Home » NATO ndez sirenat e luftës, dërgon në Poloni avionë dhe fregata për të siguruar kufijtë

NATO ndez sirenat e luftës, dërgon në Poloni avionë dhe fregata për të siguruar kufijtë

nga World Ks

Lajmi për forcimin e NATO-s në krahun lindor arrin në kufirin me Bjellorusinë, ndërsa helikopterët e errët të Aleancës fluturojnë lart në qiell. NATO inauguron misionin “Roja e Lindjes” dhe flitet gjithashtu për një mundësi vendosjeje të një zone të ndaluar për fluturime, që do të mbrojë vendet partnere më të ekspozuara ndaj kërcënimit rus. Duke filluar nga e enjtja në mesnatë, Varshava ka vendosur të mbyllë kufijtë me fqinjin, nga territori i të cilit të mërkurën në agim u ngrit një pjesë e 19 dronëve që shkelën hapësirën e saj ajrore dhe ku tani po zhvillohen manovrat ushtarake të përbashkëta me ushtrinë ruse. Putini dhe Lukashenko i kanë quajtur ato”Zapad 2025″, që në rusisht do të thotë “Perëndimi”, një emër që vetëm në vetvete shton shqetësimet perëndimore për lëvizjet luftarake të Moskës.
Duke udhëtuar përgjatë kufirit mes Chelm dhe zonës doganore të shkretë të Terespol vihen re disa njësi ushtarake polake që kontrollonin qiellin, disa fluturime helikopterësh, por një prani shumë diskrete të kontingjenteve tokësore të NATO-s. “Shqetësimi ynë më i madh janë sulmet kibernetike ruse dhe blogerët e tyre, që shpërndajnë lajme të rreme në rrjetet sociale lokale, duke pohuar se dronët që na sulmojnë janë ukrainas. Moska përpiqet të ndikojë opinionin tonë publik prej vitesh tashmë”, thotë Peter Kusmierzak, reporter i njohur i televizionit kombëtar Polsat.
Sidoqoftë, qeveria polake dhe një pjesë e madhe e udhëheqësve të NATO-s e hedhin poshtë plotësisht idenë se sulmet me dronë ishin një seri “shkeljesh aksidentale”, siç pretendon Moska (dhe vetë Donald Trump duket se pajtohet), me deklarata që kundërshtojnë, ndër të tjera, qëndrimet e kryeministrit polak Donald Tusk dhe fjalët e Mark Rutte. “Veprimet e Moskës kanë qenë të paktën të pamenduara dhe të papranueshme. Nuk mund të kemi dronë rusë që depërtojnë në hapësirën ajrore të aleatëve”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Bruksel, ndërsa shpallte lindjen e operacionit të ri “Roja e Lindjes”. Në krah të tij ndodhej komandanti i trupave amerikane në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich.

Bërthama e patrullimeve do të jetë sigurimi i hapësirës ajrore të Polonisë dhe vendeve baltike: misioni i ri ka nisur që mbrëmë me forca të vëna në dispozicion nga aleatë të ndryshëm. Për momentin bëhet fjalë për dy avionë F16 dhe një fregatë holandeze, tre avionë Rafael francezë dhe katër Eurofighter gjermanë: gjithsesi një rritje modeste. Mbrëmë, me kërkesë të Polonisë, u mblodh gjithashtu edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së për të diskutuar mbi krizën.

Rutte ka sqaruar se ende nuk është përcaktuar me siguri nëse “shkeljet ruse” kanë qenë të qëllimshme apo jo, por fakti është që presioni po rritet dhe Aleanca nuk ka ndërmend të kapet në befasi. Në krah të tij, Grynkewich u përpoq të hedhë poshtë zërat kritikë dhe dyshues mbi kapacitetet e reagimit të aparateve ushtarake perëndimore. “Atë mbrëmje ishim të pozicionuar mirë dhe po mësojmë. Jemi në gjendje të reagojmë me një kohëzgjatje taktike të rëndësishme”, tha amerikani.

Por shqetësimi i madh i Brukselit mbeten qëndrimet e Trump. “Edhe ne do të kishim dashur shumë që sulmi me dronë rusë të kishte qenë një gabim. Por nuk është kështu”, kishte reagoi që të enjten Tusk. Dje, Trump e korrigjoi veten pjesërisht në një intervistë me Fox News, ku përsëriti se “durimi i tij me Putinin po mbaron, dhe shumë shpejt”.  Ndërkohë, Moska po rifillon fushatën e saj të akuzave kundër Kievit dhe evropianëve. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmytri Peskov, ka specifikuar se negociatat e paqes me Ukrainën janë “në ngërç” dhe BE-ja po e ndërlikon situatën.

Ndërkohë, Kievi po përballet me bombardime të reja ruse, të cilat në orët e fundit janë përqendruar në rajonin e Sumy. Por po përgjigjet duke sulmuar qendrat e reja të energjisë ruse dhe Flotën e Detit të Zi./Corriere della sera

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment