nga : Alma Lamçja
Këtë mëngjes, vendosa të ndryshoj rutinën time, në vend të Spotify-t zgjodha të dëgjoj muzikë të rastësishme në radio. Një lajm i thënë nga gazetarja e emisionit të mëngjesit, më kapi papritur:
“Sot, më 10 shtator, shënohet Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve.”
E dija që ekzistonte një ditë e tillë por s’më kujtohej data. Ky informacion më bëri të ndalem dhe të mendoj sa shumë heshtje e mbulon këtë çështje.
Në të sotmen tonë, njerëzit përballen me ngarkesa të mëdha: gjendje ekonomike të vështirë, papunësi, mungesë perspektive, humbje të lidhjeve të sinqerta, mungesë kohe, apo izolim.
Ndikimi i fuqishëm i rrjeteve sociale, ka bërë që njeriu i sotëm të kërkojë më shumë nga vetja dhe të tjerët, ku shpeshherë ndjehet vetëm dhe nuk di kujt t’i drejtohet për ndihmë, duke u tërhequr nga familja, shoqëria dhe rrethi i tij, në vend që ata të ishin pikënisja dhe përkrahja kryesore për të.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 141 raste të lidhura me vetëvrasjen: 123 tentativa dhe 18 raste të përfunduara tragjikisht. Në vitin 2023, numri ishte 164, prej të cilave 41 vetëvrasje. Këto shifra tregojnë se, edhe pse ka një ulje, fenomeni mbetet i pranishëm dhe i dhimbshëm për shoqërinë tonë.
Pse njerëzit vetëvriten?
Arsyet janë të shumta dhe shpesh më të thella se ç’mund t’i shohim nga jashtë: depresioni dhe ankthi, vetmia, humbjet e mëdha, pasiguria ekonomike, apo përdorimi i substancave që mjegullojnë arsyen.
Ndonjëherë, thjesht është ndjenja e boshllëkut që nuk gjen dot gjuhë për t’u shprehur…!
Edhe unë, dikur, kur lexoja Kafkën dhe Kamynë, e kam menduar këtë çast errësire, por mendimi nuk u bë kurrë plan.
Sot e shoh qartë se kuptimi i jetës që ndërtojmë dhe kujdesi ndaj kohës, janë mbrojtje e fuqishme kundër vetëflijimit.
Prandaj, është e rëndësishme inteligjenca emocionale, sepse na mëson të njohim ndjenjat tona, t’i pranojmë dhe t’i ndajmë me të tjerët. Kur mësojmë të dallojmë dhimbjen nga shpresa, apo të dëgjojmë pa gjykim, bëhemi ura që lidhin individin me jetën dhe jo me fundin.
Në vend të heshtjes, le t’i përgjigjemi njëri-tjetrit me praninë tonë.
Në vend të mungesës, me një dorë të shtrirë.
Edhe në momentet më të errëta ekziston gjithmonë një dritë e vogël, një vesh që dëgjon, një zemër që nuk gjykon, një fjalë që thotë:
Nuk je vetëm!
Në këtë ditë ndërkombëtare, dua t’ju them njerëzve që njoh dhe dua: unë gjithmonë do të kem kohë për ju.
Do t’ju dëgjoj, do t’ju mbështes, do të jem aty kurdo që keni nevojë.
Po aq fort dua t’ua them edhe të tjerëve që janë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët:
jeta është e shenjtë dhe shpëtimi i saj shpesh nis nga një fjalë, një përqafim, një prani e heshtur.
Le t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.
Ndonjëherë, një gjest i vogël mund të shpëtojë një jetë.