kam ditur as nuk do ta kuptoj kurrë.

Ndoshta lotët e fshehur për ne, lotët e atyre që nuk na njohin, janë si lutje prej uji që na mbrojnë nga nata e errët e shpirtit…

– Ora e metaforës

Baba im nuk ka folur kurrë për ndjenja.

Një herë foli dhe ato ishin të rënda.

Verës sivjet më tha: s’ka natë që nuk lutem për ty.

Më mirë të mos më kishte treguar.

Nuk e pyeta pse lutet dhe çka lutet, por e dita: të më shpëtoj nga vetmia.

Kur jetoja në shtëpinë e prindërve, ngujohesha me javë dhe lexpja. Sepse…çdo gjë jashtë librave është kaq prozaike.

Nganjëherë e hapte derën, sikur mundohej të më shpëtonte nga librat: dil nga librat e jeto…!

Dhe, pastaj lotët për atë djalin jetim, u kthyen kah unë…s’më kujtohej njëri që nuk është jetim…

më vinte shumë inat që po dezertoja emocionalisht nga qëllimi më i lartë në jetë…

ndjehesha si në një burg e lidhur me zingjir emocional.

Por si t’ia shpjegoj…se Vetmia për mua …është si ujë i ngrohtë që ta tëhollon gjakun…një qetësi që të pastron nga ndjenjat dhe nga fjalët e tepërta që…i urrej.

– Ora e daljes nga burgu emocional

U ktheva tek qëllimi im më i lartë…

Lëshova muzikë me zë që e dridhte tavanin, dhe nisa të vallëzoj midis dhomës.

Duke vallëzuar, harrova që pak më parë isha e trishtuar.

Megjithatë e paramendoja veten duke vallëzuar me një djalë

që vallëzon krejt…si unë…thuajse s’më shikon askush…thuajse përveç meje, s’ekziston askush në këtë botë.

P.S. ‘Ora dy e natës,

trak e truk tek dera

Çohu moj zemër çohu,

Jemi moj dy shofera’

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment