Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kongresistin republikan Keith Self.
Takimi mes Kurtit dhe kongresistit amerikan u zhvillua në Konsulatën e Republikës së Kosovës në New York.
“Kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Republikës së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti ka njoftuar Self për investime që janë bërë për ngritje të kapaciteteve profesionale e operative të FSK-së, po ashtu për pajisje e armatimin nga SHBA-të.
U fol edhe për vendimin e Qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga SHBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe për heqjen e tarifës doganore ndaj produkteve me origjinë nga SHBA-të.
“Gjatë takimit, gjithashtu u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare në ShBA në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin privat përmes fasilitimit të investimeve të huaja direkte” – thuhet tutje në komunikatë.
Kurti ka ftuar Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi për përkrahjen e tij ndaj Kosovës si dhe për anëtarësimin në NATO dhe struktura tjera euroatlantike.
Kryeministri në detyrë ka shprehur gatishmëri të Kosovës për bashkëpunim më të afërt me qeverinë amerikane dhe Kongresin në promovim të vlerave dhe interesave të përnbashkëta.
Kurti është në New York për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.