Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork se Kosova e ka vendin në OKB.
Presidenti Begaj tha se 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dëshmuar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe vlerave demokratike.
“Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Begaj.
Presideti Begaj kërkoi edhe respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, integrimin e tyre, përdorimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e identitetit e kulturës së tyre.
Sa i përket Shqipërisë, Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si rruga e vetme drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm.
“Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. E ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti,” tha ai.
Kreu i Shtetit kujtoi udhëtimin e Shqipërisë nga izolimi tek integrimi euroatlantik dhe theksoi përkushtimin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.